Marksi ne thertore

Marksi ne thertore
Armando Lulaj është lindur në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Mjedisin e një shoqërie social -komuniste do duhej ta njihte nga nuhatja fëminore. E në të vërtetë, janë disa punë të tijat që synojnë të trajtojnë të kaluarën në mënyrë analitike e me një emocion tronditës, të egër që prodhon gjuha vizuale.

Me video instalacionin "Pasion" 2007, prezantuar në Galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore në Akademinë e Arteve në Tiranë, në kuadër të ekspozitës "Çfarë i ndodhi Gjeneralit?" ai prodhon një shok vizual, me shenja të dhunës. Rrëfimi i Armandit ndodh në një thertore. Në një banjë gjaku të trash e të ngrohtë lahet "Kapitali" i Karl Marksit. Kasapi bën një lexim linear të pasazheve nga vepra kapitale e marksizmit dhe me rropullitë shkëlqyese të bagëtisë lyen pa teklif faqet dhe bisedon me zëra burrash që nuk shfaqen, për Marksin dhe Enverin, ç'ishin ata dhe koha e tyre.

Kjo histori shfaqet në njërën anë të ekranit, ndërsa në anën tjetër projektohet një imazh statik: gishti i madh i vendosur mbi sfond të kuq, që duket si një tru i thjeshtuar njerëzor zbulon dalëngadalë germat KAPITAL. Filmi projektohet në një dhomë të errët të ftohtë. Biseda që bëmë me Armando Lulajn, në distancë, trajton këtë operacion abstrakt të ideve mbi Komunizmin, masat dhe rolin e elitës intelektuale në shoqërinë shqiptare.

Armandi jeton në Itali. Është fitues i edicionit "Onufri" të vitit 2006 me videon "Time out of Joint" realizuar në Sharrë. Ka një përvojë me institucionet shqiptare të kulturës që i kanë lënë atë shije për të cilën flet në fund të intervistës.
Puna është radhës ka në shenjë Gërdecin.

Çfarë ju nxiti në vitin 2007 të realizonit "Pasionin"? Në vitin 2007 isha i ftuar në Bienalen e Pragës. Seksioni ku merrja pjesë mbante titullin "Der Prozess". Kuratori duke u nisur nga libri i Franz Kafkës (Procesi), kish ndërtuar një koncept kuratorial, ku gjyqi nuk i bëhej më zotit K, por Komunizmit.

Unë realizova projektin "Passion" që përbëhet nga një dopjo film-projeksion dhe nga një tavolinë ku nën xham ndodhen të ekspozuar vëllimet e "Kapitalit" të Karl Marksit të lyera me gjak. Kisha kohë që punoja mbi "Kapitalin", ndërkohë që anembanë globit vazhdon të rrezatojë ideja e një rishikimi të teorive të Marksit apo të komunizmit, në periudhën e vështirë të demokracisë neoliberiste.

Duhet thënë që kur ky libër doli në qarkullim, ishte e vështirë të kuptohej nga masat e thjeshta. Libri i leverdisi më shumë një shtrese të pasurish për të implementuar idetë e tyre në shoqëri dhe rezultatet apo devijimet i shohim qartë në ditët e sotme.

I pari që tentoi të bëjë një film për "Kapitalin" ishte Sergei Eizenstein. Më 1928 ai shkroi një trajtim rreth 14 faqe, duke ju referuar librit të Marksit, por rezultoi ide e dështuar që në hapat e para. E rëndësishme për Eisensteinin ishte trajtimi kundrejt librit, e cila nuk niste më si një analizë politiko-sociale mbi shoqërinë, por si një roman nga i cili mund të dilte fare mirë një histori.

Në projektin tim "Passion", më interesonte që ta reduktoja teorinë materialiste në një organizëm fizik, në një prove dokumentuese mbi historinë e kaluar dhe mbi traumat që la pas, por mbi të gjitha të rezultonte një kalim në kohë, për të trajtuar të drejtat e ndrydhura që na parashtron shoqëria e sotme demokratike.

Video-instalacioni ka një anë të kohës statike dhe anën tjetër ku "ndodh" ideja jote në thertore. Është ai kalimi në kohë ku i referohemi të kaluarës dhe të tashmes. Instalimi është shume statik dhe vëzhguesit duhet të rrotullohen në dy skajet e dhomës për të parë filmin.

Në anën e prapme shohim një person rreth 45 vjeç, që në film nuk ka emër, por mbart perceptimin e një gjenerate të tërë, - është njëri nga masa ose masa vetë. Në anën e përparme çka shohim është vetëm një gisht (gishti i madh i dorës së djathtë) i cili më pas i gjakosur, ngjyros germat që përbëjnë fjalën "K.A.P.I.T.A.L".

Ka diçka prej flijimit ky film. Madje që në titull: Passion si kuptimi religjioz i fjalës mundim; mundimet e Krishtit deri në kodrën e kryqëzimit; pastaj qengji, gjithashtu një simbol i religjionit të krishterë. Kam patur në mendje disa ide të cilat kërkoj t'i përcjell në trajtimin e filmit i cili është konceptuar si një ide dhe jo vetëm si imazh që i përcillet shikuesit, për të gjeneruar debat letrar, social e filozofik.

Kjo të paktën është ideja ime mbi filmin "Passion", e cila del qartë me anë të leximit, veprimit dhe peshimit të librave. Kur ekrani bëhet totalisht i zi, shfaqet një peshore elektronike mbi të cilën vendosen librat e gjakosur, te cilët pas leximit dhe thithjes së gjakut transformohen thjesht në një objekt që peshon sa një çerek kile mish. Ndonëse fundi ngelet enigmatik ku nuk kuptohet qartë në kemi të bëjmë me peshim të fajeve të së kaluarës apo të revolucioneve në emër të kapitalit, apo të viktimave që kapitali i ditëve të sotme prodhon. Ajo që na mbetet është ideja e mendimit dhe e reagimit, pas fakteve të shumta që na ka dhënë e na jep historia.

Më shumë se për flijim, që ç'është e vërteta ndodh në film, unë do të flisja për eliminim e shfarosjes që bëhen në emër të ideologjive ose të pushtetit.

Nga ana tjetër bagëtia në thertore dhe Kapitali në thertore sugjeron një metaforë për turmën dhe indoktrinimin e saj. Padyshim! Mjafton të marrësh pjesë në mitingje dhe mbledhje të organizuara nga parti që qëndrojnë dhe nga ato që duan të marrin pushtetin, për të kuptuar këtë metaforë. Në mbarë botën ekziston një figurë të cilën unë e quaj "politicalintellectual", figurë e cila në Shqipëri duket sikur mungon.

Një miku im filozof më fliste njëherë, se fajin në zhdukjen e kësaj figure nuk e ka masa apo vetë politika, por e kanë intelektualët e një kombi, të cilët në vendin tonë janë shuar porsi xixëllonjat që nuk i shohim më. Pra "gjyqi" që duhet bërë sot, duhet të jetë edhe mbi figurat që duhet të mbajnë fort boshtin e vendit, duke reaguar mbi padrejtësitë që shohim çdo ditë.

Por në qoftë se do të dilnin në "gjyq" si të akuzuar intelektualët, kush do të ishin paditësit apo mbrojtësit? Miku im filozof shkonte edhe me tej duke thënë: "Një kothere buke për gazetarin investigues e për intelektualin."

Historia, një përvojë nga e cila njerëzit nuk mësojnë kurrë. Këtë thua kur dëgjon bashkëbisedimin e burrave në film. Gjuha e tyre është e njohur tek ne, justifikimi: ashtu ishte koha, nuk ka faj Enveri, as Marksi. Filozofë si Jacques Derrida, Alain Badiou apo Slavoj Zizek, tregojnë mjaft mirë atë që ndodh disi në film. Personazhet thërrasin në kauzë Enver Hoxhën apo Karl Marksin, si të ishin fantazma me të cilët akoma flasin ose i referohen. Pra ajo që vëmë re është përsëritja e të vdekurve të kthyer në fantazma.

Prezenca e tyre ripërsërit vizitën si për të na treguar dhënien e një premtimi. Në të njëjtën mënyrë sipas filozofëve të sipërpërmendur, ideologjia komuniste vazhdon t'i vijë qark Europës si një fantazmë që kërkon diçka. Dhe unë do të shtoja: Një fantazëm që kërkon të mbajë një premtim! Një paralelizëm i qartë vjen nga "Hamleti" i Shakespear-it, ku fantazma e të atit ju shfaq për të kumtuar një krim, për të kërkuar gjakmarrje, për të kërkuar një përmbysje dhe për të vënë drejtësi.

Por edhe gjatë kohës së komunizmit u gjet një justifikim mbi tragjedinë. Pra u gjet njëfarë ngushëllimi që thoshte se komunizmi ishte i drejtë, por degjeneroi, dhe se Lenini mbetej i shenjti i ideologjisë, ndërsa Stalini bëri detin e kuq. Ndonëse gjatë revanshit të historisë së kaluar si Lenini, si Stalini e si Hoxha, ishin të mbrapshtë, një ngushëllim mbetet gjithmonë: Karl Marksi me gjithë fantazmat që përbëjnë filozofinë e tij.

Pra, ekziston njëfarë konspiracioni do të thosha, përsa i përket asaj që pritet të ndodhë, e që mund të përmblidhet në një frazë kuptimplote duke ju referuar veprës "Worstward Ho" i Samuel Beckett: "Provo përsëri. Falimento përsëri. Falimento më mirë". Një kthim prapa duke rifilluar gjithçka nga e para, duke mos përsëritur më gabimet e së kaluarës apo falimentimet e së tashmes.

Tashmë nuk ka më justifikim. Krimi është bërë. Ajo që pritet është trajtimi i shpirtit të gjithkujt prej nesh. Nëse do të presim që shpirti të kthehet për të na treguar krimin ekonomik ose peshën e tij, do të ishim me të vërtetë metafora të sakta të qengjave që theren në thertore.

Është puna e dytë që shohim prej teje mbi memorien e periudhës së social-komunizmit shqiptar. Interpretimi i simboleve të kësaj kohe është më i fortë dhe goditës te "Pasioni".

Janë dy punë të cilat janë bërë publike në nivel ndërkombëtar e që shfaqen radhazi. E para që i referoheni është "Living in Memory" (Të jetosh në kujtesë), 2004. Në filmin e parë ndërtohet një yll i madh pesë-cepësh i cili digjet e konsumohet në kodrat e Linzës derisa kthehet në hi, duke purifikuar disi historinë e tij të gjakshme dikur të lavdishme.

Te "Passion" ndodh e kundërta: libri doktrinë e ideologjisë komuniste nuk ndodhet më në vendin e tij të paracaktuar, por në një thertore ku kafshët e konsumit të përditshëm presin të sakrifikohen. Ato që hidhen në skenën e sakrifikimit bashkë me librin janë idetë me peshën e tyre, dhe libri kthehet në një objekt-sfungjer që thith ide e përcakton përmasa, duke mos specifikuar absolutisht që roli i teorisë së Kapitalit është ai i viktimës apo i therësit. Aksioni i transferon idesë vlerën e saj të vërtetë.

Çfarë po ndikon tek ty këto kohë, mbi çfarë po punon?

Përcaktimi i realitetit është një detyrë e vështirë, por jo për artistët. Në Milano një muaj më parë hapa një ekspozitë, qëndron e hapur deri më 14 Maj dhe mban titullin "No Mercy" (Pa Mëshirë).

Janë punë të realizuara për ekspozitën, dhe të tjera që ndonëse janë kryer vite më parë, ekspozohen sipas një platforme, për të dhënë ndjesinë e një realiteti dhe eksperience te re. Janë punë si "Living in Memory" (2004), "Playcracy" (2002), "Problems with Relationship" (2005), "Time out of Joint" (2006), "Act (2011), "The other one" (2011), etj.. Projekti trajton kriticizmin ndaj shoqërisë së sotme, enigmave të saj dhe vlerave të humbura.

Tani po punoj për një film dhe performancë që do të kryhet në rrugët e Tiranës. Pjesëmarrësit janë nga shtresat e ndryshme të shoqërisë sonë, ndërsa stafi realizues vjen nga Italia. Titulli i projektit është "It wears as it Grows" (Myket duke u rritur), dhe ka të bëjë me sistemin dhe nënsistemet e korrupsionit. Fraza është huazuar nga vepra e Platonit, "Timoni nga Athina" ku në fillim të veprës Poeti pyet Piktorin. "POETI: Si shkon bota?; PIKTORI: Myket duke u rritur."

Njëra pjesë e filmit do të jetë dokumentimi i një kortezhi në rrugët e Tiranës, ndërsa pjesa tjetër që do të shtjellojë idenë, xhirohet në jug të Shqipërisë.

Kemi dëgjuar se Gërdeci është në punët e ardhme. Mund të zbulosh diçka?

Është një film me metrazh të shkurtër që do të trajtojë një histori me sfond Gërdecin, dhe po e punoj bashkë me një regjisore me të cilën do të drejtoj filmin dhe një konsulent skenarist.

Ti jeton larg Shqipërisë dhe ndonjëherë përpiqesh të kërkosh bashkëpunimin me institucionet e kulturës këtu. Me çfarë përshtypjesh mbetesh?

Në vendin tonë mungojnë strukturat për të shfaqur veprat e artistëve shqiptarë, të rinj e të konsoliduar. Një pjesë të tyre unë e vlerësoj sepse në to ndihet kërkimi, ideja origjinale dhe shoqëria në të cilën operojnë. Por ajo që i mban të mbyllur e i mbyt dita-ditës artistët e rinj, është mungesa e strukturave shtetërore e private. Kjo s'do të thotë që forca e tyre të shterojë. Ajo që unë nuk mund të pranoj është që Galeria Kombëtare e Arteve, ose struktura të tjera shtetërore si Qendra Kombëtare e Kinematografisë, të shfaqë një plan të parapërcaktuar, shpeshherë me orientime politike, duke ndrydhur idetë e reja, e duke vlerësuar të tjera që janë thjesht fotokopje.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama