Në varësi të shkallës së shpronësimit të çifçiut, ndërmjet çifligarit dhe çifçiut u vendosën disa lloje marrëdhëniesh, si: sistemi i një të tretës, i gjysmatarisë, i një të katërtës dhe i qesimit.
Ndarja e prodhimit sipas përpjesëtimit dy me një, që njihet me emrin e treta, u vendos midis çifligarit dhe çifçiut kur ky i fundit, përveç punës së vet, fuste në prodhim edhe qetë, veglat e punës dhe farën, që ishin pronë e tij vetjake. Kjo ndarje bëhej mbi mbetjen e prodhimit, pasi hiqej një e dhjeta që i jepej të zotit të tokës. Sistemi me të tretë ka qenë përhapur në shumicën dërrmuese të ekonomive çifligare të vendit tonë. E treta u njoh efektivisht edhe nga sulltani në çifligjet që në vitet 1821-1822 iu konfiskuan Ali pashë Tepelenës dhe më vonë në ato perandorake që u formuan në fushën e Myzeqesë. Pjesa më e madhe e fshatarësisë-raja, që u prek prej procesit të zhveshjes nga toka, u shpronësua vetëm pjesërisht, sepse ruajti ende mjetet e punës.
Ndarja e prodhimit përgjysmë u vu në jetë kryesisht në ato çifligje, ku krahu i punës u sigurua nga fshatarësia-raja e shpronësuar plotësisht. Duke i dhënë ngastrën e tokës, mjetet e punës dhe farën, çifligarët i imponuan kësaj kategorie fshatarësh një ndarje më të pafavorshme të prodhimit, gjysmatarinë.
Edhe në disa çifligje feudale, si në disa nga ato të Ibrahim pashë Bushatlliut, në ato të Sulejman pashë Biçakçiut etj., ndonëse mjetet e punës dhe fara u përkisnin çifçinjve, nuk zbatohej e treta, por ndarja e prodhimit përgjysmë. Kjo ndarje ka qenë vendosur, siç del nga një pohim i kadiut të Elbasanit, për shkak të kushteve më të favorshme të këtyre tokave, e sidomos të afërsisë së tyre me qytetet.
Një sistem tjetër i rentës në çifligje ka qenë qesimi, ose dhënia në kryevjet, i një sasie të prerë prodhimi për çifligarin. Qesimi ishte i leverdisshëm për çifligarin, sepse interesat e tij nuk prekeshin nga vitet e këqinj bujqësorë. Por, ai qe i dëmshëm për prodhuesit e drejtpërdrejtë, një pjesë e të cilëve, duke mos mundur ta shlyenin sasinë e caktuar në vitet e prodhimeve të pakta, detyroheshin të futeshin në borxhe dhe kur nuk kishin tjetër rrugëdalje, braktisnin fshehurazi tokën. Për të vënë në vend humbjet nga këto braktisje, çifligarët e kërkonin qesimin nga bujqit e tjerë që mbeteshin në çiflig, duke u dhënë atyre ngastrat e braktisura. Mirëpo, me sa duket, as kjo masë nuk i shpëtoi nga degradimi çifligjet me qesim. Pasoja të tilla patën në Myzeqe të njëzet e pesë çifligjet e Ibrahim bej Kavajës. Sulltani, i cili i shtiu në dorë këto çifligje më 1836, urdhëroi që qesimi të zëvendësohej me të tretën me qëllim që bujqit të ktheheshin në ngastrat e tyre.
Sistemi i së tretës dhe i gjysmës së prodhimit hyri edhe në blegtori. Pasi formuan tufa të mëdha dhensh e dhish, pronarët e tyre ua jepnin ato për kullotje barinjve pa bagëti ose me pak bagëti. Në rast se këta të fundit i përballonin vetë shpenzimet e kullotës etj., pronarët e tufave merrnin vetëm të tretën e shtimit të tufës, të leshit dhe të qumështit ose të nënprodukteve të këtij. Kur pronarët e barinjtë përballonin vetë gjysmën e shpenzimeve, ata ndanin përgjysmë shtesën e bagëtive, leshin dhe qumështin.
Edhe në prodhimin e kripës, që së bashku me ziftin përbënin dy produktet kryesore të industrisë nxjerrëse, në çifligjet u zbatua sistemi përgjysmë. Për prodhimin e kripës në Seman, sipërmarrësit caktonin nga bujqit e çifligjeve të sulltanit nga një ose dy veta për çdo shtëpi bashkë me qetë dhe karrot e tyre. Pasi i mbanin në punë për një kohë prej katër ose pesë muajsh, prodhimin e ndanin përgjysmë, por pjesën që u takonte bujqve ua jepnin në të holla e jo në natyrë. Në kohën e sundimit të Ali pashë Tepelenës, çdo bujk që punonte me qetë e karron e vet, nuk merrte më shumë se një grosh në ditë.
Në pronat e institucioneve fetare zbatoheshin pak a shumë po ato sisteme marrëdhëniesh si në çifligjet private, gjysmataria, e treta dhe qesimi. Në tokat e kishës ortodokse, si në manastirin e Shën Kollit të Boboshticës, punonin mëditës argatë të pajtuar për jetë. Kishte raste, si në Mirditë, ku malësorët punonin falas tokat e kishës ose bënin punë angari të paktën një ditë në javë.
