Margarita Xhepa sic nuk e keni njohur

Margarita Xhepa, sic nuk e keni njohur

Filmi dokumentar “Margarita” i përgatitur në 80-vjetorin e lindjes së saj, u shfaq mbrëmë premierë në Teatrin Kombëtar, në skenën ku aktorja e njohur mban peshën e më shumë se 150 roleve. Dokumentari ka firmën e regjisorit të shquar të dokumentaristikës shqiptare, Mjeshtërit të Madh, Kujtim Gjonaj. Angjelina Xhara është skenaristja e këtij filmi, që erdhi deri këtu nga përvoja e gjatë dhe e suksesshme në filmin dokumentar, por edhe si autorja e librit të parë për Artisten e Popullit, Margarita Xhepa. Bashkëpunimi krijues mes autorëve kryesorë të filmit, duke përfshirë këtu edhe kamerën shprehëse të operatorit Kristaq Janushi, solli në ekran një film dokumentar, që do të radhitet krahas filmave më të mirë të realizuar nëpër vite në gjininë e filmit dokumentar.

 

Vetë regjisori Kujtim Gjonaj tregon vështirësinë e realizimit të këtij filmi, sepse kishte një det materialesh fotografike, kinematografike, skenike, që duhej futur brenda një dramaturgjie të caktuar, duke u kombinuar me xhirimet në vende të ndryshme, të cilat do të përfshinin në mënyrë emocionale jetën artistike dhe jetën familjare e shoqërore të artistes. U gjet çelësi dramaturgjik, poetik dhe emocional për të dhënë një jetë të shquar artistike vetëm në 50 minuta.

 

Një mjellmë, një margaritë, një gjethe, një shtëpi e thjeshtë në Lushnjë, Divjaka, Akropoli i Athinës, zëri i saj poetik e drithërues, janë përdorur falë skenarit origjinal e dramaturgjisë regjisoriale të veçantë, për ndërtimin e një vepre  artistike me  emocionalitet të lartë. Ky është filmi me titullin e thjeshtë “Margarita…”. Filmi ia arrin qëllimit duke u përçuar te spektatori talenti i padiskutueshëm i saj në skenë, në ekran dhe në interpretimin e poezisë. “Një film i bërë me dashuri të madhe për një artiste të madhe…”, – thotë mjeshtri i filmit, Kujtim Gjonaj. Gjuha e zgjedhur filmike me intensitetit të vërtetë emocional është fryt i një bashkëpunimi të mirë të të gjithë komponentëve krijues, sidomos regjisë, skenarit, kamerës, përfshirë këtu edhe muzikën e zgjedhur në sfond nga Majlinda Bërxolli, montazhin e spikatur të Lulzim Sulës dhe organizimin e përkryer të producentit Genti Gjonaj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama