Sikur të mos ishte për atë të uruar dorë që duhet të qëndrojë e hedhur në allci edhe për disa javë të tjera, Margarita Xhepa do kishte fluturuar drejt skenës teksa u prezantua çmimi i saj si aktorja më e mirë joprotagoniste në filmin “Ne dhe Lenini”, në Festivalin e 13-të të Filmit Mbarëkombëtar Shqiptar. “Opo sy e ke, ta dish!”, - i thoshte duke qeshur nga krahu tjetër i telefonit mikja dhe kolegia e saj e vjetër Drita Pelingu, ditë pas atij gëzimi që e mbushi me jetë zemrën e aktores.
E mbase drejtë e kishte. Kishin kaluar gjashtë vjet teksa e priste këtë moment, kur të gjithë bashkë do mblidheshin në një eveniment të tillë, që më tepër sesa një garë e konsiderojnë një festë mes artistësh. Ndaj në këtë pritje Margarita nuk ishte e vetme.
“Mëso të thuash ndonjëherë Jo, mama!” – është vërejtja e përditshme që ka kohë që i bën i biri, aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa. Vetëm se ajo këtë premtim s’ia bën dot. Edhe sikur të donte, nuk do mund ta mbante. Ndaj nuk është pishman për asgjë, makar edhe për vizitën në Maqedoni ku edhe iu bë rrësk dora e thyer. Ajo me asgjë nuk do ta ndërronte atë udhëtim të bukur me Tinkën, Rozën etj, aktoret e vjetra, mikeshat e saj, si dhe pritjen e mrekullueshme të publikut aty. Thellë thellë, ai, më shumë se kushdo e kupton, dhe e di mirë se ajo nuk do të mund të t’i thoshte dot kurrë Jo artit, gjer sa të jetë në jetë. Ndaj nuk çuditet kur shpesh e gjen duke recituar poezi pafund. Secilës një rol, secilës një shpirt.
Kjo ndodh kur nuk ka asnjë skenar nëpër duar. Edhe sepse, aktorja e madhe që përfaqësoi çdo grua shqiptare në rolet e panumërt të nënave që ka luajtur, jeton çdo ditë me emocionin se një rol i ri do të jetë aty pas derës duke pritur të shpirtëzohet prej saj. Ndaj “kur bije zilja e telefonit, kur troket dera, unë pres të tringëllijë apo të trokasë një rol i ri, roli i një nëne, i një gjysheje, i një vjehrre... Asgjë që ka lidhje me artin nuk shuhet në shpirtin tim. Me këtë pasion do ndahem nga kjo jetë...”. Plot tetëdhjetë vite mbi supe, 62 vite karrierë artistike mbi 30 role kinematografik e shumë të tjerë në skenën e teatrit, një pasuri e tërë suksesi, dhjetëra e dhjetëra çmime e trofe, e njëjta buzëqeshje që ngjalli Ofelinë dikur, i njëjti zë i ngrohtë, të njëjtët sy të kaltër, vetëm se tani më të ndjeshëm ndaj kujtimeve që mallëngjejnë.
Kështu e takuam aktoren e madhe Margarita Xhepa, në një paradite të ngrohtë nëntori, në apartamentin e saj të vogël në Rrugën Mine Peza, teksa zbërthente monologun e një poezie të re. Rrethuar nga librat, trofetë, kujtimet...por mbi të gjitha nga pritja për të zgjuar emocionet e një roli të ri.
Znj. Xhepa, nuk kishit si t’i mungonit Festivalit të Filmit, i cili vinte pas gjashtë vitesh. Si do ta vlerësonit këtë aktivitet?
Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, janë bërë shumë aktivitete dhe një prej tyre në fushën e artit ishte Festivali i Filmit dhe Festivali i Teatrit që po zhvillohet këto ditë. E prita me shumë gëzim, sepse, edhe në rast se nuk kemi role, ne vemi i frekuentojmë, sepse kemi mall, nostalgji. E çojmë veten tonë midis atyre aktorëve, shihemi, takohemi. Sepse midis të tjerash, festivali për ne është një festë. Aty artistët takohen dhe kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më të nevojshme për ne. Kishim gjashtë vjet që e prisnim dhe kjo për arsye të prodhimit të pakët të filmave.
Ajo që të emociononte më shumë ishte pjesëmarrja e kaq shumë artistëve të rinj të dalë rishtas nga akademia. Më pëlqeu shumë prezenca e shumë emrave të rinj në këtë festival, të cilët merrnin pjesë me filma me metrazh të gjatë, por sidomos në ata me metrazh të shkurtër dhe me dokumentarë. Sa i takon organizmit që u bë në Kinema Milenium, do të toja se qe i përsosur. Mbresëlënëse ishte pjesëmarrja e publikut, salla ishte plot. Kjo tregon që spektatori ynë e do siç gjithmonë e ka dashur artin, filmin, teatrin, të cilët duan vetëm kushte që të arrijnë nivelet e duhura. Artistët duhet të punojnë me të njëjtin pasion që është punuar dikur, që ky respekt dhe kjo dashuri që ka publiku të shpërblehet, sepse në vetvete kjo dashuri për artin duhet të mjaftojë për të qenë frymëzim. Frymëzim për skenaristët, regjisorët dhe aktorët.
Ju merrnit pjesë me dy filma në këtë festival dhe me njërin nga rolet morët edhe çmimin e aktores më të mirë joprotagoniste. Si u ndjetë teksa publiku ju ripohoi edhe njëherë vlerësimin e tij?
Tek “Ne dhe Lenini” nuk e prisja çmimin. Jam befasuar shumë dhe jam gëzuar pa masë. I nderuari Ruzhdi Pulaha e shkroi “Streha e të harruarve” posaçërisht për moshën e tretë të aktorëve, që kishin dalë tashmë në pension, dhe ne e punuam atë me shumë dashuri. Disa prej aktorëve nuk jetojnë më, siç ishte dhe e madhja Violeta Manushi . Kjo ishte një pjesë që u prit me shumë sukses. Pastaj regjisori i mirënjohur dhe shumë punëtor Saimir Kumbaro ma besoi rolin. Unë e kisha luajtur këtë pjesë në teatër, por kur ma besoi edhe në film, unë u gëzova shumë. Ishte një rol që unë e kam punuar me shumë dashuri. Është dhimbja dhe drama e madhe që ka kjo grua, e cila përcjell një mesazh shumë të fuqishëm, sepse këto fatkeqësi njerëzore kanë ndodhur.
Për artistin, marrja e një çmimi nuk është thjesht gëzimi i atij momenti, por është shpërblimi moral i një pune të bërë me shumë dashuri e pasion, është mirënjohja e jurisë që të çmon, e regjisorit që të beson rolin dhe pastaj duartrokitja e spektatorit në sallë. Unë e ndjeva që ato duartrokitje ishin shumë të sinqerta. Kujtoj që me atë trofe në dorë, u ktheva me një gëzim dhe me një ecje shumë të bukur për në shtëpi.
62 vite karrierë artistike. Nëse do kthenit kokën pas ndër vite, çfarë do veçonit si të papërsëritshme?
Mbi të gjitha ishte një klimë të mrekullueshme ndaj punës. Ishte një brezi i artë artistësh dhe autorësh në Kinostudion e asaj kohe, ndaj besoj se ëndrra e të gjithëve ne tani është të përsëritet edhe njëherë ajo kohë. Dikur bëheshin shumë filma. Por mos të harrojmë që ne kemi punuar pa para. Unë s’mbaj mend të kem marrë një fletë lavdërimi nga Kinostudio, e jo më para. Por as nuk na shkonte ndërmend të kërkonim lekë. Vetëm rrogën në teatër merrnim. Unë edhe tani s’bëj dot pazare, nuk di kurrë të kem pyetur për paratë. Unë luaja në teatër gjatë ditës dhe pastaj shkoja xhiroja natën për filmin, ose kam xhiruar në film gjithë paraditen e në darkë kam shkuar në shfaqje. Dhe jo vetëm unë, por i gjithë brezi im. Flas në emër të tij. Ka qenë një brez i shkëlqyer. Dhe duhet pranuar nga të gjithë se filmat i kanë mbajtur aktorët e Teatrit. Sot nevojat, mungesat, financiare dhe morale, e kanë venitur këtë frymë bashkëpunimi, e kanë mposhtur pasionin...ndoshta jo krejt pa të drejtë...
Duke lënë mënjanë nostalgjinë, sipas jush, çfarë mund të bëhej sot për ta kanalizuar filmin dhe teatrin shqiptar drejt niveleve të dikurshme të prodhimit apo cilësisë?
Filmi sot ka probleme, shumë më shumë se teatri. Duke lënë mënjanë anën financiare, mundësitë minimale për realizim, mungesën e fondeve, vështirësitë që hasin regjisorët. Doja të ndalesha tek cilësia. Ne kemi aktorë të mirë, por ka problem baza kryesore, që është skenari dhe regjisorët. Regjisorët duhet të çohen jashtë dhe të marrin eksperiencë, madje edhe në teatër ne na mungon regjia si duhet. Mungon skenari i mirë, ka kohë që mungon. Unë do të bëja një thirrje, nga shpirti, me shumë dëshirë, të punojnë skenaristët.
Sepse ne kemi tema nga më të dhimbshmet, nga më të bukurat, nga më të mëdhatë, nga më të veçantat, që t’i trajtojnë në filmat tanë, në dramat tona, në komeditë tona. Njerëzit duhet të shohin veten e tyre, historitë e tyre, duhet të shikojnë sesi kanë ndryshuar zakonet e tyre, çdo gjë që i ngacmon dhe që bëhet e prekshme. Të njëjtën gjë do të thoja dhe për skenarët. Pse na pëlqen shpesh më shumë një skenar i huaj? Sepse autori ka ditur të sjellë të vërteta jetësore. Është e vërteta, mesazhi njerëzor që e ngacmon publikun. Unë mendoj se çdo artist kurrë nuk duhet të harrojë që filmin duhet ta bëjë në radhë të parë për shqiptarët. Kështu po që mund të thuhet se një pjesë goditi, kur ajo ndikon dhe kontribuon në ndryshimin për mirë të realiteteve tona.
