Margarita Duhet bere me shume per femrat shqiptare

Margarita: Duhet bere me shume per femrat shqiptare

Aktorja Margarita Xhepa tregon jetën e saj në teatër dhe kinematografi…pas shfaqjes së premierës së dokumentarit të parë kushtuar jetës së saj nën regjinë e Kujtim Gjonajt. Kujtimet për qytetin e lindjes, Lushnjën, bashkëshortin dhe si e sheh teatrin sot…

Ishte ende një vajzë e re, kur humbte në rrëfimet e profesorit të saj, Xhemal Broja, mbi antikitetin. Në Shqipërinë e atyre viteve, antikiteti ishte vetëm një ëndërr. Me duart e vendosura mbi fytyrë ajo mendonte në “do të kishte ndonjëherë fatin të interpretonte në një vepër të tillë?”. Ky ishte pengu i Margarita Xhepës, ikonës së kinematografisë dhe teatrit shqiptar, një peng që e shoqëroi deri disa vite më parë, derisa regjisori grek, Vangjelis Theodhopulos, do t’i besonte rolin e Ekubës. Një rol që do ta linte net të tëra pa gjumë, për t’u futur në lëkurën e asaj gruaje, ku ishin futur vetëm yjet e teatrit.

 

Ekuba simboli i dhembjes njerëzore do të vinte nën një interpretim të shkëlqyer nga Margarita Xhepa në skenën e teatrit grek. Ndërsa kori buçiste në gjuhën shqipe “Trojë, moj e zeza Trojë”, zëri ngjethës i Margaritës monologon: “Në dorën e Zotit veten lëshoje Ajme, Ajme”. Mediat greke do ta quanin “Diva shqiptare”, ndërsa aktorja do ta shihte këtë rol si një përmbushje të ëndrrës së saj të madhe artistike, të një pengu që kishte qenë brenda saj për vite me radhë. Një aktore ka mijëra jetë, pasi ajo ka dhe jetën e personazheve që ka interpretuar. Dy ditë më parë në skenën e Teatrit Kombëtar, regjisori Kujtim Gjonaj prezantoi dokumentarin mbi jetën e aktores Margarita Xhepa, të quajtur thjesht “Margarita”. Nën skenarin e Angjelina Xharës, e cila është dhe autore e një libri mbi jetën e aktores, për gati 1 orë publiku udhëtoi në një jetë të jashtëzakonshme të jetuar me aq pasion dhe dashuri. Regjisori Gjonaj tregon se materialet e një jete të tillë ishin të pafundme, por ai u përpoq të vendoste ato që do të ndërtonin ashtu siç duhet portretin e Margaritës.

 

“U gjet çelësi dramaturgjik, poetik dhe emocional për të dhënë një jetë të shquar artistike vetëm në 50 minuta. Një mjellmë, një Margaritë, një gjethe, një shtëpi e thjeshtë në Lushnjë, Divjaka, Akropoli i Athinës, zëri i saj poetik e drithërues, janë përdorur falë skenarit origjinal e dramaturgjisë regjisoriale të veçantë, për ndërtimin e një vepre artistike me emocionalitet të lartë. Ky është filmi me titullin e thjeshtë “Margarita…”, thotë Gjonaj.  Gjuha e zgjedhur filmike me intensitet të vërtetë emocional është fryt i një bashkëpunimi të mirë të të gjithë komponentëve krijues, sidomos regjisë, skenarit, kamerës, përfshirë këtu edhe muzikën e zgjedhur në sfond nga Majlinda Bërxolli, montazhin e spikatur të Lulzim Sulës dhe organizimin e përkryer të producentit Genti Gjonaj. Për aktoren e pranishme në premierën e dokumentarit, ishte një emocion i papritur. Më poshtë ajo tregon disa momente nga rrugëtimi i saj drejt teatrit dhe kinematografisë…

 

Si ishte për ju, të shihnit në dokumentar jetën tuaj…Çfarë ndienit teksa pamjet ju rikthenin pas në vite?

Emocioni ishte i fortë, i bukur. Ishte i papritur për mua, pasi e shihja për herë të parë në atë sallë bashkë me miqtë dhe spektatorët që kishin ardhur në premierë, pasi për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të kohëve të fundit, nuk asistova dot në montazh. Por një jetë e tërë, sigurisht që nuk mund të mblidhet në një orë program. Janë një numër i madh rolesh të interpretuara në kinematografi dhe teatër, por gjithsesi mbeta jashtëzakonisht e kënaqur nga puna e bërë nga regjisori Kujtim Gjonaj. Ishte një dokumentar i realizuar me dashuri dhe pasion. Është ky brezi i artistëve 60-vjeçarë që kanë marrë shumë nga modeli i brezit tonë, të cilët e shohin punën me një përkushtim të veçantë dhe këmbëngulës. Kujtimi kishte punuar me kujdes, duke dhënë një dokumentar dinamik. Ndihem e kënaqur, pasi u evidentua puna ime që në moshë të re. E kam dashur artin dhe kam punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm gjithnjë. Ky dokumentar është një udhëtim në jetën time, që nga fillesat e para që më çojnë në qytetin e lindjes, Lushnjën. Janë shumë kujtime që më çojnë në këtë qytet kaq të dashur. Janë prindërit që kanë qenë një model për mua. Nuk do t’i harroj asnjëherë fjalët e tim eti, i cili më tha “Të duash punën dhe njerëzit, pasi puna bëhet me njerëzit”. Nuk mund të harroj dhe nënën time, që vazhdon të mbetet një model i bukur dhe i paharruar, një pasuri brenda meje. Rruga ime drejt artit ka qenë ashtu natyrshëm, si një rrugëtim drejt së bukurës. Isha e tërhequr nga gjërat e bukura, natyra, poezia. Gjithnjë më ka pëlqyer poezia dhe asnjëherë nuk kam hequr dorë prej saj. Poezia më ka ngjitur për herë të parë në skenë… Teksa kthehem pas në kohë, shoh që fëmijëria dhe jeta në një qytet aq të patë e me njerëz të shkëlqyer që bënin aq shumë për njëri-tjetrin si Lushnja ka ndikuar tek unë. Ishte një kohë me natyrë të mrekullueshme, me njerëz që nuk dinin të shihnin të keqen, dhe që shihnin te njëri-tjetri vetëm gjërat e bukura….

 

E kujtoni hyrjen për herë të parë në teatër?

Është një moment i paharruar, e kujtoj me shumë nostalgji. Më kujtohet imazhi im tepër modest…ndrojtja… Unë shkoja të recitoja dy poezi për të dhënë një provim në Liceun Artistik. Ishte fati im që në juri ishte një artist si Pandi Stillo, i cili siç duket pikasi tek unë një shkëndijë. Më dha më pas një ushtrim për ta realizuar, për të përmbushur mendimin për mua…Në teatër hyra si në provë dhe institucioni atëherë kishte vetëm pak vite jetë që ishte krijuar. Isha e parritur mirë. E duke qenë pranë teatrit m’u dha mundësia të bëja Liceun Artistik. Shkollimi ishte diçka tepër e vlefshme për mua si aktore më vonë, pasi aty mora një informacion të jashtëzakonshëm mbi kulturën. Nga rolet e para që i kisha role episodike e deri te rolet e dyta apo më pas rolet kryesore kam përfituar nga puna me regjisorë të shkëlqyer me të cilët kam punuar. Gjej rastin t’i falënderoj të gjithë ata që më dhanë mundësinë të interpretojë në role kryesore jo vetëm në dramaturgjinë kombëtare, por edhe atë klasike apo bashkëkohore.

Lidhja ime me punën ka qenë e brendshme, isha tepër e përkushtuar, duke besuar se vetëm puna të nxjerr në dritë. Te çdo personazh gjeja karaktere të ndryshme. Kur kalova të 40-at nisa të interpretoja më shumë personazhe të nënave. Dhe ato ishin personazhe të ndryshme, pasi dhe nënat janë të tilla, që i shprehin ndjenjat dhe karakterin sipas natyrës së tyre.

 

 

Një jetë e tërë në teatër dhe kinematografi, cilat kanë qenë vitet ku do doje të ndaleshe? Vitet më të bukura?

E quaj veten një grua me fat, pasi bashkë me karrierën time krijova dhe një familje të bukur. Kam pasur një bashkëshort artist Xhavid Xhepa. Ai ishte aktor, këngëtar, bashkëshort dhe një shok i mirë pune. Kishte një elegancë të hollë në shije dhe ishte juria e parë për çdo punë timen. E kemi ndihmuar njëri-tjetrin dhe kemi rritur bashkë tre djem. Më ka dhënë shumë lumturi familjare duke, ma bërë më të lehtë punën si nënë dhe grua. Kam pasur lodhje, por puna më ka shkëlqyer duke pasur në krahë një burrë të tillë…

 

Ju vjen keq që keni qenë aktore në një kohë kur arti ishte i censuruar… ?

Ky ishte fati ynë. Por edhe pse në kontroll, artistët tanë të mëdhenj kanë bërë art. Teatri ka pasur një repertor të shkëlqyer, janë ngjitur në skenë shfaqje madhore me nivel të arrirë artistik. Pasioni ndaj punës ishte i pakrahasueshëm, serioziteti me të cilën përfshiheshe në një rol ishte i madh. Ne e bënim punën me dashuri e nuk mendonim se sa para do të merrnin në fund të shfaqjes.

 

Kinematografia. Keni qenë po aq aktive në kinematografi sa dhe në teatër…

Mirënjohjen e parë për përfshirjen time në kinematografi ia dedikoj regjisorit Kristaq Dhamo. Një personalitet i padiskutueshëm në kinematografinë shqiptare, e kujtoj Dhamon që në vërejtjen e para që më bënte që në Lushnjë. Ai më besoi rolin e parë, pikërisht në vitet e para. Ishte një rol negativ. Unë kam pasur shumë pak role negative si në teatër ashtu dhe në kinematografi. Ishte zgjedhja e regjisorëve, që më njësonin më shumë me personazhet pozitive. Megjithatë, çdo rol është i rëndësishëm për aktorin. Ia di për faleminderit Kristaq Dhamos, që më futi në botën e kinemasë, pasi unë e dua njësoj si teatrin ashtu edhe filmin. Magjia e filmit për mua filloi me këtë rol. Me këtë regjisor kam punuar në dy filma, “Vitet e para” dhe “Gjurmët“, më pas nisa të angazhohem në filma nga regjisorë të tjerë.

 

 

Cilat kanë qenë rolet në kinematografi që kanë lënë mbresa te ju?

Janë disa role që më pëlqejnë. Janë 2-3 role nënash. Pasi unë isha mbi të 30—tat kur kam hyrë në kinematografi. Te filmi “Gjurmët” kisha rolin e një nëne, gruaje që i pëlqente jeta me kushte që ngjante pak me dëshirat e mia për një jetë të mirë, për të pasur ndoshta një fustan të bukur. Roli te “Pylli i lirisë” nën regjinë e Gëzim Erebarës, është një rol që dukej sikur e kisha brenda meje. Ishte jeta e dhjetëra grave myzeqare, një jetë të cilën unë e kisha brenda meje ashtu natyrshëm duke u rritur në Myzeqe, ato gra të dashura, ato nëna që harronin gjithçka edhe veten për fëmijët. Më kujtohet ende nëna ime e cila flinte e fundit pasi na vinte në gjumë, e zgjohej e para në mëngjes për të na bërë trahana. E mbaj mend në këmbë nënë time. Kështu ishin të gjitha nënat që e donin jetën dhe punën… Ishte ky model nëne që unë e realizova te “Pylli i lirisë”, e më vonë te “nëna” të tjera si te “Dimri i fundit”, ku gratë kërkonin të jepnin kontributin e tyre edhe në luftë. Është koha e pushtimit gjerman dhe në fshat kishin mbetur vetëm gratë të cilat luftojnë derisa partizanët e plagosur të strehuar në fshat të tërhiqen më thellë dhe bora të mbulojë gjurmët. Ato ecin me guxim drejt rrezikut për t’u çuar partizanëve të strehuar në pyll ushqime.

Një rol tjetër i dashur është ai i nënë Sandrës te “Tokë e përgjakur”. Një grua që mbart brenda saj shumë dhembje dhe që i vrasin të shoqin. Rolet e nënave kanë pasur gjithnjë dhembje, një dhembje që jam përpjekur ta jap duke futur në të dhe veten time, pasi shkojnë drejt këtyre roleve e ngarkuar me këto dhembje jete.

