Në Itali, mosha mesatare e grave që sjellin në jetë fëmijën e parë është 31, në Shtetet e Bashkuara 27, në Francë 21, ndërsa në Spanjë dhe Gjermani 30. Të dhënat tregojnë se me çfarë ritmesh është zhvilluar shoqëria jonë. Dikur, gratë që arrinin këtë moshë ishin bërë gjyshe, ndërsa sot ndërrojnë pelenat e të vegjëlve të tyre dhe u japin për të pirë. "Femrat dëshirojnë të afirmohen në të gjitha aspektet e jetës. Nëse vjen në jetë një fëmijë, ato duhet të heqin dorë nga shumë dëshira dhe mbi të gjitha karriera", shpjegon një psikologe. Një lindje në moshën 40-vjeçare është si një fitore pas një ndeshjeje shumë të lodhshme. "Nënat e sotme dëshirojnë të lindin pas të 40-ave, sepse mund t‘i përkushtohen më shumë fëmijës, duke qenë se e kanë kaluar moshën për të bërë karrierë, ose sepse më parë nuk kanë gjetur një baba të përshtatshëm", vazhdon më tej ajo.
Por, vendimi për të lindur në moshë të madhe ka pasojat e veta. "Bashkëshortin me të cilin jetoj sot e njoha kur ishte 37 vjeç. Kur vendosëm të bashkëjetonim ishim të dy 39 vjeç dhe vendosëm të sillnim në jetë një fëmijë. Për një vit me radhë provuam me mënyrën natyrore, por meqë kjo metodë nuk po jepte rezultate vendosëm t‘u drejtoheshim specialistëve. Nuk kishim probleme steriliteti, na nevojitej thjesht një ‘ndihmë‘. Iu nënshtruam analizave dhe kontrolleve të imtësishme. Dua të kujtoj se disa prej analizave ishin vërtet të rënda, si nga ana psikologjike, ashtu dhe ajo fizike", tregon një nënë 41-vjeçare.
Femrat e ditëve të sotme janë tërhequr shumë nga kjo tendencë. Mosha sociale për të pasur fëmijë (me para të hequra mënjanë dhe një bashkëshort të denjë) nuk korrespondon më me moshën biologjike (nga 20 deri në 35 vjeç). "Në këtë moshë lindja nuk është më detyrë, por një e drejtë", thotë një gjinekolog. Në klinikën e tij mosha mesatare e pacienteve që dëshirojnë të mbeten shtatzëna është 38. "Falë zhvillimit të teknologjisë, sot mjekët mund ta lehtësojnë lindjen deri në moshën 43-vjeçare. Më pas, mundësitë janë tepër të vogla, ose thuajse të pamundura", shpjegon më tej ai.
"Komplikacioneve të shtatzënisë së vonë i shtohen edhe sëmundjet gjenetike, që e bëjnë edhe më të vështirë një barrë në këtë moshë. Më bën përshtypje, sepse ka nga ato paciente të cilat janë gati të bëjnë gjithçka, të përballojnë kura të rënda hormonale, të bëjnë aborte të njëpasnjëshme, ose të provojnë me mënyrën artificiale vetëm që të vazhdojnë të shpresojnë. Mundohem gjithmonë t‘i dekurajoj, por ato vazhdojnë të insistojnë".
Përveç mënyrës natyrore për të mbetur shtatzënë, është ajo artificiale. "Evropian Hospital" është mjaft i njohur për fekondimin artificial. "Të themi të vërtetën: nuk është si nëpër filma", shpjegon një specialist. "Shumë paciente frymëzohen nga aktorja 45-vjeçare e filmit ‘Sex and the city‘, mamaja e dy binjakëve. Asnjë nuk guxon të thotë se fekondimi artificial ka shumë probabilitet të japë rezultate, kur një femër është në moshë të re. Femrat shpresojnë se falë kësaj mënyre mund t‘ia dalin mbanë për të sjellë në jetë një fëmijë.
Por nuk është kështu". Suksesi i një fekondimi artificial është i suksesshëm jo për të gjitha femrat: në 100 40-vjeçare, vetëm 15 tyre mund të sjellin në jetë një fëmijë falë kësaj metode, në 200 42-vjeçare vetëm 2 mund t‘ia dalin mbanë dhe në 300 45-vjeçare vetëm njëra ka shansin e madh të bëhet nënë. Pas moshës 45-vjeçare asnjë grua nuk mund të shpresojë më.
Femrat e bëra mama në moshën 40-vjeçare
12 383 të lindur në vitin 1995
27 938 të lindur në 2006-ën
11% të lindurit nga mamatë nën moshën 25-vjeçare
Shifrat në Evropë
% mbi totalin e nënave
5.6% Itali, 4% Gjermani, 3% Francë
Mosha mesatare e femrave
Itali - 31
Gjermani 30
Francë 29
Spanjë 29
SHBA 27
Gazeta: Shqip