Dje Ministria e Arsimit na bëri me dije se teksti i historisë që po u jepet gjimnazistëve, ku thuren himne e lavde për Berishën, është një tekst që ka kaluar përmes disa procedurave rigoroze dhe që nuk ka asnjë ndikim politik.
Ndërkohë, të gjitha mediet dje ishin në një mision, gati-gati të pamundur, të gjenin një mësues, që mban fëmijët dhe familjen me atë punë, që do të dilte kundër këtij teksti, firmosur nga i preferuari i kryeministrit, Beqir Meta. Kategoria më e keqpërdorur në administratë publike, mësuesit, nuk kanë preferuar të shprehen, duke thënë thjesht që do të shohin tekstin dhe se ai duhet të jetë në rregull, përderisa e ka miratuar ministria.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, tha për mediet se ky tekst po përdoret si kalë beteje.
"Jemi këtu për të sqaruar procedurën e miratimit të teksteve shkollore, mes të cilëve njërin prej teksteve alternativë "Historia e Popullit Shqiptar 12", që po përdoret si kalë i lodhur beteje politike me mbulesë "shkencore". MASH deklaron se reforma e liberalizimit të teksteve shkollore ndaj tregut të botimit dhe të shpërndarjes ka sjellë impaktin e pritshëm të cilësisë së tekstologjisë shkollore", - tha Shamata.
"Ritheksojmë se në çdo rast, ajo që ka munguar, ka qenë vetëm ndikimi zyrtar ndaj pikëpamjeve të studiuesve, të cilët kanë qenë të lirë të thonë mendimin e tyre të pavarur, të bazuar në fakte e kritere shkencore", - vijoi më tej zëvendësministri i Arsimit.
Ai madje bëri të ditur se vlerësuesit e teksteve nuk kanë pasur asnjë mundësi të ndikohen, se kanë qenë të izoluar, kur kanë bërë shqyrtimin e tyre.
"Vlerësuesit kanë punuar në mjedise të izoluara dhe larg ndërhyrjeve nga përfaqësuesit e shtëpive botuese apo autorët e teksteve. Ata kanë qenë tërësisht të pavarur në gjykimet e tyre.
Së fundi, gjuha e përdorur dhe përbaltja e institucioneve nuk përbëjnë në asnjë rast argument dhe aq më tepër argument shkencor, siç pretendohet. Nuk e di se çfarë ndjesie publike shkakton fakti që një tekst historie bëhet alibi për mos-hyrjen e opozitës në Kuvend. Tonet ultimative për tërheqjen e tekstit në një kontekst më të gjerë aktual e politik, nuk i bëjnë nder askujt", - tha Shamata.
Tekstet e alternative kanë qenë gjatë kësaj kohe një burim shumë i mirë korrupsioni për Ministrinë e Arsimit.
Dy ditë më parë ky skandal u bë publik. Ndërkohë, nxënësit e pyetur për këtë çështje, kanë shprehur preferencat e tyre politike, të ndarë në qëndrime.
"Në zgjedhjet e vitit 2001, përsëri në pushtet erdhën socialistët, nën drejtimin e Fatos Nanos, i cili u bë sërish kryeministër. Por vendin e përfshiu një valë e paparë korrupsioni, trafiku dhe një gjendje e madhe pasigurie, ndonëse Shqipëria kishte filluar rrugën drejt NATO-s dhe MSA (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit) për në BE. Ekonomia ecte ngadalë. Biznesi nuk ecte me hapat e duhur. Kreditimi i ekonomisë nuk i përshtatej ende nevojave të zhvillimit.
Kjo gjendje solli që në zgjedhjet e vitit 2005 të fitonte PD dhe të vinte sërish në pushtet Sali Berisha, i cili me projektet për luftën antikorrupsion, me flamurin e luftës kundër krimit të organizuar dhe me një program për zhvillimin e shpejtë ekonomik çeli një epokë të re zhvillimi për vendin tonë", - thuhet në tekstin e Historisë për maturantët.
Akademia maqedonase e Shkencave tërhiqet nga Enciklopedia: Do e rishikojmë
Akademia maqedonase e Shkencave dhe Arteve ka bërë të ditur se do të bëjë korrigjime të pjesëve të Enciklopedisë, për çka reaguan subjektet shqiptare.
Ndërsa ishin mbledhur anëtarët e redaksisë qendrore të Enciklopedisë së debatueshme, kreu i saj, Georgi Stardelov, deklaroi se priste ndryshime: "Bëhet fjalë për një ofendim të caktuar ndaj bashkësisë etnike shqiptare në Maqedoni dhe besoj se kjo njësi do të korrigjohet", - tha Stardelov.
Akademia sugjeron se nuk do të tërheqë botimin, por ndryshimi do të bëhet në botimet e tjera. Në botimin e dytë do të përfshihen edhe ekspertë shqiptarë.
Subjektet shqiptare thonë se ky veprim nuk është i mjaftueshëm. Sipas tyre, botimi me të pavërteta, ku shqiptarët përshkruhen si "njerëz mali", nuk duhet të mbesë në qarkullim.
Ndërkohë, ndryshim të pjesëve të Enciklopedisë kërkojnë tani zyrtarisht edhe ambasada e SHBA dhe ajo e Britanisë së Madhe.
Përmes një letre zyrtare këto dy vende kërkuan të mërkurën që të hiqen pjesët ku sugjerohet se ushtarë britanikë dhe amerikanë kishin stërvitur UÇK.
Enciklopedia maqedonase duhej të ishte një nga botimet më kapitale të vendit, por dalja e saj në dritë po ngjall edhe debate brenda-maqedonase, sidomos për mënyrën se si përshkruan politikanë aktual, ku kryeministri vlerësohet me tone pozitive në krahasim me liderin e opozitës, ish-president i vendit, për të cilin jepen vetëm pak fakte të karrierës së tij politike.
