“Jetojmë në një shoqëri ku mbizotërojnë të gjitha llojet e ushqimeve nga njëra anë dhe kulti i veshjeve me masën 40 nga ana tjetër. Ekziston tundimi për të provuar çdolloj kënaqësie ushqimore dhe detyrimi për të treguar një imazh që na kënaq, sikur trupi tregon gjithçka për ne”, thotë drejtoresha e qendrës për dietat dhe ushqyerjen në spitalin milanez të Niguardas, Gabriela Gentile.
“Për t’i bërë dietat të funksionojnë, duhet përshkruar një program që parashikon aktivitetin fizik dhe një mënyrë të ushqyeri që të zvogëlojë hyrjet dhe të rrisë konsumin për të sjellë ekuilibrin metabolik. Pa lënë pas dore aspektin psikologjik, që do të thotë të jesh i ndërgjegjshëm për domethënien e ushqimit, për të mos e përdorur si antidot të ankthit, mërzitjes dhe stresit”. Për këtë, ndihma nuk mungon: që nga propozimet e shoqeve për të ndjekur dietën magjike e deri tek ofertat e ndryshme në internet, ku përfshihen lloj-lloj manualesh apo librash. Pastaj, me dhjetëra pilula, çajra, apo këshilla për të eliminuar ushqime të ndryshme. “Janë mashtrime.
Nëse ti vendos të heqësh dorë nga buka, apo nga brumërat në përgjithësi, dhe nëse kjo sjell rënien nga pesha, nuk do të thotë se je dobësuar sepse ke hequr dorë nga këta përbërës, por sepse organizmit i mungojnë disa elementë të rëndësishëm”, saktëson Gentile. Rezultati i viteve të tëra dietë është dobësimi i metabolizmit. Me pak fjalë, një dietë hipokalorike me 1200 kalori të bën të dobësohesh menjëherë, por nëse vendos të hash si më parë, 1600-1800 kalori, organizmi që ishte përshtatur për të ngrënë pak ushqim i akumulon kaloritë e tepërta në formën e dhjamit. Ajo që e certifikon vështirësinë për të rënë nga pesha është edhe një model matematikor i zbuluar nga “Massachutes General Hospital”. Dihej që më parë se pesha trupore tenton të qëndrojë e pandryshueshme, pavarësisht dietave, sepse metabolizmi u reziston ndryshimeve. Tani, duke analizuar sinjalet neuro-endokrine të kontrolluara nga leptina, autorët e studimit kanë parë se kur nivelet janë të larta, organizmi nuk arrin të djegë energjitë dhe të dobësohet.
Vetëm nëse hormoni zbret nën një kufi të caktuar, trupi arrin dhe mban në rrjedhën e kohës humbjen e peshës. “Trupi nuk i duron dietat, përshtatet për pak dhe pastaj vendos në veprim sindromin e mungesës së ushqimit, që çon në fitimin e peshës së humbur”, shton Rafaele Ruaco, përgjegjës i departamentit për problemet me ushqimin në spitalin e Peruxhias. “Duhet ndryshuar krejtësisht mënyra e të menduarit, sepse ekziston një lidhje e fortë mes trupit dhe mendjes dhe shpesh është administrimi i keq i emocioneve ai që përcakton dështimin e dietave”. Rosi propozon të braktiset teoria e llogaritjes së kalorive në favor të metodës molekulare, e cila merr në konsideratë molekulat ushqyese që përmbajnë ushqimet dhe ato të absorbuara nga organizmi.
“E vetmja që funksionon është ajo e cila mund të mbahet në rrjedhën e kohës: duhet të jetë e përshtatshme dhe e studiuar sipas personave”, tregon një prej kërkuesve në Universitetin e Miçiganit. “I rëndësishëm është edhe aktiviteti fizik. Të lëvizësh, forcon metabolizmin dhe rrit masën muskulore”. Një stil jetese aktiv me të paktën 20-30 minuta ecje në ditë është një nga faktorët për të mbajtur një raport të mirë me peshoren. “Por jo vetëm kaq. Një dietë e mirë është edhe ajo ku njeriu shijon të gjitha emocionet që vijnë nga ushqimi”, rekomandojnë dietologët. Sipas tyre, nuk duhet të jemi të fiksuar te tabelat dhe numrat, por të shijojmë ushqimet hipokalorike, pa humbur alegrinë. Sepse, shpesh sforcimit për t’u dobësuar i shtohet edhe ai i ndryshimit të zakoneve. Është shumë mirë nëse evitohen dietat vetëm me një ushqim, ose me bazë produktesh ekzotike dhe të kushtueshme.
“Të ndryshosh zakonet ushqimore që ke ndjekur për vite me radhë, nuk është e lehtë. Për të pasur sukses, duhet të fusësh doza të reja dhe ushqime të reja, por në mënyrë graduale dhe pa sforcim”, përfundon një specialist në shkencat e ushqyerjes. Në fakt, studimet e ndryshme kanë konfirmuar se në 90 për qind të rasteve, dietat nuk na dobësojnë. Ata që kanë arritur të provojnë statistikisht se regjimet dietike, sidomos ato më të ashprat, nuk janë përgjigjja e duhur për ata që janë në mbipeshë, janë një grup kërkuesish nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos, që kanë analizuar 31 studime shkencore, ku kanë ndjekur për një kohë të gjatë pacientët në dietë. “Fillimisht çdolloj regjimi dietik çon në një reduktim nga 5-10 për qind të peshës”, thotë Traci Man, koordinator i kërkimit. “Por brenda një kohe të shkurtër, kilogramët jo vetëm që rikuperohen shumë shpejt, por shtohen edhe të tjerë”. Përqindja është e ndryshueshme, duke shkuar edhe në 5 kilogramë më shumë se pesha fillestare. Në mënyrë paradoksale, kush nuk ka ndjekur ndonjë dietë shton më pak në peshë gjatë një harku kohor prej dy vjetësh, sesa ata që kanë ndjekur një program për të reduktuar ushqimin.