Përse ka ende pak femra që punojnë dhe drejtojnë në industrinë e teknologjisë së lartë?
Epo, është një realitet që unë e kam shumë për zemër ta ndryshoj. Unë e dua teknologjinë dhe nuk mendoj se ajo duhet të nënkuptojë vetëm një gjini të caktuar. Mendoj se në këtë fushë shumë interesante dhe shumë të rëndësishme të zhvillimit shoqëror ka ende shumë-shumë për të bërë dhe se kontributi në këtë rast do të vijë si nga meshkujt, ashtu edhe nga femrat. Nuk ka arsye pse të jetë ndryshe. Kam parë rezultatin e disa studimeve dhe sondazheve, sipas të cilave flitet për rezultate të shkëlqyera dhe në masë të femrave në shkollat fillore, ato të mesme dhe në universitet në lëndët e shkencës, veçanërisht në informatikë dhe fizikë.
Për sa më takon mua, mendoj se kam qenë me shumë fat. Kam pasur gjithmonë dhuntinë e të qenit shumë e mirë në matematikë e më pas, edhe në fizikë, kimi dhe të gjitha lëndët e tjera shkencore me të cilat jam përballur gjatë viteve të shkollimit. Për shumë kohë nuk e kuptoja se një gjë e tillë nuk ishte shumë e dëshirueshme dhe se në njëfarë mënyre, tek disa kisha shkaktuar një reagim negativ.
Kësisoj, një nga gjërat që kam më për zemër është ndihma që mund të jap në heqjen e mentalitetit të vjetër dhe aspak produktiv, që shkencat ekzakte i lidh vetëm me të qenit mashkull dhe çdo femër që shfaq aftësi në këto fusha konsiderohet si një “çudi” dhe diçka jonormale, jashtë normës dhe si pasojë paragjykohet, në më të mirën e rasteve. Është fakt se mund të jesh një matematiciene e shkëlqyer, ndërkohë që je edhe një femër në tërë kuptimin e fjalës, që mund të bësh të gjitha gjërat që bëjnë dhe pëlqejnë femrat e moshës tënde, të kesh histori dashurie, të shkosh në mbrëmje dhe njëherazi, të jesh një teknologe e mirë.
Cila është përqindja e femrave që punojnë në “Silicon Valley”?
Shkon diku te 15-17% në zonat teknike, por në “Google” ne jemi ndjeshëm më shumë dhe si pasojë, e rrisin këtë përqindje shumë ndjeshëm. Në kompaninë tonë femrat inxhiniere, madje disa prej të cilave në poste shumë të larta drejtuese, kapin shifrën 10% të punonjësve.
A përpiqet seriozisht kompania juaj për të rekrutuar femra që janë të afta në këtë profesion, apo si të gjitha kompanitë e tjera e lidh aftësinë teknologjike me përkatësinë gjinore?
Unë personalisht kam qenë inxhinierja e parë femër që është punësuar nga “Google”. Dhe, menjëherë pasi më intervistuan, Larry Page dhe Sergey Brin, dy krijuesit e “Google” dhe aktualisht pronarët e mi më thanë: ”E di që kemi deri më tani 7 inxhinierë dhe ata janë të gjithë djem. Por prej kohësh, duke qenë se duam një kompani krejtësisht të re edhe në mentalitet, po kërkojmë femra të afta në inxhinierinë kompjuterike. Për ne është shumë e rëndësishme që në një vend pune, nëse shefat kërkojnë suksese dhe rezultate të larta në punë, duhet në radhë të parë të kenë vendosur një balancë mes gjinive që punojnë. Ndaj, për ne është shumë e rëndësishme që të kemi një grup të fortë femrash të zonja, veçanërisht në fushën teknike. Ne e bazojmë suksesin tonë shumë edhe tek pjesëmarrja e tyre”.
Kështu më thanë mua, dhe kjo është një politikë që shefat e mi e kanë ndjekur vazhdimisht dhe mund të them me shumë sukses. Gjatë punës sonë, ishte një moment kur na duhej që të rekrutonim inxhinierë të rinj. Erdhi një pikë kur kishim 16 inxhinierë meshkuj dhe në këtë moment Larry tha: ”E dini çfarë? Më erdhi në majë të hundë me gjithë këta meshkuj. Tani e mbrapa duhet që pjesa tjetër e të punësuarve të jenë femra”. Dhe, ky ishte momenti kur nisëm që të kërkonim për femra të zonjat në këtë profesion, dhe për çudinë tonë gjetëm shumë femra me CV të mrekullueshme dhe me aftësi të jashtëzakonshme në teknologji. Dhe si për çudi, bëhej fjalë për vajza shumë të reja dhe shumë femërore, me një mendje të bukur po aq sa edhe fytyra apo trupi i tyre. Kur i punësuam, e kuptuam që kishim bërë zgjedhje shumë të mira, sepse ato u ambientuan menjëherë dhe nisën që të krijonin një ambient shumë pozitiv dhe miqësor, dhe mbi të gjitha të zbusnin dhe përmirësonin gjithçka. Pra, është shumë e rëndësishme që pronarët dhe krijuesit e bizneseve të ndryshme ta kenë shumë mirë parasysh balancën gjinore në kompanitë dhe ndërmarrjet e tyre, nëse do të duan që punët të ecin mirë. Dhe për fat të mirë, sot ka shumë femra të kualifikuara në të gjitha fushat dhe veçanërisht në subjektet shkencore.
Kur studionit në Wsconsin, kur e kuptuat se donit që të punonit me kompjuterë?
Unë në të vërtetë doja që të bëhesha mjeke, deri sa në vitin e fundit para universitetit e kuptova se isha shumë e mirë në kimi dhe në biologji dhe se këto fusha më joshnin shumë dhe më sfidonin pa masë, më shumë se të tjerat. Më pas ndoqa një kurs kompjuterësh, para se të shkoja në universitet, dhe ndjeva që rashë menjëherë në dashuri me informatikën. Çdo ditë dilte një problem i ri për t’u zgjidhur, një përvojë e re tërheqëse dhe kjo më pëlqente pa masë. Ishte një sfidë me gjëra të reja dhe shumë interesante, të cilat doja t’i përvetësoja dhe në të cilat doja që të thellohesha. Alogoritmat më pëlqenin pa masë dhe më pëlqente që t’i zhvilloja vetë. Ishte diçka që më tërhoqi pa masë dhe m’u duk shumë interesante.
Pra, në shkollën e mesme nuk keni qenë një “gjeni” kompjuteri?
Javën time të parë të shkollës së lartë në “Stanford University” bleva një kompjuter, dhe ishte kompjuteri i parë që e kisha tërësisht timin. Ishte e vështirë fillimisht për mua gjithçka, madje edhe vetë përdorimi i mausit. Çudi, sepse për shumë njerëz mausi është shumë intuitiv. Ndërsa, për mua nuk ishte ashtu. Ishte i vështirë. Me kalimin e kohës u familjarizova dhe veçanërisht pata një interes të veçantë kur nisëm që të mësonim për një program të quajtur “sistemet simbolike”, që ka të bëjë me psikologjinë, psikologjinë e njohjes, linguistikën dhe shkencën e kompjuterëve.
Në këto kurse ju ishin femra e vetme që studionit?
Kur bëhej fjalë për kurset e informatikës së lartë, aty ku mësohen gjuhët e vështira të programimit, për shumë kohë kam qenë femra e vetme. Në fakt, këtë e kuptova një ditë shumë rastësisht ndërsa isha duke lexuar një revistë, një reportazh që një gazetar kishte bërë për klasat e larta të informatikës në universitetin tonë. Në këtë listë figuroja vetëm unë femër. Pikërisht aty e kuptova që kisha qenë e vetmja mes shumë meshkujve për shumë kohë.
A keni menduar ndonjëherë gjatë viteve të studimit apo edhe gjatë viteve të punës, se disa nga pengesat që mund të keni hasur nuk do t’i kishin hasur nëse do të kishit qenë mashkull?
Jo, nuk mund të them se kam pasur pengesa thellësisht të natyrës femërore. Unë kam pasur vazhdimisht mbështetjen e të gjithëve, kolegëve, profesorëve. Madje, profesori im i parë i lëndës së informatikës në universitet, pas provimit të parë për kontrollin e lëndës, më mori mënjanë dhe më tha: ”A e di se ti je me të vërtetë shumë e mirë në këtë lëndë. Mund të shkosh shumë larg në karrierë, dhe unë jam këtu për të të mbështetur në çdo lloj sfide që do të të dalë përpara”.