Mario Gece largohet nga Bajerni ofertat nuk i mungojne

Mario Gëce largohet nga Bajerni, ofertat nuk i mungojnë

Më në fund vendoset e ardhmja e yllit gjerman, Mario Gëce. Mesfushorit gjerman i skadon kontrata në qershor të vitit 2017 dhe Bajerni vendosi përfundimisht të mos rinovojë me të. Para Europianit ndodhi një përplasje verbale mes Gëces dhe bosit të Bajernit, Rumenige. Ky i fundit pohoi indirekt që Mario Gëce nuk është në planet e trajnerit. Nëse Gëce dëshiron të qëndrojë në stol, atëherë është zgjedhja e tij.

Bayern Munich Mario Götze refuses to celebrate

Gëce ikën

Ndërkohë, mesfushori gjerman Mario Gëce zhvilloi një Europian për t'u harruar. Ndryshe nga Botërori në Brazil para dy vitesh, 24- vjeçari nuk shkëlqeu në Europianin e Francës ku luajti vetëm një ndeshje nga minuta e parë. Pas skualifikimit në gjysmëfinale, gazeta "Bild" ka zbuluar se Mario Gëce ka përcaktuar të ardhmen e tij. Sipas gazetës gjermane, Gëce ua ka shprehur disa shokëve të tij në kombëtare që do largohet nga Bajerni, por nuk ka zbuluar se cili klub do jetë destinacioni i radhës.

Ofertat

Sipas mediave të huaja, Mario Gëce kërkohet nga katër skuadra. Me shumë mundësi e ardhmja e tij do të jetë jashtë Gjermanisë. Edhe pse Dortmundi këmbëngul për ta rikthyer në gjirin e saj, përsëri nuk shihet si alternativa favorite, për shkak të raportit jo të mirë me tifozët verdhezi si dhe pagës. Gëce ishte një ndër lojtarët më të paguar te Bajerni. Ai përfitonte 12 milionë euro në Mynih.

Dortmundi nuk është në gjendje të paguajë kaq shumë për një lojtar si Gëce, pasi për këtë arsye lejoi të largoheshin Humels, Gyndogan dhe Mikhitarjan. Teksa favorit ishte Liverpuli, në garë janë futur seriozisht Totenhemi dhe Juventusi. Përveç Gëces, Bajerni do largojë edhe qendërmbrojtësin Mehdi Benatia, i cili ka zgjedhur Juventusin.

Përgatiti: ENIAR IBRO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama