Maqedoni- Produktet bujqesore Ahmetaj Presim zgjidhje deri neser ose do e ngreme problemin ne tryezen e CEFTA-s

TIRANË, 24 Nëntor /ATSH- I. Vata/ -Ministri i MZHETTS, Arben Ahmetaj, zhvilloi një bisede telefonike me zv.kryeministrin dhe njëheresh ministrin e Financave të Maqedonise, si dhe me ministrin e Ekonomisë, për t'i kërkuar sqarime mbi bllokimin e importit të perimeve të fresketa nga Shqiperia, si dhe për t'i bërë të ditur qëndrimin e Shqipërisë.

Ministri Ahmetaj i pyetur për biseden tha se "Është e dyta herë që unë komunikoj zyrtarisht me palën maqedonase. Edhe para një muaji diskutuam kur produktet bujqësore u bllokuan në doganën maqedonase për shkak të një rregulloreje, e cila keqpërdoret shpeshherë ndaj produkteve bujqësore shqiptare dhe krijon humbje për fermerët apo për kompanitë që organizojnë eksportin, në rastin konkret të domates. Rregullorja në fjalë e Maqedonisë ka një afat kohor deri në 5 ditë për t'u kthyer përgjigje analizave që, siç e theksova, shpesh herë edhe keqpërdoret nga institucionet dhe unë kam kërkuar sot nga ministri i Ekonomisë së Maqedonisë dhe nga ministri i Financave që situata do të duhet të zgjidhet menjëherë brenda ditës së sotme. Nëse jo, ne, brenda të gjithë të drejtave që na jep edhe marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA me të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi të drejtë të ndërmarrin akte reciprociteti ndaj eksporteve maqedonase, importit të tyre në Republikën e Shqipërisë dhe kuptohet që në këtë aspekt jemi në të drejtën tonë legjitime për ta kthyer aktin një akt reciprociteti. Sigurisht që nuk është zgjidhja më e mirë".

"Ne po presim deri ditën e nesërme kur besoj do të kemi informacion për fillimin e procedurës së ndryshimit të rregullores, e cila do të bëjë të mundur që prodhimet bujqësore të mos presin në kufi, por të shkojnë në destinacionet e tyre, qoftë në tregjet frigoriferike dhe kur flas për tregjet frigoriferike, kompanitë që përdorin frigoriferë për të mbajtur produktet e bujqësore dhe në vendet e përshtatshme e jo të rrezikojnë në prishje dhe në prishje biznesi gjithashtu në doganat e vendit fqinj. Nëse deri nesër nuk është zgjidhur çështja dhe problemi, atëherë ne bashkëpunim me ministrinë e Bujqësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Doganat, do te marrim masat menjëherë dhe sigurisht që shpresojmë të mos shkojmë deri atje", është shprehur Ahmetaj.

"Te enjten do të zhvillohet ne Moldavi mbledhja e Nenkomitetit te CEFTA ku kjo do te jete ceshtja kryesore qe do te ngreje Shqiperia", konfirmoi ministri Ahmetaj. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama