Pjesëtarët e kësaj familjeje ruanin një simpati për shqiptarët, përveç të resë së familjes, e cila ushqente ndjenja negative ndaj fqinjëve të saj. Madje, ajo shkonte deri në fyerje e përbuzje ndaj individëve që në realitet kishin ndikuar në rritjen e të ardhurave të familjes së saj. Ajo kalon në kërcënime për të mos pranuar dashurinë mes djalit të saj me një vajzë shqiptare. Pas disa peripecive për shkak të urrejtjes që nëna e djalit kishte ndaj origjinës së vajzës, kjo dashuri përfundon në martesë. Kjo pasi për regjisorin askush nuk mund ta ndajë gjuhën e zemrës. Në role në këtë shfaqje interpretuan: Hajrie Rondo, Fatmir Xhelili, Muhamet Sherri, Shpëtim Shehu, Miola Sitaj, Doriana Caushaj, Klajdi Marku etj. Hajrie Rondo ishte në rolin e Agafisë, të resë së familjes greke një rol jo i lehtë për peshën emocionale që duhet të përcjellë. Regjisori Orgocka tregon se gjithnjë i ka pëlqyer të vejë në skenë drama shqiptare. "Ne kemi ngjitur në skenë vepra të Shekspirit, Molierit, Brehtit, por spektatori ynë e gjen më mirë veten në dramën shqiptare. Po të shohësh statistikat, veprat që janë pëlqyer më shumë janë ato të autorëve shqiptarë. Dhe pse dramaturgjia jonë kombëtare ka të meta, sërish ajo mbetet e jona dhe ndihet më mirë nga publiku", thotë Orgocka.
"Fqinjët" është vepra e 15-të që regjisori Orgocka vë në skenë nga dramaturgu Pulaha. Në vepër ndërthuret dhe tragjikja ashtu edhe komikja. "Në këtë pjesë flitet për të vdekur, për të humburit e një kohe të largët, të luftës italo-greke, për vëllezër që janë ndarë gjatë luftës, flitet për njohjen e vëllait me motrën prej shumë vitesh larguar, për kufijtë që ndajnë zemrat e njerëzve, ndaj dhe është dramë", thotë Orgocka. Por në këtë pjesë shkrihet në mënyrë të natyrshme tragjedia me komedinë. Janë kufijtë ato që vendosin barriera mes popujve sipas Orgockës, barriera të cilat ai është munduar t‘i japë në tragjikomedinë "Fqinjët". "Është kufiri ai, apo ai teli me gjemba që ndan njerëzit dhe sikur u cjerrë edhe shpirtin edhe zemrën", thotë Orgocka.