Ju keni ngjitur në skenë jo pak role të suksesshme të kryeveprave botërore. Sot vlerësohet se kryeveprat klasike janë kthyer në një mollë të ndaluar për regjinë shqiptare dhe se kjo e fundit ka shumë probleme me vënien e tyre në skenë. Ju si do ta vlerësonit këtë fakt?
Kam pasur fatin të luajë katër herë Shekspirin. Si mund ta harroj Ofelinë...! Tani ato kohë duken kaq të largëta. Mundësitë janë gati zero, mungon ana materiale. Tani pjesët e huaja zgjidhen të kenë sa më pak personazhe, që të ketë sa më pak kosto.
Dikur merrej shumë nga dramaturgjia e huaj, dhe duhet të them se zgjidhej me mençuri. Ndërsa tani, duke mos pasur edhe anën financiare, merren drama të cekëta, biodrama me dy ose tre vetë e jo më shumë. Nuk merren dot më vepra të aprovuara që mbretërojnë në thellësirat e viteve, që vijnë nga kolosët e dramaturgjisë së huaj. Është për të ardhur keq...
Meqë jemi tek pjesët e huaja dhe tek kryeveprat. Pak vite më parë ju ngjitët në skenë Ekubën tek “Trojanët” e Euripidit. Çfarë kujtoni nga ai rol?
Me këtë pjesë të sjellë nga antikiteti, që mu besua nga Vangjeli Theodhoropulos, unë plotësova një ëndërr timen. Ishte një rol i jashtëzakonshëm, i cili mbante brenda vetes gjithë dhimbjen e Trojës. Ishin pesëmbëdhjetë shfaqje të suksesshme këtu në Tiranë, pastaj në Butrint, në Festivalin e Butrintit, pastaj edhe në Festivalin e Athinës. Ekuba ishte një ëndërr e hershme e imja. Por teatri i asaj kohe nuk pati mundësi teknike ta vinte këtë pjesë në skenë. Por më mirë që erdhi tani kjo mundësi, në pjekurinë time artistike dhe në moshën e Margaritës në moshën e rolit. Atë mund ta vlerësoj edhe si një nga rolet më impenjative. U përfshiva kaq shumë në të, sa mbaj kujtoj se edhe gjumin e braktisa. Ekuba ime e 2008-ës, nuk ishte thjesht Ekuba antike e Euripidit. Ajo ishte një Ekuba shqiptare, kishte brenda dhimbjen e gjithë atyre nënave që të paktën njëherë në jetë janë ndjerë si ajo.
Kë do të cilësonit si problemin kryesor sot tek artistët e rinj? Si do ta vlerësonit këtë kastë të re aktorësh e regjisorësh? Cili është niveli i tyre?
Akademia ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë aktorë e regjisorë të rinj mjaft të talentuar. Unë nuk e them dot asnjëherë se nuk ka më talente, nuk dalin më të tillë. Por pastaj, realiteti ku përplasen pas studimeve është i stërmundimshëm, pa suporte, pa motivime... Mes tyre, nuk mungojnë ata që deprimohen dhe i jepen zhgënjimit, sikurse nuk mungojnë ata që nuk dorëzohen dhe pranojnë të përpëliten e të përpëliten, bukur, pa u lodhur, në kërkim të mjeteve dhe rrugëve për të sjellë në dritë diçka të bukur. Dhe, megjithëse të pakët, ka nga ata që ia arrijnë. Por për të bërë të tilla sakrifica, duhet vërtet ta kesh të pamat dashurinë për artin. Është kjo e fundit mbi të gjitha, jo shkolla. Në kohën time kemi qenë të gjithë me shkollë të mesme, teatri u bë shkolla jonë, aty mësuam, aty u rritëm, aty kultivuam dashurinë për skenën dhe artin.
Një dashuri që nuk njeh moshë, njësoj si vetë ajo. Një dashuri e shpërblyer mund të thuash. Dhe për ta kuptuar këtë mjafton të hedhësh sytë nga një kënd i vogël aty në sallon, ku nanurisin çmime e medalje pafund. Teksa i sheh ajo mbushet me nostalgji dhe zë e bisedon me ta. Prandaj nuk ndihet vetëm, edhe kur është vetëm. Janë aty rolet e dashur, dialogët, monologët, kolegët, duartrokitjet e kaq brezave që ende e duan në skenë.
Largohemi nga salloni i ngrohtë me aromë mollësh, për t’ia lënë vendin një tjetër trokitjeje, kësaj radhe ndoshta për një rol të ri.