Man Ray didaktike ne boshllek

Man Ray, didaktike ne boshllek
Një studiues, Bledar Kurti, sjell për herë të parë në shqip një monografi për një majë të surrealizmit: Man Ray. "Man Ray dhe surealizmi" një vepër monografike nga studiuesi i historisë dhe politikës amerikane, pedagogu Bledar Kurti, që përuron botimet monografike mbi autorë që kanë qenë udhëheqës shpirtërorë të një rryme të shekullit të njëzetë. Kurti prezanton dhe analizon një sërë veprash të një artisti të atij shekulli, Man Ray, dhe mendon se kontributi i tij nuk u flet të gjithëve. U flet atyre që kanë akoma kohë për të parë rreth vetes, dhe për të parë botën.

Është libër për një njeri që me këmbëngulje dhe kryeneçësi - "Kur pashë se po sulmohesha nga të katër anët, kuptova se isha në rrugën e duhur", thotë ai - u bë mjeshtër i fotografisë eksperimentale dhe të modës, njëherësh piktor, kineast, poet, filozof, udhëheqës i modernizmit amerikan, sfidant i kanoneve formale në artet vizuale.

Më 1961 u vlerësua në Bienalen e Venecias me Medaljen e Artë për fotografinë. Më 1976 prezantohet sërish në Bienale me ekspozitë personale. Po atë vit vdes. Prehet në varret në Montparnas. Në epitafin e tij thuhet: "I shkujdesur, por jo indiferent."

Bledar, me sa jemi të informuar nuk ka ndonjë botim në Shqipëri për surealizmin dhe as për Man Ray-n, jo. Ku e ka origjinën prurja juaj në këtë zbrazëti?

E ka origjinën në pasionin për fushën e letrave, në aktivitetin në universitet. Në këtë libër është dëshira ime për artin, surealizmi në kokën time, në jetën time, në studimet e mia.

Pse ka mbetur surealizmi tek ju?

Piktura dhe fotografia konceptuale janë dy arte që i kam lëvruar qysh herët. Në vitet dymijë nisa një udhëtim rreth Evropës për të parë veprat e surrealistëve, duke filluar nga Figueres, vendlindja e Salvador Dali-së, në Tate Modern, për të parë nga Henri Matisse, Picasso, nga dadaistët.

Më 2003 në Paris, në Centre Pompidou, ishte hapur ekspozita e një fotografi amerikan. Ndër të tjera shoh "Le Violin d'Ingress" që është e kam zgjedhur për kopertinën e pasme të librit. Është një foto ikonë e fotografisë dhe artit surrealist.

Ky ishte kontakti i parë me Man Ray-n?

Po. Më joshi ideja e iluzionit optik që në këtë rast, korrespondonte me pasionin tim për muzikën, kitarën. Trupi i një violine, sensualiteti kur e prek, këto gjëra që sot bëhen me fotoshop shumë lehtë, një mendje më e ndritur i kishte bërë kohë përpara.

Dhe ai është bazuar në një traditë që janë odaliskat e Ingresit, afro 100 vjet para realizimit të "Violinës".

Pikërisht sepse ai e kishte idhull Ingresin. Shumica e modeleve të Ingresit kishin pamjen nga pas.

Në përgjithësi arti konceptohet një pamje përballë, ndërkohë që Ingresi kapte aspektin e pasëm të femrës që është edhe më sensual se sa pamja nga përpara. Ndaj nga dashuria për muzikën, klasiken, për kthimin në Rilindje, u josha nga Man Ray.
Gjithashtu nga kompozimi, hija drita që janë perfekte, të thjeshta, të bukura, domethënëse.

Si punonte Man Ray me objektin?

Të gjitha sa përmenda më lart kanë të bëjnë me një veçori të tijën. Ai shpiku teknika të reja të dritës dhe hijes, multiekspozimin - i njëjti model në tre variante të ndryshme.

Shpiku fotografinë pa aparat fotografik.

Ka një vepër që quhet "Puthja", një foto e jashtëzakonshme, një çift me duart që puthen por që është bërë pa aparat fotografik dhe kjo quhet Rayografia. Një lloj ekografie në mjekësinë e sotme. Ai e zbuloi rastësisht këtë teknikë më 1921 ndërsa zhvillonte disa foto në dhomën e errët.

Ray shpiku dhe një teknikë tjetër që duhet solarizimi. Autori ndërhyn në fotografi, jep theksin aty ku dëshiron, bën gjysmë rolin e piktorit gjysmë rolin e fotografit. Këtë gjë e ka bërë në shumë foto të tij të zambakëve - është një seri që quhet thjesht "Zambakët".Ai ndërhynte piktorikisht, artistikisht me solucione dhe krijonte efekte mahnitëse si në ëndërr, si gjysmë zgjuar, pra tipike të surrealizmit.

Ai e nisi karrierën si piktor dhe për shkak se merrte modelet në shtëpinë e tij, dhe i fotografonte, atëherë kuptoi që më shumë pasion kishte fotografinë se sa pikturën.