Tradita dëshmon se në sistemin e çifligjeve çifçinjtë kishin ndaj çifligarit edhe detyrime të paligjshme. Ata detyroheshin të bënin punë angari, në dobi të çifligarëve privatë apo të sipërmarrësve të çifligjeve të sulltanit për tokën e oborrit të tyre, për kullotjen e kafshëve të punës dhe për prerjen e druve e të qerestesë për nevojat e veta. Çifligarët privatë i detyronin çifçinjtë t’u punonin tokat apo t’u kositnin barin e livadheve etj. Prodhimet që u takonin çifligarëve, çifçinjtë ishin të detyruar t’ua çonin jo vetëm nëpër hambarët, por edhe në treg apo në skelë ku ata kishin nevojë. Ndërsa sulltani si pronar çifligjesh, i detyronte bujqit-çifçinj të bënin punë angari për nevojat ushtarake. Sasia e punëve angari nuk ishte caktuar dhe çifçinjtë duhej t’i kryenin ato atëherë kur çifligari kishte nevojë, pavarësisht se duhej të linin në mes punët e veta bujqësore. Në disa çifligje çifçinjtë detyroheshin të çonin çdo vit nëpër shtëpitë e zotërinjve, kinse në formë dhuratash, prodhime nga të oborrit të tyre, si qengja, shpendë, mjaltë, bulmetra etj.
Gjatë gjithë periudhës së lindjes dhe zhvillimit të sistemit të çifligjeve në gjirin e sistemit të timareve, u mbajtën në fuqi normat e varësisë feudale të fshatarit raja edhe kur ky u shndërrua në çifçi. Por, ndonëse pa tokë, çifçinjtë mbetën për shtetin feudal osman fshatarë-raja. Si të tillë, ata nuk mundeshin të shkëputeshin nga varësia e spahiut ose e myteveliut, të cilët edhe nëpër çifligjet vazhdonin jo vetëm t’u merrnin detyrimet e rajasë, por edhe të mos i lejonin të braktisnin fshatin ose të merreshin me punë jo bujqësore. Krahas kësaj varësie, me lindjen e sistemit të çifligjeve lindi një varësi e dytë, ajo ndaj çifligarit, që u bë më e rëndë se e para.
Shthurja e sistemit të timareve dhe lindja e rritja e sistemit të çifligjeve shkaktuan ndryshime të rëndësishme në strukturën e dy forcave themelore shoqërore të fshatit shqiptar.
Fshatarësia raja u nda në tri shtresa me tipare të veçanta nga njëra-tjetra. Ajo pjesë e saj, që mundi të ruante tapinë mbi tokën e vet mbeti në gjendjen e vjetër shoqërore dhe vazhdoi të punonte tokën e vet e të rriste bagëti si dhe më parë. Por edhe nga radhët e saj, kryesisht në zonat malore më të varfra, si në Dibër, Mat, Skrapar, Kolonjë, Dangëlli, Kurvelesh etj., ku kishte depërtuar sistemi i timarit, u shkëput një shtresë fshatarësh të varfër e cila, duke mos i plotësuar nevojat e veta me punën e bujkut e të blegtorit, filloi të mbështetej kryesisht në profesionin e ushtarit me pagesë. Kurse pjesa tjetër e fshatarësisë raja, që e humbi tesarrifin mbi tokën dhe që hyri nën sistemin e çifligjeve, formoi shtresën e fshatarëve çifçinj, mbi të cilën rënduan dy varësi, ajo e spahiut dhe ajo e çifligarit.
Shtresëzimi preku edhe klasën feudale. Para së gjithash numri i spahinjve u kufizua mjaft si pasojë e braktisjes së timareve nga një numër i konsiderueshëm feudalësh të vegjël dhe nga grumbullimi i dy e më shumë timareve në një dorë. Së dyti, nga radhët e tyre u veçuan pronarët e çifligjeve që formuan një shtresë më vete.
Shtresa e çifligarëve bashkohej e bashkëvepronte me atë të spahinjve në përpjekjet për të ndaluar shpërnguljet e fshatarëve dhe për të siguruar tapitë e tokave që shtinin në dorë. Por ajo kishte kundërthënie me spahinjtë, sepse detyrohej t’u shlyente atyre detyrimet që u përkisnin si tapilëshues.
Përveç dy shtresave kryesore, në gjirin e klasës feudale u krijua edhe një shtresë e tretë, ajo e çifligarëve që ishin në të njëjtën kohë edhe spahinj. Të tillë ishin para së gjithash feudalët funksionarë të shtetit. Këta shfrytëzonin jo vetëm çifligjet e veta me të drejtën e pronarit efektiv të tokës, por për hir të funksioneve të tyre zyrtare merrnin edhe sipërmarrjet e timareve vakante që u jepeshin në haset e sulltanit. Ky tip feudali ishte karakteristik për periudhën në të cilën gjendej procesi i shthurjes së sistemit të timareve dhe i përhapjes së çifligjeve.
Por në radhët e klasës feudale bënin pjesë edhe komandantët ushtarakë (bylykbashët), të cilët, ndryshe nga spahinjtë e çifligarët, i nxirrnin të ardhurat e tyre kryesore nga rekrutimi i ushtarëve me pagesë, pavarësisht se prej tyre, ata më të mëdhenjtë e më të fuqishmit kishin edhe çifligje.