Romani “Kaini” i autorit portugez Jose Saramago ka si bazë Dhiatën e Vjetër, ndërsa mund të thuhet se ky roman shënjestron të gjitha religjionet abrahamike. Vetë titulli i këtij romani flet për referencën religjioze, kurse përmbajtja realizohet si një parodi ndaj të gjitha teksteve fetare
Jose Saramago (1922- 2010) i lindur në Portugali, fitues i çmimit Nobel në vitin 1998, i njohur për karakterin e tij kontrovers dhe rebel, por human, duket se i ka shpjeguar arsyet e ateizmit nëpërmjet romaneve të tij, i bindur që fajin për këtë e kanë tekstet religjioze. Ai, sikurse në romanin “Ungjilli sipas Krishtit” të botuar në vitin 1991 edhe në romanin e tij të fundit të titulluar “Kaini” (2009; botimi në shqip nga “Dudaj”, 2012, me përkthim të Nasi Lerës), rimerr një temë nga Bibla për ta vënë nën thjerrëzën e një kritike të rreptë, dhe për t’ia bërë gjyqin e fundit duke e rindërtuar atë. Te Kaini ridimensionohet e gjithë ajo që thuhet në librat fetarë dhe këtu nuk përjashtohet as Zoti. Rivaliteti ndërmjet Zotit dhe Kainit në romanin në fjalë është shtruar mbi një grumbull argumentesh të cilat e nxjerrin Kainin si njeri të rëndomtë, por jo Zotin si Zot të teksteve fetare. Për më tepër Zoti në romanin “Kaini” duket i papërsosur dhe me shumë mangësi. Paraqitja e Zotit dhe figurave religjioze nga një pikë vështrimi kritik e rritë peshën refleksive, dramaticitetin e veprimeve dhe rëndësinë e situatave në të cilat gjenden personazhet e këtij romani. Kaini flet për Adamin dhe Evën dhe për mëkatin origjinar, pastaj rrëfehet se si Kaini, pas vrasjes së vëllait Abelit, dënohet nga Zoti për të mbetur endacak për tërë jetën. Këtu ata bëjnë një marrëveshje, Kaini s’duhet t’i tregojë askujt që Zoti është bashkëfajtor në vrasjen e Abelit, ndërkaq Zoti do ta ruaj atë nga të këqijat që mund t’i ndodhin në udhëtim. Megjithatë, për ta bërë të dallueshëm si vrasës, Zoti i vë një shenjë në ballë Kainit. Një ditë gjatë rrugës Kaini i lodhur dhe i uritur, duke shfrytëzuar emrin e Abelit, kërkon të gjejë punë në një vend ku sundohet nga një zonjë e cila quhet Lilith. Ai detyrohet të shkelë baltën për ta bërë të gatshme për murim derisa një ditë Lilithi e fton në dhomën e saj ku ata bëjnë dashuri. Falë aftësive dashurore të tij, Kaini mbetet tek ajo për një kohë të gjatë, dhe si rezultat i kësaj lind djali i tyre të cilin e quajnë Henok. Me përjashtim të pak aluzioneve në raportet dashurore mes Adamit dhe Evës, janë Kaini me Lilithin personazhe të cilët në këtë roman krijojnë anën e ndjeshme ku paraqiten relacionet ndërmjet të dashurve, gruas dhe burrit, tradhtia etj. Pasi që është i dënuar të endet, Kaini largohet nga Lilithi dhe vazhdon të udhëtojë nëpër vende e kohë të ndryshme. Një pjesë të këtij rrugëtimi ai e bën duke hipur mbi gomar. Gjatë rrugëtimit të tij ndeshet me Abrahamin i cili në atë moment po bëhej gati ta vrasë djalin e vet dhe ky ndërhyn për ta shpëtuar. Pastaj flitet për sulmin në Sodoma e Gomora ku vriten fëmijë, sulmin mbi izraelitët etj. Në fund Zoti dhe Kaini takohen dhe flasin, pastaj ndahen secili në rrugë të vet për të vazhduar edhe sot e kësaj dite. Kjo me pak fjalë është përmbajtja e kësaj vepre, e cila nëpërmjet gërshetimit të përfytyrimeve që dalin nga tekstet religjioze dhe imagjinatës së autorit, realizohet si kryevepër letrare.