Një "Zambak" i tij është shitur te Christi'e për 185 mijë dollarë.

Është një nga 20 artistët më të mirë të shekullit të njëzetë dhe në Shqipëri nuk njihet.

Është brenda fatit me të cilin u shënua në Shqipëri arti modern i shekullit të njëzetë, si "art dekadent". Man Ray ishte përfaqësuesi kryesor i surealizmit në fotografi, dhe ëndrrat si fe e kësaj rryme, ishin përjashtim nga bota ateiste që kultivonte ideologjia tek ne. Sipas jush, çfarë gjen në veprën e Man Ray-t prej thelbit të surealizmit kur eksploron pavetëdijen dhe vizionet?

Tek teknika që ai përdori gjejmë një pjesë të përgjigjes. Nuk ekzistonte më parë ajo lloj teknike, pikërisht teknikë ëndrre, fotografi e realizuar pa aparat. Thjesht është e paimagjinueshme. Jemi në vitet tridhjetë.

Mënyra e trajtimit të hije-dritës, nuk ishte e prerë, nuk ishte shabllon, por e ndërthurur aq bukur organikisht. Siç e shohim për shembull te një nga veprat e tij "Triumfi i mendjes mbi trupin".

Ka një eros të theksuar në veprën e tij, një simbolizëm erotik, i bazuar në teoritë e Frojdit po aq sa në veprat e Markezit de Sad.

Dhe trajtimi i femrës si objekt i kalimit të gjinive, është tipike surrealiste dhe dadaiste. Ja për shembull, në rastin e fotos "Erotikë e mbuluar" 1933 që kam marrë pë analizë.

Aty pozon nudo artistja e famshme surrealiste Méret Oppenheim, e cila ka pozuar për Man Ray për një seri fotosh që do të beshn shumë të njohura. Bashkë me fotografen surealiste Lee Miller e cila ishte edhe e dashura dhe asistentja e tij, ai përdori atë periudhë në mënyrë sistematike teknikën fotografike të solarizimit.

Duke qenë brenda rrethit shumë të ngushtë të elitës së artistëve të Montparnasit, si brenda një vale, letrarësh, poetësh, aktorësh, kineastësh, artistë që hynin dhe merrnin nga një art te tjetri, çfarë mendoni ka autentike në veprën e Man Ray-t dhe sa i influencuar është nga të tjerë dhe arte të tjera?

Ka vërtetësinë e tij, ka origjinalitetin e tij, ndërkohë që ashtu siç nuk e ka mohuar kurrë ka edhe impaktin e Marcel Duchamp-it, dhe surealistëve të tjerë si Andre Breton, Picasso, Dali, sepse ishte një grup që influenconte njëri-tjetrin.

Vetë Picasso kishte një inspirim të thellë nga Henri Matisse. Por në rastin e Ray-t, ndikoi sidomos Duchmap-i i cili si koleg dhe si mik i ngushtë e ndihmoi Ray-n të stabilizohej në Francë. Luanin dhe shumë shah bashkë.

Është syri i Lee Millerit te "Object of destruction" ku duket influenca e Marcel Duchamp-it i cili arriti të realizojë një qasje ndryshe ndaj veprave klasike. Gjë që Salvador Dali e bëri në mënyrën e tij me krijimin kubist të veprës së Mikelanxhelos në Cappella Sistina në Romë, siç bëri dhe "Darkën e fundit" të Da Vinçit. Pra surealistët ktheheshin gjithmonë tek Rilindja, tek antikiteti.

Dhe e revizionin, e shkatërronin.

Ndiheshin të plotfuqishëm. Një lloj mazokizmi që ishte sa artistik, sa erotik, aq triumf

Termi është i pastablizuar në monografinë tuaj: surealizëm, surrealizëm, syrealizëm. Cila nga këto rri?

Unë nuk jam frankofon ndaj nuk mund të gjykoj termin në aspektin gjuhësor të frankofonisë. Unë përdorur fjalën "surealismi" (me "s"). Dhe për shkak se ka një mungesë literature të tillë, ky debat nuk është bërë shumë kohë përpara, sot ndeshim edhe në vështirësinë e termit.

Çfarë keni mbajtur parasysh në ndërtimin e librit?

Tek unë ka qenë gjithmonë dëshira që kjo dije, ku informacion të shkojë te njerëzit, jo te artistët - sepse të komunikosh me artistët dhe të japësh mesazhe për ta, e quaj mundim të kotë, i bie të konvertosh të konvertuarin. Artistët janë tashmë të konvertuar ashtu siç duhet të jenë, politikisht ose artistikisht.

Për masat e gjera të artdashësit apo për ata që nuk e njohin artin, jam munduar që nëpërmjet këtij artisti të madh të shekullit të njëzetë të tregoj se sa i thjesht është arti dhe sa i bukur është arti.

Shikon se si lidhet me psikologjinë e njeriut, se si lidhet me kohët, e letërsinë, me filmin, me erosin. Ndërsa studentët e mi i nxis që me një aparat të vogël, të mund të bëjnë vepra arti.

Mesazhi që duhet të jepet gjithmonë, është që njerëzit të jenë observues. Bota është aq e pasur në material artistik sa thjesht duhet të hapësh sytë dhe ta shikosh se është aty, ta shfrytëzosh.

Njerëzit të zënë nga kurthi i njeriut modern që nuk ka kohë për asgjë, që nuk shikon më anash, nuk shikon me objekte, kompozim objektesh, atëherë privohet nga një gjë shumë e bukur që quhet art.

Ju e keni njohur Man Ray-n në muze. Kur thua muze ke shqiptuar një botë të padëshiruar për surealistëve dhe pararendësit e tyre, futuristët, që janë kundër muzeve, kundër traditës. Ku rri sot Man Ray, apo atë mund ta shohësh vetëm në muze, apo ta shohësh si një relike të kohës?

Një metronom arti, një hekur rrobash që ai ndërtoi për të treguar ashpërsinë e industrializimit, apo thjesht një fryt dhe një vidë, që tregon se industrializimi vret natyrën, vret organiken. Duken gjëra të vogla.

Duke iu përgjigjur pyetjes suaj, mendoj se surrealistët do të ishin mjaft të lumtur sot që ndoshta përfunduan për 30 apo 50 vjet në muze, por tashmë nuk janë më në muze. Nuk ka artistë të mbyllur në muze. Kjo është falë internetit, i cili të sjell në shtëpi muzeun. Kjo lloj teknologjie që artistët e kanë pasur zët gjithmonë, tani ka sjellë një lloj lirie që të krijon mundësi të depërtosh kudo.

Fakti që ne, edhe pse larg veprave origjinale të Man Ray-t mund të hyjmë nëpërmjet internetit, kjo ndoshta është gjë e mirë.

Diçiturë:

"Le Violon d'Ingres" 1924. Gruaja bëhet objekt ose histori, më shumë se sa një krijesë individuale. Vepra shpreh admirimin e hershëm të Man Ray-t për Ingresin, po aq sa dëshirën e tij për të qesëndisur traditën.

Jeta

Man Ray (Emmanuel Radnitzky, Filadelfia, 1890 - Paris 1976) ishte fëmija i madh i një rrobaqepësi hebre emigrant, student mediokër që bënte jetë bohemi si artist në Manhatan. Takimi në Nju Jork me fotografin Alfred Stieglitz, është i rëndësishëm. Merr prej tij njohuritë fillestare dhe më pas nis të eksperimentojë vetë.

Influenca

Më 1914 takoi artistin eksperimental Marcel Duchamp. Bashkë e zhvendosën rrymën e një arti revolucionar, nga Evropa në Amerikë. Ray lëvizi më 1921 në Paris, në Lagjen Montparnas. Falë Duchamp-it, u takua me Pablo Picasson, Ernest Hemingwayn, Salvador Dali, Gertude Stein, James Joyce.

Bashkë me Jean Arp, Max Ernst, André Masson, Joan Miró etj., prezantohet në ekspozitën e parë të surrealistëve në galerinë "Pierre" në Paris më 1925.

Kiki

Këngëtaren e famshme fanceze Kiki të Montparnasit (Alice Prin) e pati për gjashtë vjet modelen kryesore, muzë po edhe të dashur. Shpesh ai e përdori konturin e trupit të saj për të paraqitur objekte të tjera si në rastin e "Violinës së Ingresit". Interesi i tij për minimalizmin dhe abstrakten e shtyu drejt eksperimentimeve si "rayografia".

Kjo realizohej duke vendosur një objekt tredimensional ose një aradhë objektesh në letër fotografike dhe përballë dritës. Në vitin 1922 ai botoi librin e parë mbi këtë kërkim, "The Delightful Fields".

Dada

"Dada" ishte vala kryesore që erdhi si refuzim radikal i artit tradicional. Çfarë bën një artist dadaist? Një objekt të jetës së partishme e paraqet si të ishte një vepër arti e përfunduar.

Man Ray mendonte se eksperimenti dada nuk ishte për Nju Jorkun ku u përpoq të krijonte në bërthamë me Duchmap-in. Botuan vetëm një numër të "New York Dada" më 1920. Pas kësaj ka mbetur thënia e Man Ray-t: "Dada s'mund të jetojë në Nju Jork. I gjithë Nju Jorku është dada, dhe një rival nuk do ta toleronte."

Ka thënë:

Mos vendosni emrin tim. Këto që unë bëj janë thjesht dokumentime.

Unë pikturoj atë që s'mund të fotografohet, atë që vjen nga imagjinata ose nga ëndrrat, ose nga një shtysë e pavetëdijshme.

Sigurisht që gjithmonë do ketë nga ata që iu bën përshtypje vetëm teknika, ata që pyesin "si", ndërsa të tjerë me një natyrë më kurioze do të pyesin "pse". Personalisht, në vend të informimit, gjithnjë kam preferuar frymëzimin.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama