Barcelona cilësohet si klubi me akademinë sportive më të mirë në botë, por do të jetë akademia e Mançester Junajtid ajo që do të ketë numrin më të lartë të lojtarëve në Euro 2016. Plot 12 futbollistë të dalë nga akademia e "Djajve të Kuq" do të prekin fushat e lojës në këtë Europian.
Edhe pse numri i lojtarëve të dalë prej akademisë më të mirë angleze është i madh, vetëm dy prej tyre do të jenë pjesë e kombëtares angleze. Markus Rashford dhe Tom Hiton janë të përzgjedhurit e trajnerit anglez Roi Hoxhson për t'u bërë pjesë e skuadrës prej 23 lojtarësh.
Kombëtarja e Irlandës së Veriut është ajo që mban rekordin për numrin më të lart të lojtarëve të dalë nga akademia e "Djajve të Kuq". Gjashtë lojtarë do të jenë pjesë e kësaj skuadre, mes të cilëve mbrojtësi Xhoni Evans, Pedi Mekneir apo Kori Evans. Ndërkohë, ylli i Juventusit, Pol Pogba, për të cilin përflitet për një rikthim në "Old Traford" pas emërimit të Murinjos në krye të Mançester Junajtid, do të jetë në fushë për kombëtaren franceze.