Ish-legjenda e Napolit dhe e futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona ka kritikuar mbështetjen që sipas tij i jepet Juventusit në Federatë dhe nga arbritrat.
Duke folur për televizionin "Piuenne Tv", Maradona tha se Juventus e meriton kampionatin, por Napoli ka treguar një lojë më të mirë se bardhezinjtë.
"Juventusi ka superlojtarë në Federatë dhe në arbitra. Kur është në dyshim, një lojtar i Juventusit ka gjithmonë të drejtë",-ka thënë ai.
Ndërsa ka vlerësuar mënyrën se si 'zonja e vjetër' del nga situata në momente të vështira.
"Juventusi e meriton titullin kampion. Duhet të jem i ndershëm të pranoj gjithsesi se ka pasur një b** të madhe. E dinim që nëse Napoli do të gabonte, këtë nuk do ta bënte Juventus. Me dy gjuajtje në portë Juve bën 4 gola.
Diferencën mes Juventusit dhe Napolit e bën stoli. Napoli ka zhvilluar një kampionat më të mirë se Juventusi, në raport me lojtarët. Ka luajtur shumë më mirë. Është e vështirë të luftosh me një skuadër kaq të fortë.
Juventus ka edhe një trajner të madh, një drejtor të madh sportiv dhe ekipin e të rinjve që po shkëlqen, ndërsa shoqëria sillet në mënyrën më të mirë. Në momentet e vështira, Juventus ka ditur të zgjidhë situatat, gjë që Napoli nuk ka ditur ta bëjë",-ka thënë Maradona.
Deklarata e tij vjen në ditën kur Juventusi u kurorëzua kampione e Italisë, duke koleksionuar titullin e 32-të në historinë e klubit dhe të pestin radhazi në Itali.
Bardhezinjtë u shpallën kampion këtë të hënë, pas humbjes që Napoli pësoi ndaj Romës në 'Olimpiko'.