Mark Zuckerberg Njeriu i vitit sipas Time

Mark Zuckerberg, 'Njeriu i vitit' sipas 'Time'
Ai ka kohë që konsiderohet si një gjeni, si një djalë që shndërroi një hobi të tijin në një korporatë të vërtetë, në njërën prej shpikjeve më të suksesshme të teknologjisë së internetit të epokës sonë, “Facebook”. Për të gjitha ndryshimet që ky rrjet social ka sjellë këto vite në jetët e njerëzve, krijuesi i tij, Mark Zuckerberg është shpallur nga revista amerikane “Time”, si “Njeriu i vitit”.

Beteja e Markut, e fundit ndër betejat e shumta që ai ka fituar në jetën e tij ende shumë të re, ishte një betejë të cilën ai e “kryer” me një emër tjetër shumë të rrahur kohët e fundit, Julian Assange, themeluesin e ‘Wikileaks’, i cili aktualisht ndodhet ende në burg, në Londër. Assange ishte ndër më të favorizuarit e listës së sivjetshme të këtij nominimi, për shkak të ndikimit që ka pasur në të gjithë botën, veçanërisht në diplomacinë ndërkombëtare, me publikimin e dokumenteve në sajtin e tij. Mark, sipas traditës, është shfaqur në kopertinën e revistës si edhe shumë të tjerë para tij, përfshi emrat më të shquar dhe të famshëm të këtyre 100 viteve të fundit.

26-vjeçari është më i riu në moshë që ka fituar një titull të tillë, i cili zakonisht i jepet njerëzve që kanë një moshë të caktuar. Këtë titull e ka fituar për mënyrën e jashtëzakonshme me të cilën ka ndikuar në kulturën sociale dhe në përhapjen e  lajmeve në një komunitet shumë të madh njerëzish në të gjithë botën. Bëhet fjalë për një ndikim, që ka qenë veçanërisht i madh vitin e fundit, edhe pse “Facebook” ka disa vjet që është online. Por, ky vit i dha këtij sajti social spektrin e sajtit më të frekuentuar në të gjithë botën, ndërkohë që ai rivalizohet ndjeshëm nga një tjetër sajt social po aq i suksesshëm, “Twitter”. Sigurisht që ka edhe të tjerë sajte që synojnë të kenë një pjesë të vëmendjes së njerëzve, por kurrsesi të arrijnë suksesin e jashtëzakonshëm të shpikjes së djaloshit 26-vjeçar. Mark ka mundur në konkurrimin e sivjetshëm edhe Mbretëreshën e Anglisë, e cila e fitoi titullin dhe kopertinën e revistës “Time” kur ishte 26 vjeç, pra vetëm disa muaj më e madhe në moshë se Mark, në vitin 1952.

Zuckerberg konsiderohet jo vetëm si një nga miliarderët me moshë më të re në botë, një nga ata miliarderë që e kanë arritur gjithçka falë punës së tyre dhe jo nga trashëgimia, por edhe si një nga filantropët më të mëdhenj, edhe pse bëhet fjalë për një mision të cilin ai e ka nisur para pak kohe. Në fillim të këtij viti ai ka vënë në dispozicion të arsimit 100 milionë dollarë, që do të lëvrohen për një periudhë 5-vjeçare dhe do të shkojnë të gjitha në dobi të përmirësimit të sistemit të shkollimit. Për sa i takon pjesës që ai ka në “Facebook”, ajo është një e katërta e aksioneve të sajtit social më të fuqishëm dhe më të frekuentuar në botë. Ishte ky djalosh që e shndërroi “Facebook” në një rrjet social ndërkombëtar, në një fenomen që ka bërë bashkë shumë njerëz nga të gjitha kontinentit, që ka lidhur njerëzit me të njohurit, miqtë dhe të afërmit e të shkuarës së tyre, dhe që mbi të gjitha, ka krijuar një sistem informimi përmes mundësisë për të paraqitur linke, foto dhe video në hapësirat e sajtit. “Jam duke u përpjekur që ta bëj botën një vend më të hapur, më të vogël për sa i përket shpejtësisë së komunikimit mes njerëzve që ndodhen në pjesë të ndryshme të saj. Ideja për krijimin e këtij sajti i lindi djaloshit në dhomën e tij të studimit, në Harvard dhe tashmë ai është shndërruar në vendin ku takohen virtualisht 500 milionë përdorues, dhe që ka një vlerë disa miliardëshe. “Facebook” u bë së fundi edhe tema e një filmi të ndërtuar dhe bazuar tek jeta dhe vitet e krijimit të këtij sajti nga ana e Markut, një film që për hir të së vërtetës, nuk jep një portret shumë të mirë të djaloshit, duke lënë të kuptohet se ai ka bërë edhe plagjiatura dhe se qëllimi i vërtetë i krijimit të rrjetit ishte që ai të lidhej me sa më shumë vajza, duke qenë se ishte i pasuksesshëm me to.

Për sa i përket njoftimit të revistës “Time”, ai u bë dje në televizor nga botuesi i saj: “’Facebook’ është bërë njësh me jetën sociale amerikane dhe është një sajt që reflekton edhe vetë transformimin e madh që kanë pësuar njerëzit këto vitet e fundit në mënyrën e lidhjeve dhe marrëdhënieve njerëzore, në mënyrën e komunikimit dhe të të bërit biznes. Thuajse gjysma e popullsisë amerikane është përdoruese e ‘Facebook’, pra ka një profil në këtë sajt. Për këtë arsye, Mark, djaloshi që na solli në këtë situatë globale shumë interesante, meriton më shumë se askush këtë vit që të marrë titullin e çmuar të revistës”, - është shprehur ai. Puna e Mark ka filluar 7 vjet më parë, dhe që nga ajo ditë ia ka dalë që të bëjë bashkë në një rrjet të vetëm, më shumë njerëz se asnjë fenomen tjetër i kohëve moderne.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama