Partitë opozitare shqiptare në Maqedoni, duke përjashtuar PDSH-në pritet të formojnë një bllok opozitar. Nisma është bërë e ditur nga kreu i RDK-së, Rufi Osmani, i cili ka konfirmuar se do të angazhohet për formimin e një blloku opozitar përfshirë partitë, organizatat e sektorit civil, personalitete të dalluara shqiptare. Kjo nismë vjen vetëm disa javë, pasi u shpërbë bashkëpunimi i nisur midis PDSH dhe RDK. PDSH-ja si një nga partitë më të mëdha opozitare ndërpreu bashkëpunimin me partinë që drejton Osmani, me arsyetimin se nuk dëshiron bashkëveprim me partitë që synojnë bashkëpunimin me partitë opozitare të bllokut maqedonas. Burime pranë RDK bëjnë të ditur për INA se do të ofrohet menjëherë bashkëpunimi më i ngushtë me Demokracinë e Re (DR), e cila pritet të zgjedh liderin dhe kryesinë e saj të re.
“Ne presim që kjo parti të zgjedh organet e reja dhe jemi të hapur për bashkëpunim të ngushtë dhe shpresojmë se në rast të ekzistimit të vullnetit dhe sinqeritetit të ndërsjellë,do të ndodhë një bashkëpunim efikas”, theksojnë zyrtar të RDK-së.
Ndërsa nga ana tjetër nuk përjashtohet edhe bashkëpunimi me partitë e vogla, lëvizje dhe organizata civile si dhe shoqata të spektrit më të gjerë, ku nga RDK paralajmërojnë përpilimin e një strategjie efikase opozitare. Nga ana tjetër, në PDSH nuk kanë dashur të komentojnë nismën e paralajmëruar jozyrtare në taborin e partive tjera më të vogla opozitare.