Duhej të ishte një veprim solidariteti, një ngjarje e madhe publike: Presidenti rus Putin, dhe ai gjerman, duke punuar së bashku në Sheshin e Kuq të Moskës, fare pranë portave të Kremlinit. Së bashku me miq të zgjedhur me shumë kujdes, dy krerët e shtetit duhet që të bënin bashkë 1023 copëza të një puzzle që kishte në qendër një autoportret të Albrecht Durer, një nga piktorët ikonë në artin europian.
Por Putin e humbi interesin në formimin e këtij puzzle. Fillimisht Kremlini anuloi një mbledhje të planifikuar për në muajin maj, në të cilën supozohej t’u jepej një fillim i mbarë marrëdhënieve ruso-gjermane. Dhe së fundi, zyra e Putinit njoftoi Presidentin gjerman se nuk kishte kohë për një takim me të në qershor. Anulimi i takimit në fakt reflekton pikërisht gjendjen aktuale të marrëdhënieve gjermano-ruse. Të premten, Putin pritet të vijë në Berlin në një vizitë zyrtare. Do të jetë vizita e tij e parë në këtë pozicion të ri në një vend të Europës Perëndimore dhe mesazhi duhej të ishte pozitiv. Por në fakt marrëdhëniet mes Moskës dhe Berlinit janë më të këqija nga sa kanë qenë prej vitesh.
Lidhjet me Rusinë kanë gëzuar zakonisht një status të veçantë në politikën e jashtme gjermane. Duke u nisur nga një histori vuajtjesh, qeveritë gjermane e shohin veten si ndërmjetëse të rëndësishme mes Rusisë dhe partnerëve perëndimorë. Moska, në këmbim, mund të ushtrojë ndikimin e saj në Europë përmes Berlinit. E ndërkohë që janë bërë më të ndërvarura se kurrë ndaj njëra-tjetrës, Moska dhe Berlini kanë filluar një periudhë të akullt mes tyre. Me planet e gazsjellësit Nabuco në Europën Jugore që janë në prag të dështimit, Gjermania vazhdon të ketë varësi nga gazi rus. Nga ana e tij, Putin ka nevojë për investitorë gjermanë për të modernizuar ekonominë e vendit të tij.
Më e fuqishme se kurrë
Për momentin e vetmja pikë e marrëdhënieve që po shkon mirë është ajo e marrëdhënieve të tregtisë. Por situata politike duket krejt ndryshe dhe Merkel e Putin kanë një marrëdhënie të tendosur. Të premten, Kancelarja gjermane do të presë të ftuarin e saj, karriera politike e të cilit është një nga ato që Merkel do të kishte dashur ta shihte të përfunduar vite më parë.
Por ja që tani ai është më i fuqishëm se kurrë. Merkel besonte shumë te Medvedevi. Ajo mendonte se ai ishte i aftë që të modernizonte Rusinë dhe Merkel shpresoi se ai do të rikandidonte për një mandat të dytë presidencial, por më pas e kuptoi se kjo nuk do të ndodhte, sepse, sipas saj, Medvedev ishte vënë në atë post me kusht që të ikte në momentin e duhur dhe të zëvendësohej nga Putini. Pas kësaj pati një periudhë heshtjeje mes saj dhe Kremlinit. Në prag të zgjedhjeve presidenciale në maj, Merkel i çoi një mesazh Putinit. Në të i thoshte se si kreu i shtetit rus duhej që të bënte një veprim, me anë të të cilit t’i jepte Perëndimit një sinjal se do të kishte një rinisje të re. Një sinjal, për shembull, do të ishte lirimi i Kodorkovskit nga burgu. Por Putin nuk e dëgjoi këtë thirrje.
Vasalët e Amerikës
Edhe pse Putini e respekton Merkelin, ai e sheh atë si një “proamerikane” përtej caqeve. Madje së fundi para gazetarëve deklaroi se europianët s’janë veçse ca vasalë të Amerikës. Ditët e fundit Putin e ka bërë sërish të qartë se çfarë mendon në lidhje me Perëndimin. Së pari, ai nuk udhëtoi në “Camp David” në mesin e majit për të marrë pjesë në takimin e G8-s dhe më pas mungoi edhe në takimin e NATO-s të mbajtur në Çikago disa ditë më pas. Nuk mund të thuash luftë e ftohtë, por të paktën paqe e ftohtë. Takimi në Berlin ka shanse që ta ndryshojë shumë situatën.