 

Teksa ktheni kokën pas në vite, ka ndonjë peng në jetën tuaj?

Kur isha e re, regjisori Mihal Luharasi donte të ngjiste në skenë “Elektrën” e Sofokliut. Nuk u pengua si shfaqje, por nuk ishin kushtet teknike për ta realizuar. Dhe pikërisht tani, në moshën  time të pjekurisë arrita të interpretoj mbretëreshën e Trojës, Eklubën.

Jam tronditur kur isha në Liceun Artistik e kam dëgjuar për herë të parë të flitej për antikitetin nga Xhemal Broja, një personalitet i teatrit, një njeri që ka kontribuar në teatrin shqip. Ai shpjegonte aq bukur historinë e antikitetit, e unë mendoja çfarë rolesh, çfarë tragjedish…a do të kem fat t’i luajnë ndonjëherë? A do të kemi fat ne artistët shqiptarë t’i interpretojmë? Dhe siç duket dëshira ime e brendshme më çoi drejt interpretimit të këtij roli kaq shumë të ëndërruar. Ma besoi regjisori grek, Vangjelis Theodhopulos, dhe e interpretova për herë të parë në teatrin “Melina Merkuri”, Virona –Athinë. Për atë rol harrova gjumin, pasi plotësova një peng në jetën time artistike. Jam vlerësuar me 3 çmime për atë rol e kam pasur shumë vlerësime nga kritika, regjisorë e aktorë grekë. Ky rol kaq i dashur më plotësoi një peng të madh. Por, pengje ka njeriu, por unë jam e kënaqur, pasi kam pasur fatin të interpretoj personazhe mjaft të bukura.

 

Si e sheh teatrin shqip tani?

E shoh që jemi ende shumë larg asaj çfarë duhet të jemi.

Kur kujtoj punën time dhe të brezit tim, aktorë e regjisorë të mrekullueshëm emrat e të cilëve janë aq shumë, si Mihal Popi, Loro Kovaçi, Kadri Roshi, Marie Logoreci, Drita Pelingu, Tinka Kurti, kur e kam parë për herë të parë Tinkën jam mrekulluar në skenë etj., që kanë sjellë role me aq karaktere dhe të papërsëritshëm. Ne ishim si ai kopshti me lule në teatër, që nuk e shoh më… Tani kënaqen me pak…Duhet të punojnë më shumë. Ta duan artin dhe të jenë modestë. Ta bëjnë çdo rol me angazhim e përkushtim të jashtëzakonshëm për të gjetur të fshehtat e artit, që janë aq të bukura e të vërteta sa dhe vetë arti. Një tjetër kritikë që kam është se mungon femra shqiptare në teatër. Ka shumë pak role për femrat shqiptare, përkushtimin dhe punën e tyre në dramat tona. Deri tani kanë qenë si një garniturë. Shoh që kemi femra tepër të arrira në punët e tyre, që flasin bukur, e punojnë fort. Virtytet e këtyre femrave nuk reflektohen në teatër. Ato që me mendjen e tyre të hollë dhe elegancën dinë të mbajnë familjet dhe të jenë po aq të zonjat sa burrat në jetën politiko-shoqërore. Duhet bërë më shumë për femrat, për këtë model të femrës shqiptare për ta hedhur në skenar. Edhe në Parlament shumë pak janë femra. Imagjino Kosova ka më shumë përfaqësim se ne. Ende ka probleme me mentalitetin për gjininë femërore, megjithëse televizionet kanë nisur të jenë më të hapura, duke na shfaqur femra të mençura që dinë të flasin e t’i thonë bukur mendimet e tyre…

 

Kur do ktheheni sërish në skenë?

Ah, nuk heq dorë nga skena. Rri tani në shtëpi dhe mendoj se mos po bie dera apo telefoni e është dikush që do më propozojë një rol. Por do nis të angazhohem shumë shpejt me një film me metrazh të shkurtër, pasi do jem në rolin e një nëne te “Taksia”  e Erand Sojlit, ku do të interpretoj bashkë me Tinka Kurtin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama