Tabloidi gjerman "Bild" ka zbuluar detajet financiare të transferimit të Henrikh Mkhitarian nga Borusia Dortmund te Mançester Junajtid dhe shifrat e paguara nga anglezet për futbollistin armen tejkalojnë çdo lloj parashikimi.
Sipas "Bild", rroga e armenit do të jetë 12,5 milionë euro në vit, një pagë që e rendit mes yjeve më të mëdhenj në kampionatin anglez të futbollit.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Mkhitarian do të përfitojë edhe një pagesë bonus prej 8 milionë eurosh meqë zgjodhi të firmosë me Mançester Junajtid.
Ndërkaq, e fituar ka dalë edhe Borusia Dortmund, që do të fitojë 42 milionë euro nga shitja e futbollistit i cili kishte vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij me klubin gjerman.