Nuk janë parashikuar marrëveshje dypalëshe, sikundër ndodh rëndom në të tilla raste. Si pasojë, nuk do të kemi ndonjë progres as në çështjet e debatueshme, si kërkesa e Moskës për lehtësimin e regjimit të vizave me Gjermaninë. Kjo, sepse as Berlini dhe as Moska nuk kanë ndonjë gjë të re për të ofruar. Sigurisht që Kancelarja është e ndërgjegjshme që Gjermania varet nga Rusia për shkak të gazit. Mbështetja e Moskës do të duhet edhe në rastin e Iranit dhe programit të tij bërthamor. Një veto e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mund të përdorej për të bllokuar çdo përpjekje të Perëndimit në lidhje me konfliktin në Siri.
Nga këndvështrimi i Berlinit zyrtar, liderët e Moskës ende nuk e kuptojnë se Rusia nuk është më një fuqi globale dhe se ajo ka nevojë për Europën si një partnere e besueshme. Administrata e Berlinit e sheh kryqëzatën e Moskës kundër NATO-s dhe sistemit të saj antiraketë, të paktën si një përpjekje të dëshpëruar për t’u treguar e fortë, për shkak se është aktualisht e dobët. Por Kremlini e sheh sigurisht ndryshe këtë situatë.
Putin dhe këshilltarët e tij e shohin ndikimin e Perëndimit në politikën globale si një ndikim në rënie. Ata nënvizojnë se gjatë 30 viteve të fundit, porcioni ekonomik i vendeve të BE-së në rrafsh global është pakësuar. Sipas një analisti politik rus, Putin është i bindur se modeli perëndimor e ka lënë pas momentin e kulmit. Megjithatë Putin vazhdon që të besojë se Gjermania ka një rol të rëndësishëm për të luajtur. Tradicionalisht ai ka prezantuar iniciativa të rëndësishme të politikës së jashtme në Gjermani. Në vitin 2001, para Parlamentit gjerman, ai e përshkroi qëllimin e një Europe të bashkuar në të cilën Rusia dhe vendet europiane do të gjenin interesat e tyre. Ndërsa në nëntor të vitit 2010 ai vizitoi Berlinin dhe foli pro një komuniteti ekonomik harmonik që shtrihet nga Lisbona në Vlladivastok. Por duket se ai ka vënë re se propozimet e tij nuk kanë pasur përgjigje edhe sot, dhe, sipas tij, Perëndimi nuk ka objektiva parësorë.
Putin hedh vështrimin edhe në ish-kufijtë e dikurshëm të Bashkimit Sovjetik. Ai ka nxitur për një bashkim doganor me Bjellorusinë dhe Kazakistanin dhe nxit të ashtuquajturin Klubi Euroaziatik. Presidenti rus e sheh komunitetin politik si një entitet të dobët që e zë veten me procese të ndërlikuara vendimmarrëse. Rusia kërkon marrëdhënie të mira dypalëshe me Gjermaninë. Merkeli, nga ana tjetër, e kupton se Gjermania si fuqia drejtuese në Europë duhet që të tregojë konsideratë edhe për shtete më të vogla anëtare të BE-së. Lidhjet personale kanë luajtur gjithmonë rol në marrëdhënien mes Rusisë dhe Gjermanisë. Kancelari Vili Brand, duke u larë në Jaltë në vitin 1971 me liderin rus, Brezhnjev, i hapi rrugën të ashtuquajturës Ostpolitik, që kishte si qëllim normalizimin e marrëdhënieve në periudhën e Luftës së Ftohtë.
Në vitin 2001, Putin dhe Shreder gjithashtu kishin marrëdhënie shumë të mira. Mes Merkelit dhe Putinit, nga ana tjetër, marrëdhëniet janë të ftohta dhe vetëm ekonomike.