Roberto Mançini nuk ka se si të mos jetë i kënaqur për lojën dhe i lumtur për fitoren ndaj Napolit. Por për trajnerin e Interit janë pengjet e sezonit ato që e mundojnë, duke parë se si skuadra e tij tregohet e fortë dhe solide vetëm përballë të mëdhave, ndërsa me të ashtuquajturat të vogla ka lënë një mori me pikë rrugës, të cilat e kanë nxjerrë jashtë zonës Champions. Gjithsesi, ai nuk kërkon të dorëzohet:
"Napoli e nisi mjaft mirë ndeshjen, shumë herë më i saktë sesa ne, na vuri në vështirësi, por në fund e merituam plotësisht takimin.
Mjaftoi që Kondogbia të luante disa metra më pranë zonës së Napolit dhe gjithçka ndryshoi në lojën tonë. Me këtë lëvizje e morëm ne lojën në dorë dhe Napoli papritur nuk ishte aspak i frikshëm dhe i rrezikshëm dhe ne shënuam dy gola të bukur. Nuk e di nëse kjo është ndeshje më e mirë që kemi luajtur në këtë sezon, por për sa i përket aspekt të përqendrimit dhe saktësisë sonë në veprimet që duhej të bënim, mendoj se po.
Por në të njëjtën kohë më vjen të tërbohem kur mendoj dhe kujtoj ndeshje si ajo e kaluara me Torinon, apo me të tjera ekipe të vogla, ku edhe pse në avantazh, ulim ritmin, përqendrimi bie, bëjmë disa gabime foshnjarake dhe humbim tri pikë që i kishim në xhep, - shpjegon Mançini, që kur pyetet se ndoshta zona Champions ka perënduar si objektiv, ai kërkon t'i japë kurajë skuadrës.
- Nuk kam pse t'i bëj funeralin vetes, kur ndërkohë jemi ende të gjallë. Deri në fund ka edhe 15 pikë në lojë dhe në futboll gjithçka mund të ndodhë. Prandaj, të vërtetën do ta mësojmë vetëm më 15 maj.
Ikardi, goleador i rigjetur?
Askush nuk e ka vënë në dyshim Ikardin. Mauri është një nga ata sulmues që 20 gola në sezon i bën gjithmonë dhe ndoshta, nëse vazhdim me këtë ritëm deri në fund të kampionatit, pa dyshim që të gjithë ne mund të shpresojmë. Goli i parë në pozicion jashtë loje?
Nuk kam parë asgjë, por nuk flas për këto gjëra". Në fund, i pyetur në lidhje me shtrëngimin e dorës që pati në fillim të ndeshjes me kolegun Mauricio Sarri, pas "pederastit" që ai mori nga napolitani në ndeshjen e fazës së parë, Roberto Mançini e mbyll shkurt: "Sarri? Faleminderit dhe natën e mirë!".