EDHE NJË SHUPLAKË E BRUKSELIT PËR MAQEDONINË: Si për inat të politikanëve vendorë, Maqedonia vazhdon të jetë e fokusuar në vëmendjen e diplomatëve ndërkombëtarë. Ende pa përfunduar vizita e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të BE, Ketrin Eshton, në Shkup, nga Brukseli erdhi edhe një flakareshë e nxehtë për politikanët e papërgjegjshëm. Komisari për zgjerim, Shtefan Fyle, nuk dha kurrfarë rekomandimi për Maqedoninë sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Përpos stagnimeve disavjeçare në kontestin rreth emrit, Maqedonia kësaj radhe ka zhgënjyer Brukselin edhe me mospërmbushjen e marrëveshjes së arritur për tejkalimin e krizës politike në vend si dhe ngecjen e disa reformave institucionale.
E ndodhur ndërmjet presionit ndërkombëtar për daljen nga status-quoja dhe ekzaltimeve të brendshme pas fitores kolosale në zgjedhjet lokale, klasa politike maqedonase në Shkup ende nuk po mundet ta gjejë një majë prej nga do të mundte të vrojtonte pasojat e gabimeve që ajo po i bën hap pas hapi, e ditë pas dite. Fryma deklarative për një rrugë europiane të ecjes së shtetit, sikur ngulfatet nga një frymë tjetër, retrograde, përjashtuese, ksenofobe, e nxitur dhe frymëzuar nga qarqe të afërta me pushtetin, dhe jo rrallë edhe nga vetë pushteti. Pritja si hero, me ceremoni shtetërore, i një krimineli lufte, Johan Tarçullovski, i akuzuar nga Tribunali i Hagës për vepra kriminale kundër civilëve shqiptarë në fshatin Luboten të Shkupit, rikthimi i skenave të tmerrshme me rrahje të fëmijëve shqiptarë nëpër rrugët e Shkupit, shfuqizimi i fitores së Zijadin Selës në Strugë nga ana e Gjykatës Administrative, janë disa nga majat e ajsbergut ku po thehet lundra e sfilitur e demokracisë së brishtë maqedonase.
NË KAZANIN E REVANSHIT NDAJ SHQIPTARËVE: Shumëkush që merr mundin të shpjegojë drejt këtë lajthitje që po i ndodh politikës aktuale në Shkup në raport me problematikat që e bëjnë të qëndrueshëm një shtet, sërish ballafaqohet me dilemën nëse krejt kjo ndodh rastësisht, apo qëllimisht. Një shteti si Maqedonia, me probleme të hapura dhe me konteste të pazgjidhura, nuk i lejohet luksi i të qenit qendra e botës, thuajse ajo përcakton balancet gjeostrategjike në mes Lindjes e Perëndimit. Mediat dhe analistët në Shkup, që po e ushqejnë këtë iluzion për gjoja faktorizimin e Maqedonisë, në fakt po prodhojnë mjegulla para syve të publikut, për të humbur qartësinë e shikimit të pasojave të kësaj politike izoluese që po udhëheq kryeministri aktual.
Në këtë mjegullnajë ka rënë edhe opozita, e cila paaftësinë e saj për të vepruar si klasë politike e ndërgjegjshme e ka shndërruar në baladë të shanseve të humbura. Prandaj dalin të paefektshme edhe apelet e Ali Ahmetit për tejkalimin e pengesave për ta bërë Maqedoninë anëtare të NATO-s. Injorimi i këtij apeli nga ana e kryeministrit Gruevski rikonfirmon rrugën njëkahëshe të këtij të fundit dhe paqartësinë sesi do të jetë fati i vendit, të cilit po i shtohen budallenjtë që krenohen me mizoritë e kriminelëve dhe me huliganizmin nëpër rrugët e Shkupit.
Maqedonia, një shtet pa emër dhe me identitet të mohuar e kërcënuar nga jashtë, ka rrezik të shndërrohet në një kazan ku edhe njëherë shteti i dirigjuar nga maqedonasit mund të ziejë inatin për betejat e humbura identitare dhe kompensimin e tyre në revansh ndaj shqiptarëve. Kush mundet ta parandalojë këtë zjarrvënie poshtë kazanit të çmendurive ala maqedonase dhe a është ky momenti që reflekton një vetëdije pak më të konsoliduar për unitet brendashqiptar. Ata që kanë përvetësuar mjeshtërinë e fshehjes së përgjegjësive për paudhësitë e bëra, vështirë e kanë të tregojnë një minimum vullnet për ndonjë kompromis. Përkundrazi, ata janë të prirur t’i shkojnë deri në fund rrjedhës logjike të paudhësive të tyre, duke inskenuar gjithnjë e më tepër ngjarje me prapavijë etnike.
Kontestimi i drejtimit të Strugës nga një shqiptar, shpeshtimi i incidenteve nëpër Shkup, presioni dhe mbivotimi i kuadrove shqiptare nëpër institucionet e shtetit, ka si rezultante mbulimin e paaftësisë së pushtetit aktual për të menaxhuar me resurset e shtetit. Makineria propagandistike për prodhimin e sukseseve qeveritare dhe konvertimin e tyre në krenari për kombin e vuajtur maqedonas ka rrezik të shndërrohet në vegël të rrezikshme që do të vriste shpresat dhe aspiratat kolektive europiane të një populli, të ngulfatur në baltën e paqartësive ballkanase.
A PO TESTOHET LOJALITETI EUROPIAN: Republika e Epërme e Maqedonisë të jetë emri që do të përdorej në 7-8 vitet e ardhshme derisa të zgjasin negociatat për anëtarësim në BE. Ky emër do të përdorej erga omnes në të gjitha gjuhët, përpos në gjuhët e dy vendeve, kurse të gjitha çështjet e hapura identitare do të zgjidheshin në kuadër të standardeve të BE-së. Po me këtë emër të ri, Maqedonia do të anëtarësohej edhe në NATO. Ky është propozimi më i ri i ndërmjetësit të OKB, Metju Nimic, i cili vjen pas një seri negociatash e përplasjesh rreth emrit “Maqedoni” në mes të Athinës dhe Shkupit.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga ana e Shkupit sa i përket propozimit për emrin e ri të shtetit, kurse shtypi grek ka sjellë fragmente të një reagimi publik, duke shprehur mospajtim sa i përket versionit të ri të emrit, sepse atributi “E epërme” shpie në mohim të toponimit më të gjerë gjeografik, siç është Maqedonia. Ende nuk dihet sesi do të jetë epilogu i zhvillimeve diplomatike në Bruksel sa i përket të ardhmes së Maqedonisë, por Shkupi zyrtar nuk ka edhe shumë komoditet të mbështesë shpresat te Brukseli, aq më tepër kur kompromisi rreth emrit do të ishte faktori përcaktues i axhendës europiane të Maqedonisë, së paku para janarit të vitit të ardhshëm, kur Greqia do të marrë kryesimin e BE-së.
Heronjtë dhe budallenjtë e një shteti pa emër, a mund të bëhen bashkë për të lajthitur pjesën tjetër të kthjelluar, që ka ngelë e pa përcëlluar nga kazani i revanshizmit maqedonas dhe deri kur do të tolerohet kjo zjarrvënie në këtë cep të Europës? Si duket, kohë ka, por nuk ka aq sa mendojnë disa për të ble lojalitet fals europian…