Marku Mbijetesen nuk e diskutojme per pike ne Kukes

Marku: Mbijetesën nuk e diskutojmë, për pikë në Kukës

Autori i golit të parë në ndeshjen ndaj Laçit, Antonio Marku, ka mbetur mjaft i zhgënjyer nga fakti që skuadra e tij nuk ka dalë me të paktën një barazim nga ajo ndeshje. antonio marku"Më vjen keq që nuk kemi arritur të marrim të paktën një pikë në këtë përballje. E nisëm mirë dhe u ndëshkuam kur nuk duhej. Mendoj se edhe në minutat e fundit mund të kishim marrë atë barazim që do të ishte me vlera të shumta për ne. Na ndëshkuan gabimet tona dhe për këtë të vjen më shumë keq. Kur fitojmë, fitojmë të gjithë e po ashtu edhe kur gabojmë, gabojmë të gjithë. Te ne gjithçka është komplekse. Gjithsesi kjo humbje nuk duhet që të na demoralizojë për sfidën e radhës që do të luajmë ndaj Kukësit", tha fillimisht Marku.

Transferta

Katër pikë diferencë nga zona e ftohtë e rënies nga kategoria nuk janë shumë dhe Vllaznia do të shkojë në Kukës me objektivin e qartë për të dalë me një rezultat pozitiv, gjë e cila nuk do të jetë aspak e lehtë.

"Na pret një përballje tejet delikate në Kukës e këtë e dimë mirë. Nuk duhet kurrsesi që të themi se shkojmë të dorëzuar dhe për të mos kërkuar një pikë. Do të jetë e vështirë kjo dihet, por kurrsesi e pamundur. Natyrisht që kam dëshirë që të ndihmoj ekipin në manovrën sulmuese e pse jo të shënoj. Kam shënuar në sezonin më parë në Kukës, dëshiroj që ta bëj sërish edhe në këtë takim. Gjithsesi kryesorja është që në këtë përballje të marrim një rezultat pozitiv dhe skuadra të sigurojë sa më shpejt qëndrimin në Superiore", ka vazhduar Marku prononcimin e tij.

Mbijetesa

Kryefjala e ditëve të fundit në kampin kuqeblu është sigurimi i qëndrimit në Superiore dhe një gjë e tillë sipas Markut do të arrihet vetëm nëse skuadra jep maksimumin në çdo përballje.

"Kemi përpara katër finale. Ne të gjithë duhet që të tregojmë vlerat tona më të mira në mënyrë që të arrijmë mbijetesën. Natyrisht që asgjë nuk ka mbaruar derisa matematika është në lojë. Ne duhet që në këto takime të mbetura të vëmë shpirtin në fushën e lojës. Të japim maksimumin dhe të mos kthejmë kokën tek ajo që shkoi, por të shikojmë vetëm këto takime. Unë jam optimist se në fund të këtij sezoni ne do të jemi në Superligë dhe do të mendojmë që sezonin e ardhshëm të jemi një skuadër më e fortë", ka mbyllur mbrojtësi shkodran.

Përgatiti: Admir Uruçi


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama