Manjani takon Meten Jemi ne nje krah dhe ne nje axhende agresive reformash

TIRANË, 10 Nëntor/ATSH/.- Ylli Manjani, i propozuar nga kryeministri Edi Rama për postin e ministrit të Drejtësisë pas dorëheqjes së Nasip Naços, është takuar mesditën e sotme me kryetarin e Kuvendit, njëkohësisht kryetar i LSI-së, Ilir Meta.

Pas daljes nga takimi në mjediset e kryesisë së Kuvendit, Manjani u shpreh se është në pritje të procedurave kushtetuese për t'u dekretuar në postin ministror.

Manjani premtoi një komunikim të vazhdueshëm me gazetarët për axhendën e ministrisë së Drejtësisë.

"Unë nuk jam ende ministër i Drejtësisë, por jam propozuar për ministër dhe nga pikëpamja kushtetuese është presidenti i Republikës që duhet të dekretojë kandidaturën time, e cila më pas duhet të votohet në parlament dhe duhet të betohem tek presidenti, pastaj mund të më quani ministër Drejtësie", tha Manjani.
Megjithatë, kandidati për ministër u zotua se do të bashkëpunojë me qeverinë, në kuadër të kursit të reformave.

"Jemi në një krah dhe në një axhendë agresive reformash. Jemi në mes të punëve dhe kemi shumë punë për të bërë", u shpreh Manjani për gazetarët.

Një ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dha dorëheqjen pas dy vitesh në këtë detyrë. I menjëhershëm ishte propozimi i kryeministrit për pasuesin e z. Naço, duke ngarkuar përfaqësuesin tjetër të LSI-së, Ylli Manjani për kreun e dikasterit të drejtësisë.
/a.s/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama