Artiste e Popullit” i shkruar nga skenaristja e njohur e filmit dokumentar Angjelina Xhara Papalito. Pak ditë pasi u njoh me librin kushtuar asaj, aktorja tregon për gazetën se është një libër i punuar me shumë dashuri, dhe një botim ndryshe nga të tjerët. “Ky është një libër i vogël për biografinë dhe tërë krijimtarinë time, por është një libër ndryshe, konçiz dhe mbi të gjitha i sinqertë dhe i shkruar me plot dashuri nga Angjelina”, tregon aktorja. Libri me titull “Margarita Xhepa, Artiste e Popullit” sjell pranë lexuesve momentet më të veçanta të jetës së aktores, ndërsa vetë ajo kujton me mall ditët kur punonte në Kinostudio. “Libri ka biseda me aktorë të ndryshëm, ka foto të miat. Angjelinën e kam njohur para shumë vitesh, ishte në moshë të re kur jepte lajmet në TVSH, por kemi qenë edhe fqinje. Vite më vonë patëm rastin të takoheshim në Greqi, ku unë pata fatin të luaja disa role. Mbaj mend se ajo mu afrua me dashuri dhe ne biseduam sëbashku, por si pa kuptuar bisedat tona i kishte hedhur në letër. Unë e pranova me kënaqësi që Angjelina të shkruante një libër mbi kujtimet e mia të sinqerta, sepse ajo falte vetëm dashuri”, pohon aktorja Margarita Xhepa. Vetë autorja e librit Angjelina Xhara Papalito shprehet se që e vogël kur punonte në radio e ka adhuruar aktoren. “E mbaj mend si tani kur dëgjoja të mërkurën në orën tetë “Lulet e mollës”, atë figurë fantastike dhe kur isha adoleshente Margarita ka luajtur “Ofelinë”.
Që nga ajo kohë e kam ndjekur me pasion të madh dhe të jashtëzakonshëm të gjitha rolet e saj. Në kohën e Kinostudios kemi qenë afër, ku Margarita ka realizuar shumë role të veçanta. Një arsye tjetër se pse unë vendosa të bëj një libër mbi Margaritën ishte edhe fakti se ishim fqinje”, pohon autorja e librit Papalito. Libri “Margarita Xhepa, Artiste e Popullit” u prezantua të mërkurën në mjediset e AQSHF, ditë që iu kushtua krijimtarisë në dokumentar të skenaristes Angjelina Xhara Papalito. Me sa duket skenaristja tashmë i është përkushtuar edhe të shkruarit, pasi pothuajse ka gati librin “Personalitete femërore shqiptare në kinematografi”, ku do të flitet për disa nga ikonat e filmit dhe teatrit shqiptar si: Tinka Kurti, Roza Anagnosti, Marjeta Larja, Yllka Mujo, Elvira Diamanti, Suela Konjari, Luiza Xhuvani e shumë emra të tjerë.
Xhepa, aktorja që trondit skenën
Numri i roleve që ajo ka në skenën e Teatrit Kombëtar apo në kinematografi të lënë të kuptosh se sa shumë i ka dhënë skenës dhe filmit shqiptar Margarita Xhepa. Me dekada në skenë, ajo mbart me vete dhjetëra role, të cilat kanë lënë ndjesi të jashtëzakonshme te publiku. Disa nga rolet e aktores në dramaturgjinë shqiptare,që kanë ngelur të paharrueshëm për publikun janë Filja tek “Cuca e maleve” e Loni Papës, zonja Meme tek “Kush e solli Doruntinën” e Piro Manit dhe Edmond Budinës, Majlinda tek “Majlinda” e Xhemal Brojës, Dafina tek “Lumi i vdekur” e Jakov Xoxës, Nëna “Përballe vetes” e Ruzhdi Pulahës etj. Nga dramaturgjia botërore do të veçojmë interpretimet e saj në rolet e Kleas tek “Dhelpra dhe rrushtë” e Ezopit, Dados tek “Elektra” e Sofokliut, Ofelisë tek “Hamleti” i Shekspirit, Ledi Milfordit tek “Luiza Miler” e Shilerit etj, ndërsa interpretimi i saj në veprën “Trojanet” trondit dhe skenën e teatrit. Veç roleve në teatër, ka dhënë dhe një kontribut të çmuar në kinema, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Ka interpretuar në filmat "Vitet e para", "Gjurmët", "Dimri i fundit", "Tokë e përgjakur", "Një djalë edhe një vajzë", "Apasionata", "Gjeneral gramafoni", "Rrethi i kujtesës", "Vitet e pritjes", "Dora e ngrohtë", "Gurët e shtëpisë sime", "Pranvera s'erdhi vetëm", "Koncert në vitin 1936", "E diela e fundit", "I dashur armik" etj.