Malota Fitojme ne por titulli eshte 50 me 50

Malota: Fitojmë ne, por titulli është 50 me 50

Kapiteni i Kukësit, Renato Malota, në intervistën e dhënë për "Panorama Sport", flet gjerë e gjatë për rëndësinë e ndeshjes me Partizanin. malotaSipas mbrojtësit lezhjan, jo çdo gjë varet nga kjo ndeshje, pasi janë edhe 5 takime të tjera për t'u luajtur. Por nëse Kukësi fiton ndaj të kuqve, Malota pohon se me 90% blindohet vendi i tretë. Si "ish", lezhjani do që Partizani ta fitojë titullin, por e shikon të vështirë, pasi Skënderbeu është skuadër më e kompletuar.

Për sa i përket finales së Kupës, mbrojtësi e kishte parashikuar Laçin si kundërshtar dhe sipas tij është radha që ta bëjnë të tyren këtë trofe.

Renato, pjesa e dytë e sezonit ka qenë mjaft e mirë për Kukësin. Jeni në kulmin tuaj për të sfiduar Partizanin?

Po kalojmë një moment mjaft të mirë si ekip dhe mendoj se nuk diskutojmë asnjë kundërshtar, dhe për këtë flasin edhe rezultatet.

Si e shikoni përballjen me të kuqtë e kryeqytetit?

Do të jetë një sfidë delikate, pasi atyre u duhen pikët për të dalë kampion, ndërsa ne për të ruajtur vendin e tretë, pozicion i cili të dërgon direkt në Kupat e Europës.

I druheni kundërshtarit që vjen me një mobilizim maksimal?

Aspak. Kukësi është ekipi më në formë për momentin në Superiore. Me plot gojë them se kemi një ekip fantastik.

Mendoni se vendi i tretë i Kukësit kalon nga kjo ndeshje?

Nuk e mendojmë këtë gjë. Nuk duam të futemi nën presion, por me një rezultat pozitiv në këtë takim, them se me 90% e sigurojmë Europën.

Po titulli kampion i Partizanit kalon nga kjo sfidë?

Sërish nuk e mendoj kështu, pasi si Partizani, ashtu edhe Skënderbeu kanë ndeshje shumë të forta këtë javë, pra, varet se si përfundojnë këto dy ndeshje. Mendoj se kampionati do të vendoset në ndeshjen direkte që dy ekipet e luajnë në javën e parafundit.

Ata ju kanë mundur 3 herë, madje në fazën e tretë me mjaft polemika. Ka ardhur koha që të fitojë Kukësi kësaj radhe?

Nuk do t'i kthehem të shkuarës, shikojmë vetëm përpara. Të jeni të bindur që këtë radhë do të kenë përballë një Kukës ndryshe, shumë më të fortë.

Do ta vuani mungesën e Shametit dhe Hasanit në këtë takim?

Të dy janë lojtarë shumë të mirë dhe që i nevojiten ekipit. Por në merkaton e janarit repartet janë dubluar dhe nuk mendoj që do të jetë ndonjë problem për ne. Kukësi ka lojtarë cilësorë dhe kam bindjen që ata që do t'i zëvendë- sojnë do të bëjnë më të mirën, që të mos ndihen mungesat që kemi.

Sipas Malotës, kush ka më shumë shanse për kampionatin, Skënderbeu apo Partizani?

Mendoj që Skënderbeu ka ekip më të konsoliduar, sepse gjatë viteve të fundit ka ruajtur grupin, jo më kot ka dalë 5 herë kampion radhazi. Partizani është më i etur për ta fituar kampionatin. Deri në fund të kampionatit do të jetë çdo gjë e hapur. Shanset janë 50 me 50.

Keni qenë pjesë e Partizanit, për cilin bëni tifo ndërmjet dy kryesuesve?

Përderisa kam qenë te Partizani, normal që do të bëj tifo për këtë ekip. Por e shikoj shumë të vështirë, sepse Skënderbeu ka eksperiencën e duhur për të dalë kampion, ndërsa Partizani jo.

Finalen e Kupës do ta luani ndaj laçianëve. Cilin do të donit, Laçin apo Skënderbeun, dhe pse?

Opinionin tim e kam shprehur edhe në intervistat e mëparshme, ku isha i bindur që Laçin do ta gjenim në finale. Të them të drejtën, nuk kisha ndonjë preferencë, pasi kushdo që të na binte në finale, do ta priste humbja. Është hera e tretë radhazi që dalim në finale dhe mendoj që ky është viti i duhur që Kukësi ta fitojë këtë trofe.

Si kapiten, cila do të ishte mbyllja ideale e sezonit për Kukësin?

Dihet tashmë. Synimi ynë parësor këtë vit është vendi i tretë në kampionat dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë. Kjo do të ishte një mbyllje perfekte për ne. Jemi shumë afër dhe besoj se do t'ia dalim. Nuk na pengon asgjë që ta realizojmë. Me skuadrën që kemi dhe lojërat që po zhvillojmë, do t'i arrijmë objektivat në mënyrë të natyrshme.

Cili është mesazhi juaj për shokët për sfidën e radhës?

Ju them që është një sfidë shumë e rëndësishme për ne, për objektivat që kemi dhe duhet të bëjmë maksimumin për të marrë rezultatin pozitiv. Kemi djem shumë të mirë në ekip, kështu që ata ma bëjnë më të lehtë punën dhe përgjegjësinë. Si gjithmonë, motivimi është i lartë, si nga ana e lojtarëve, stafit, ashtu dhe e presidentit, por mbi të gjitha po mundohemi të mos jemi euforikë. I kemi lënë të gjitha festimet për në fund.

Përgatiti: Skerdilaid Sulozeqi


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama