"Ka shumë njerëz që kur u them jam akrobate në Cirk, më thonë: ekziston akoma cirku? Të vjen keq kur e dëgjon këtë".
Nuk e mundon ideja e njohjes nga të tjerët, sesa fjalia e thënë ashtu padashur, por që e prek dhe e ndrydh. Ndjenjën e keqardhjes, akrobatja 21-vjeçare Manushaqe Mullahi, ia lejon vetes vetëm për disa minuta, pastaj në çast mimika i qeshet, vështrimi i gjallërohet dhe i kthehet bisedës gjithë entuziazëm, ashtu siç zuri fill.
Duke treguar për provën e parë, 11 vjeçe, që kaloi me mësuesin Kujtim Dumi, numrat e lehtë të plastikës, urën, sparkatën, që i siguroi një numër në shfaqjen e radhës, më 1 qershor të vitit 2000. E para herë në një skenë të vërtetë, ku imitonte një kukull që lëvizte.
Për disa vite, tregon ajo iu desh të bënte çdo mëngjes rrugën Krujë-Tiranë, sepse në qytetin ku jetonte nuk kishte Cirk. Duket që shfaqjet e asaj moshe i mban mend me detaje, mban mend edhe si ishte veshur, kujton njerëzit që kanë qenë aty, e gatshme për të lexuar edhe emocionet.
Ndjeshmëria venitet paksa kur vijon me shfaqjet e fundit, "Lërë shpirtin tënd të fluturojë në cirk" dhe "Të kapërcesh ylberin", në Cirkun e Metropolit, ku punon prej disa vitesh. Në këto shfaqje ekzekuton disa numra ajri, një sprovë përtej profilit të saj, plastikës. Ndoshta janë ndjesitë ato që ia bëjnë punën më të lehtë kujtesës.
Ose edhe arenat jashtë vendit, qysh kur ishte 13 vjeç në Belgjikë, në Festivalin e Torinos, Festivalin e Wiesbadenit, Gjermani, ku ka parë nivele artistësh të të gjitha moshave, numrat që ekzekutonin, punën përgatitore, vëmendjen që i kushtohej për një përgatitje të mirë fizike dhe mbështetjen financiare, për të cilën ajo tregon: "kishin dietat, rrogat shumë më të mira sesa ne".
"Kishte edhe numra më të vështirë sesa ato që bënim ne, por kishte numra që edhe nga artistët e cirkut tonë mund të bëhen. Nuk ishin të paarrirë", thotë akrobatja.
Skenat e huaja që, siç ndodh rëndom me artistët shqiptarë sapo njihen me artin jashtë vendit të tyre, janë edhe për të një synim i afërt.
Të jetë aty ku shfaqjet e cikut nuk mbyllen brenda një dhome institucioni, shpesh pa ngrohje e çdo natë e rrezikuar. Aty ku cirku ka çdo natë shfaqje, tërheq publik edhe në rrugë apo sheshe dhe shqetësimi i artistit kufizohet vetëm tek numri i radhës, e jo tek dieta, i ftohti në palestër, shkëputja e litarit në lartësi.
"Kam shumë qejf që të iki jashtë, të përballem me botën, të përballem me artistët e rinj të tjerë në botë, që të shoh deri ku mund të arrij", shprehet akrobatja që me zor pret turneun e radhës, në mars të këtij viti, aty ku "artistit i japin duartrokitje, mirënjohje, i japin më shumë zemër".
Për çdo person të ulur në sallë, numrat e akrobatëve në lartësi, plastika e trupit, numrat e vështirë që i shtijnë frikën edhe atij që e sheh, truket e xhonglerëve, janë mister. Një mister për të cilin edhe vetë ata nuk preferojnë të flasin, duke mos dashur t'ia zbehin magjinë shfaqjes së cirkut. Por, Manushaqja nuk ka ç'të fshehë, për vetë profilin që ka zgjedhur, plastikën.
Ngelet vetëm t'i thotë diçka më tepër kërshërisë sonë.
"Isha 13 vjeçe. U futa në konkurrim. Dy netët e para dola shumë mirë, natën e tretë, nga emocionet, nga publiku që u mblodh rrotull meje, harrova nja dy ushtrime dhe ngela në vend. Por, në çast bëra një fletë mbrapa, kalova në ushtrimin tjetër dhe as vetë nuk e mbaj mend çfarë ushtrimi kisha pasur.
Publiku nuk kuptoi asnjë gjë". Është kjo histori që ka ngjarë vite më parë në një turne në Gjermani, kur ajo ka ngatërruar numrin që do të ekzekutonte dhe shton se "ka elementë që nuk i ke të sigurtë dhe ke frikë".
Edhe pse numrat e plastikës, ruajnë një vend të veçantë në një shfaqje cirku, "u pëlqejnë njerëzve dhe i tërheqin ata", në shfaqjet e fundit të cirkut, që janë dhënë në Teatrin e Metropolit, akrobatja Manushaqe Mullahi, është prezantuar me dy numra ajri. Një ndjesi më tepër për t'u provuar në Cirk, pasi nuk e çon ndërmend "të ndahet nga plastika".
Po si mbushet koha jashtë cirkut për 21-vjeçaren?
Është e kufizuar në programin e çdo dite, stërvitje nga ora 9.00 deri në 13.00 të mesditës në Teatrin e Metropolit, orët e çlodhjes në shtëpi, dhe më pas mësimi në shkollën "Kostandin Kristoforidhi". Një regjim që i siguron freskinë e çdo dite, forcën dhe energjinë në ekzekutimin e numrave në skenë.
Edhe në rastet kur nuk i duhet të përgatitet për një shfaqje të re, përsërit me mësues Kujtimin numra të premierave të kaluara, dhe ushtrimet bazë. "Kur punon ndihesh më e lehtë, ndihesh më e çlodhur, më e qetë."
Orët e gjumit dhe ushqimet që konsumon, janë po aq me rëndësi si stërvitja. Ka një rregull që e respekton çdo herë: konsumi i të tri vakteve. Një regjim i tillë, lë pak kohë të lirë, saqë fundjavat me miqtë janë të rralla.
I duhet të heqë dorë shpesh nga kënaqësitë e vogla, ashtu sikurse ka diçka që nuk ndihet e detyruar ta bëjë: studimi. "Do isha më dakord të punoja tërë ditën në cirk sesa të mësoja një libër 3-4 orë", flet çlirët ajo, e gjithmonë në vrapin e gjithçkaje që e tërheq, e thërret.
"Nuk do ta lë kurrë cirkun. E kam pasion dhe një ditë, të mungoj, më merr malli për të. Më është bërë pjesë e imja. Do të jem aty derisa të më pranojë skena", përfundon ajo.
Jorida Pasku : Gazeta Shekulli