-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani merr pjes në takimin konsultativ me Kryetarët e Gjykatave Administrative dhe përfaqësues të sipërmarrjes private-
Tiranë, 20 Nëntor /ATSH/ - Ministria e Drejtësisë organizoi sot një aktivitet me temë "Efektiviteti i Gjykatave Administrative në raport me sipërmarrjen private dhe biznesin", ku u diskutua gjerësisht lidhur me pritshmëritë përkundrejt gjendjes aktuale të funksionimit të Gjykatave Administrative.
Ministri Ylli Manjani, i pranishëm në këtë takim konsultativ me Kryetarët e Gjykatave Administrative, përfaqësues të sipërmarrjes private, dhomave të tregtisë, shoqatave të ndryshme të biznesit, etj, theksoi se përkrah idenë e një trajtimi më të mirë financiar të gjyqtarëve, duke garantuar të pranishmit, se gjatë mandatit të tij do të përpiqet maksimalisht që të shërbejë, të ndërmjetësojë, apo edhe të koordinojë sa më shumë të jetë e mundur në krijimin e një klime partneriteti dhe besimi.
"Biznesi është partneri ynë më i rëndësishëm. Është partneri më i rëndësishëm në kuptimin që zhvillimi ekonomik pa këtë partner nuk ka shans për të ecur përpara". Ministri i Drejtësisë nuk jep drejtësi, por është gjykata ajo që jep drejtësi, ndaj dhe mendova që mund të diskutojmë bashkërisht sesi mund të përmirësojmë disa aspekte të punës sonë", u tha Manjani krerëve të gjykatave.
I vetëdijshëm se ka vonesa në gjykim, ai tha se "nuk na intereson që t'i humbim kohë biznesit me procedura gjyqi. Ne na intereson që biznesi të jetë i lirë, të çlirohet nga historitë administrative dhe të çelim vende pune. Ekonomia shqiptare nuk ka asnjë shans tjetër nëse nuk mbështesim komunitetin e biznesit. Respekt total për punën tuaj dhe të të gjithë gjykatësve të trupës gjyqësore që shërben në juridiksionin e Gjykatës Administrative"./b.k/ /a.g/