Manhatan historia e lagjes qe cilesohet si zemra e zemres se botes

Manhatan, historia e lagjes qe cilesohet si zemra e zemres se botes
Nëse Nju Jorku është zemra e Amerikës, atëherë Manhatani është zemra e zemrës. Jo thjesht se në ishullin prej 8746 kilometra katrorë jetojnë 1 milionë e gjysmë banorë, jo thjesht se aty është ekstremi i zhvillimit, jo thjesht se aty është qendra e “kryeqytetit” të OKB-së, dhe jo se aty prodhohen miliarda dollarë. Por më shumë se kaq, Manhatani është simbol i zhvillimit ekonomik e kulturor. Por si është në të vërtetë Manhatani, cilët janë banorët që e popullojnë dhe si funksionon jeta aty?

Emri

Emri Manhatan e ka burimin nga fjala “Mann-hatta” dhe e përkthyer nga gjuha Lenape, mendohet se do të thonë “ishulli i shumë kodrinave”. Enciklopedia e Nju Jorkut ofron edhe derivate të tjera që e kanë prejardhjen nga gjuha Munsee, manahachtanienk që do të thotë “vendi i dehjes së përgjithshme”, menatay “ishull”.

Objekte të rëndësishme

Ish-kullat binjake, dikur ishin simbol ikonik i qytetit dhe të vendosura në Manhatanin e poshtëm. Me lartësi 417 dhe 415 metra, ndërtesat 110-katëshe ishin ndërtesa më e lartë e botës që prej vitit 1972. Në fund të shekullit të 20-të kullat binjake ishin padyshim një prej ndërtesave më të famshme të botës deri në shkatërrimin e tyre më 11 shtator 2001. “Kulla e Lirisë”, ndërtesa që do zëvendësojë kullat binjake është në ndërtim e sipër dhe pritet të përfundojë në vitin 2011.

“Central Park”

“Central Park” (Parku Qendror) është skicuar nga Frederik Law Olmsted dhe Calvert Vaux. Parku prej 3.4 kilometrash katrorë ofron vende për të ecur, dy sheshe patinazhi në akull, strehë për kafshët e egra, zona të gjelbëruara që përdoren për sporte të ndryshme, si dhe sheshe lojërash për fëmijët. Parku është një oaz për zogjtë migrues dhe pikërisht për këtë arsye është një pikë mbledhjeje për të pasionuarit pas zogjve. Ndërkohë që pjesa më e madhe e parkut ngjan krejt natyrale, ai është i punuar në këtë formë dhe përmban shumë liqene artificiale. Ndërtimi i “Central Park” në vitin 1850 ishte një prej projekteve publike më masive. Rreth 20 mijë punëtorë punuan për t’i dhënë formë peizazhit pastoral të stilit anglez që synonin të krijonin Olmsted dhe Vaux.

Kultura

Manhatani ka qenë shpesh skenë e lëvizjeve kulturore më të rëndësishme në SHBA. Skena kumbuese e arteve vizuale në Manhatan në vitet 1960-’60 ishte skenë lëvizjes amerikane të pop-artit. E cila solli në jetë gjigandë si Jasper Johns dhe Roy Lichtenstein. Një parajsë e njohur për artin është edhe lagjja fqinje “Chelsea”, ku gjenden rreth 200 galeri arti, të cilat janë strehë e artit modern të artistëve të rinj dhe atyre të konsoliduar. Teatri “Broadway” konsiderohet shpesh si një forma më e lartë profesionale e teatrit në SHBA. Teatrot dhe pjesët muzikore vihen në skenën e një prej 39 teatrove profesionistë me të paktën 500 vende, të pozicionuara përreth sheshit “Times Square”. Pak më tej “Times Square” ndodhet “Lincoln Center”, strehë e një prej shtëpive më prestigjioze të operas në botë, “Metropolitan Opera”.

Shteti: Nju Jork
President i distriktit të Manhatanit: Scott Stringer
Popullsia: 1,537,195
Sipërfaqja: 87.46 kilometra katrorë

- Manhatani përfshin këto ishuj: “Randall Island”
“Ward’s Island”
“Roosevelt Island”
“Governors Island”
“Liberty Island”

- Lagjet fqinje të Manhatanit: “Chinatown”
“TriBeCa”
“SoHo”
“NoLIta”
“Harlem”

- Duke qenë se aty ndodhet selia e Kombeve të Bashkuara, Manhatani është strehë e trupave më të mëdha diplomatike të botës, duke përfshirë 105 konsullata.

- Në Manhatan ndodhet bashkia e Nju Jorkut, e ndërtuar në vitin 1916 dhe një prej ndërtesave qeveritare më të mëdha në botë.

- Mosha mesatare e popullsisë në Manhatan është 36 vjeç.

- Manhatani është një ndër vendet me të ardhurat më të larta për banor në SHBA.

- Në ishull ndodhen: Teatri “Broadway”
-Sheshi “Times square”
-Universiteti i Nju Jorkut
- Universiteti i Kolumbias
-“Wall Street”
- “Lincoln Center for the Performing Arts”
-“The American Museum of Natural History”
-“Central Park”

- Në Manhatan ndodhen pronat e patundshme më me vlerë në SHBA dhe lagjja konsiderohet si motori ekonomik i vendit.

- Sektori më i rëndësishëm ekonomik është industria e financës.

- 280.000 punonjës të sektorit të financës kanë fituar më shumë se gjysma e gjithë rrogave të paguara në lagjen e Manhatanit.

- Në vitin 2006, ata që ishin në industrinë e financës fituan mesatarisht për javë rreth 8300 dollarë duke përfshirë këtu dhe bonuset.

- 11.3 përqind e punëve në këtë lagje janë në sektorin e shëndetit.

- Shtatë prej tetë rrjeteve të agjencive më të mëdha në botë të reklamave janë të pozicionuara në Manhatan.

- Sipas statistikave të vitit 2006 rroga mesatare javore e punonjësve në Manhatan ishte 1453, më e larta në vend.

- Qendrat kryesore të mediave që ndodhen në Manhatan janë:

“New York Times”
“New York Daily News”
“New York Post”
“The Wall Street Journal”
“ABC”, “CBS”, “FOX”
“NBC”, “MSNBC”, “MTV”

- Manhatani është unik në SHBA për përdorimin intensiv të transportit publik dhe mungesën e makinave private.

- Ndërkohë që 88 përqind e amerikanëve shkojnë në punë me makinat e tyre personale, në Manhatan 72 përqind e njerëzve përdorin transportin publik.

- Metroja e Nju Jorkut është sistemi më i madh i këtij lloj transporti në gjithë botën.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama