Portieri gjerman Manuel Nojer nuk e ka pritur mirë humbjen 0-2. Në mënyrë indirekte, ai kritikon shokët e skuadrës që nuk arritën dot të dilnin në lojën e tyre dhe nuk mundën dot të shkundnin rrjetat e Hygo Loris.
Nojer, si e përjetuat humbjen 0-2?
Nuk ka momente më të këqija se këto. Zhvilluam një turne shumë pozitiv, por në fund u skualifikuam. Kjo vlen në fund. Humbja 0-2 është fatale dhe jo rezultati i drejtë. Por, nuk mund të them se ishim ekipi më i mirë.
Ku çaloi ekipi?
Ishte budallallëk i madh që e mbyllëm pjesën e parë në disavantazh, për më tepër në minutën e fundit. Francezët ishin cinikë, kërkues dhe të vëmendshëm. Në pjesën e parë nuk e pamë Francën, por avantazhi ua bëri këmbët e lehta. Ne krijuam shumë shanse goli. U rikthyem në pjesën e dytë, por nuk shënuam dot. Ky ka qenë një problem për ne gjatë këtij turneu.
Luajtën rol mungesat dhe dëmtimi i Boatengut?
Boatengu është një lojtar që bën diferencën edhe me një gjuajtje apo me një kërcim në ajër. Dëmtimi i tij ishte fatkeqësi dhe fatal. Zëvendësimet nuk i dhanë ndonjë ndryshim rrënjësor dhe, për fat të keq, nuk i kompensuam siç duhet mungesat. Kishim mundësi të luanim edhe më mirë.
Çfarë ndodhi në pësimin e golit të dytë?
Ishte një aksion rutinë. E humbëm topin shumë lehtë dhe Pogba e goditi fort topin. Të ndëshkon fati. Pashë që kisha mundësi ta prisja topin siç duhej, por për një moment më rrëshqiti nga duart. Grizman u tregua shumë i vëmendshëm dhe goli i dytë na demoralizoi dyfish.
Përgatiti: Einar Ibro