Religjioni si fiksion
Siç mund të kuptohet edhe nga titulli, Kaini është një personazh qendror rreth të cilit i tërë romani, sic thamë, ndërtohet duke e bashkëdyzuar religjionin dhe fiksionin. Pra, romani në fjalë ka përmbajtje religjioze atëherë kur ruan referencat me Biblën, si në rastin kur thuhet se Kaini është djalë i parë i Adamit dhe Evës, se është marrë me bujqësi, se e ka vrarë vëllain e vet Abelin, apo se kishte një djalë që e kishte emrin Henok. Apo atëherë kur flitet për ndërtimin e Kullës se Babelit, vrasjet në Sodoma e Gomora, ngjitjen e Moisiut në mal dhe për luftërat me izraelitët. Ndërsa është fiksion atëherë kur nëpërmjet ironisë, përqeshjes, interpretimit dhe lojës diskursive shpaloset rrëfimi i cili i vë pikëpyetje gjithë asaj që thuhet në librat religjiozë e në veçanti atë që thuhet në Dhiatën e Vjetër. Kështu duke ju referuar tekstit biblik, nëpërmjet të cilit shpjegohen shumë situata sa të rëndomta po aq edhe të pakuptimta, të cilat nga mënyra e përshkrimit në roman nuk janë aspak të denja për të qenë hyjnore, narratori me gjuhën sarkastike të cilën e përdorë vazhdimisht, i drejtohet lexuesit, dhe si për t’u shfajësuar thotë “i kërkojmë që më parë të falur lexuesit për teprinë e një vogëlime për të cilën nuk jemi përgjegjës”. Referencat nga Dhiata e Vjetër të gërshetuara me përbërësit fiksional e bëjnë këtë roman një vepër e cila kërkon lexim të vëmendshëm për ta vërejtur se ku përfundon teksti i apostrofuar i nxjerrë nga religjioni e ku fillon teksti i dalë nga fiksioni, sepse herë-herë autori ka inkorporuar edhe diskursin biblik nëpërmjet të cilit shprehja e ruan ngjyrën biblike: “Atëherë Abrahami mori zemër dhe tha, Le të mos zemërohet zoti im në qoftë se do t’i bëj edhe një pyetje, Fol, tha zoti, Le të hamendësojmë se atje ka vetëm dhjetë veta të pafajshëm, dhe zoti u përgjigj, për hir të këtyre dhjetëve nuk do ta shkatërroj qytetin”.
Diskursi hyjnor dhe rakursi njerëzor
Te “Kaini” ruhet ngjyra biblike, por Zoti, ai që pretendohet të jetë mëshirues, ka sjellje satanike. Pra, në roman, Zoti nuk e mban fjalën dhe shkatërron qytetin përkundër faktit se aty ka edhe fëmijë që vriten, duke bërë kështu që të ruhet diskursi, por të ndërrohet rakursi; narratori i gjithëdijshëm flet për Zotin që nuk i di disa gjëra. Prandaj diskursi biblik shpërfaqet si një lojë nëpërmjet së cilës paraqitet Zoti i cili bën gabime dhe sillet si një njeri i rëndomtë me plot cene. Duke folur për mëkatin origjinar, kafshimin e mollës nga Eva, narratori ndër të tjera thotë “pakujdesia e zotit bie menjëherë në sy, sepse po të donte me të vërtetë që të mos hanin nga ai fryt, zgjidhja ishte fare e lehtë, atij do t’i mjaftonte të mos mbillte pemën, ta vendoste në një vend tjetër ose ta rrethonte me tela me gjemba” dhe në këtë vazhdë Zoti akuzohet edhe për lejimin e incestit. Gërshetimi i asaj që përmban Dhiata e Vjetër me fiksionin, mbi të gjitha është një reflektim nëpërmjet të të cilit shtrohen pyetje dhe konstatime bazike filozofike si “është shume e trishtueshme që në jetë të kesh qëllim për të bërë fëmijë, pa e ditur pse i bën dhe as me ç‘qëllim i bën”, apo në rastin më direkt kur, duke iu referuar Abrahamit dhe gatishmërisë së tij për ta vrarë djalin e vet thotë “E ç’zot është ai që urdhëron një baba të vrasë djalin e tij të vetëm”, pyetje këto nëpërmjet të cilave kërkohet të dihet ku është qëllimi i krijimit dhe pse krijuesi lejon gjera të tilla si vrasja e fëmijëve. Në përgjithësi, në këtë roman Zotit i jepen atribute njerëzore, sepse edhe ai nxehet dhe vepron në inat e sipër dhe nuk është në dijeni të gjithçkaje që ndodhë, sepse në fillim të kapitullit të fundit ku flitet për barkën e Noas narratori thotë “Zoti nuk mori pjesë në lëshimin e arkës në det”, prandaj mund të thuhet se romani “Kaini” përshkohet nga një gjuhë e cila nëpërmjet gërshetimit të lartpërmendur, duke rikontekstualizuar figurat biblike, shpeshherë në mënyrë të drejtpërdrejtë përqesh Zotin duke e paraqitur atë meritor për t’u fyer: “Me fjalë të tjera, përveç faktit që abrahami ishte gjithashtu një horr horri dhe bir kurve si zoti”, ose në rastin tjetër ku thuhet “zoti nuk është një person që mund t’i besojmë”, bëjnë që romani, ndër të tjera të artikulohet edhe si një satirë e cila ka në shënjestër të vërtetën biblike ose më saktë Zotin që prezantohet aty. Në fakt, kjo e vërtetë në romanin “Kaini” mëtohet të paraqitet si e pavërtetë. Ky roman, pra, është shkruar me një stil të përzier diskursiv dhe me një lojë gjuhësore e cila përmban satirë, ironi dhe sarkazëm. Shpeshherë fjalitë zgjaten sa një faqe, emrat e përveçëm shkruhen me të vogël dhe se kush nga personazhet e ka fjalën identifikohet duke filluar me germë të madhe, ndërkohë që shpeshherë presja ka funksionin e pikës. Romani ka trembëdhjetë kapituj dhe kjo dëshmon qëllimin autorial për ta ruajtur konotacionin religjioz edhe në formën e jashtme të romanit.
Kaini i mirë
Për fund, mund të thuhet se Saramago në romanin “Kaini”, shndërron një figurë të diskutueshme dhe negative religjioze në një personazh pozitiv letrar. Në përgjithësi, Kaini përshkruhet si një njeri i rëndomtë, i cili me fajin e Zotit kryen vëllavrasje, por që di të jetë i dhembshur atëherë kur sheh fëmijë të vriten. Kjo mund të shihet edhe si një ide brenda këtij romanit ku figura e Zotit sfidohet dhe ajo e njeriut ndriçohet, çka i jep romanit edhe tendencat humaniste. Ndërkaq, edhe versioni biblik, duke mos qenë krejt i shkëputur nga përfytyrimet pagane, e pranon që Zoti është antropomorfik. Meqë Zoti ka jo vetëm trajtën, por edhe karakteristikat njerëzore, ngaqë kërkon nga të tjerët që t’i përulen dhe se ata që nuk e bëjnë këtë, apo ata që kontestojnë mirësinë e tij, dënohen, Saramago e paraqet Zotin siç kishte bërë shekuj më parë Michelangelo Buonarroti në “Cappella Sistina”. Madje, një kërkim intermedial do të argumentonte gjenialitetin e barabartë mes shkrimtarit portugez dhe skulptorit italian në portretizimin e Zotit. Zhvillimi i shkencës dhe përditshmëria njerëzore, kanë krijuar një lloj mosbesimi në gojëdhënat fetare (të cilat më vonë janë bërë shkrime fetare) duke i cilësuar ato si produkt të një kohe në të cilën njerëzit i ka përshkuar vetëdija e ulët dhe injoranca. Po ashtu, postmodernizmi para disa dekadash ka shpallur mosbesimin në metarrëfime, ku hyn edhe religjioni. Prandaj, nuk është e rastit që njëri nga autorët më të mëdhenj postmodernistë, romanin e tij të fundit e shkroi kundër një rrëfimi kaq të madh e kaq të ndjeshëm. Jose Saramago në romanin “Kaini”, i nisur nga qëndrimi ikonoklast, ka hartuar një platformë racionale kundër teksteve fetare. Për ta përshkruar absurditetin e relacioneve mes njerëzve dhe Zotit, narratori, duke i shkelur syrin lexuesit, sugjeron shkëputjen e primitives nga postmoderna: “Historia e njerëzve është historia e mosmarrëveshjeve me zotin, ai nuk na kupton dhe ne nuk e kuptojmë”. Në romanin “Kaini” kulmon postmodernizmi me gjithë komponentët e tij (ironia, intertekstualiteti, kolazhi, kodimi i dyfishtë etj.), prandaj kjo vepër e fundit e Saramagos, ndoshta duhet parë edhe si romani i fundit i madh postmodern kundër metanarracionit religjioz.
*Autori është studiues dhe kritik kosovar