BBC
Berisha: Identiteti nuk ndërtohet mbi falsifikimin e historisë
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka cilësuar të papranueshme përmbajtjen e Enciklopedisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.
Berisha i ka bërë këto komente gjatë takimit me presidentin e Maqedonisë, George Ivanov, në takimin që dy shefat e shteteve kanë zhvilluar në Nju-Jork.
Kryeministri shqiptar ka theksuar se publikimi i një Enciklopedie, e cila falsifikon historinë, është një qëndrim absurd dhe i papranueshëm.
"Ndërhyrja e autoriteteve të larta maqedonase me një qëndrim të qartë ndaj këtij problemi, do të ishte e domosdoshme, për faktin se askush nuk mund të ndërtojë identitet bazuar mbi falsifikim të historisë", - është shprehur kryeministri Berisha.
Lidhur me këtë çështje, Ivanov ka thënë se, sapo të kthehej në Shkup, do përpiqet të ndikojë në këtë çështje.
Duke e përgëzuar kryeministrin Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, presidenti Ivanov gjithashtu është shprehur se vend i tij ndihet shumë krenar për këtë arritje të popullit fqinj e mik shqiptar.
Pjesë nga libri i Historisë
- Në zgjedhjet e majit 1996 Partia Demokratike arriti të fitonte shumicën parlamentare. Këto zgjedhje u kontestuan nga Partia Socialiste, e cila urdhëroi bojkotimin e tyre duke tërhequr komisionarët ditën e votimit. Në këtë mënyrë procesi zgjedhor u dëmtua seriozisht, duke pasur shkelje nga të dyja palët, pozita dhe opozita.
- Opozita, duke shfrytëzuar edhe tatëpjetën që morën firmat piramidale në vendin tonë, arriti që të organizojë rebelimin komunist të vitit 1997 dhe brenda një kohe të shkurtër, u shpërthyen depot e armëve, u shthur rendi me pasoja dramatike. Vetëm një pjesë e vogël e vendit mbeti nën ndikimin e qeverisë.
- Në fillim të marsit 1997 u bë një marrëveshje midis partive politike, e cila çoi në formimin e Qeverisë së Stabilitetit, nën drejtimin e socialistit Bashkim Fino. Ndërkohë u caktua edhe dita e zgjedhjeve që u fituan nga Partia Socialiste. Në fillim të muajit korrik 1997 dha dorëheqjen e detyruar edhe presidenti i vendit, Sali Berisha.
- Vendit iu desh kohë të rifitonte veten nga ngjarjet dramatike të vitit 1997. Kaosi, anarkia, vrasjet e shumta (sidomos në qytetin e Vlorës e të Beratit), vendimi i bandave të armatosura, veprimtaria e të ashtuquajturave "Komitete të shpëtimit kombëtar", mungesa për një kohë të gjatë e policisë dhe forcave të tjera të rendit e të qetësisë, krijuan probleme të shumta, nga të cilat vendi do ta merrte veten shumë vonë. Qeveria socialiste, që erdhi në pushtet nën drejtimin e Fatos Nanos, nuk arriti dot të vendoste rregullin e qetësinë, ndonëse në vendin tonë ishte vendosur një forcë ndërkombëtare nën drejtimin e Italisë dhe të NATO-s.
- Viti 1997 do të mbyllej për pjesën më të madhe të vendit në kaos. Në zgjedhjet e 26 qershorit 1997 ishte organizuar edhe referendumi për formën e qeverisjes: Republikë Parlamentare, apo Mbretëri Kushtetuese. Pati shumë kontestime për rezultatin e këtij referendumi, i cili u cilësua si i manipuluar, por në autoritetet zgjedhore nuk kishte fituar Republika Parlamentare.
- President i vendit u zgjodh Rexhep Meidani, socialist. Shqipëria po ecte me hapa të ngadalta ekonomike dhe politike. Opozita demokratike po e merrte veten pas atij sulmi të egër që kishte pësuar në vitin 1997. Ethet për ta çuar vendin në kaos të përsëritur dukeshin sheshit. Kështu, një vit më vonë, më 12 shtator 1998, u vra deputeti demokrat Azem Hajdari, vrasje e cila çoi në ngjarjet e shtatorit 1998, që mori pamjen e një grushti shteti...".
- Në këtë ditë u pushtuan me forcë institucionet qendrore të vendit, Radiotelevizioni publik dhe kryeministri i vendit u largua nga Shqipëria. Me tërheqjen e forcave që mbështesnin opozitën, qeverisjen e vendit e mori Ilir Meta, një nga drejtuesit e PS.
- Në zgjedhjet e vitit 2001, përsëri në pushtet erdhën socialistët, nën drejtimin e Fatos Nanos, i cili u bë sërish kryeministër. Por vendin e përfshiu një valë e paparë korrupsioni, trafiku dhe një gjendje e madhe pasigurie, ndonëse Shqipëria kishte filluar rrugën drejt NATO-s dhe MSA (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit) për në BE. Ekonomia ecte ngadalë. Biznesi nuk ecte me hapat e duhur. Kreditimi i ekonomisë nuk i përshtatej ende nevojave të zhvillimit.
- Kjo gjendje solli që në zgjedhjet e vitit 2005 të fitonte PD dhe të vinte sërish në pushtet Sali Berisha, i cili me projektet për luftën antikorrupsion, me flamurin e luftës kundër krimit të organizuar dhe me një program për zhvillimin e shpejtë ekonomik çeli një epokë të re zhvillimi për vendin tonë.
Gazeta Shekulli