Marreveshja e bashkepunimit ATSH YONHAP takohen ne Seul drejtuesit e dy agjencive

-Podgorica: Zgjerimi i komunikimit me agjencitë partnere, ka zgjuar interesin për të njohur nga afër Shqipërinë-

PodgoricaSEUL, 17 Nëntor/ATSH/- Intensifikimi i bashkëpunimit me agjencitë partnere mbetet një drejtim i rëndësishëm i punës së ATSH-së. Zgjerimi i komunikimit me agjenci në rajon, por edhe jashtë tij, ka bërë të mundur që Shqipëria të jetë prezent në faqet e agjencive prestigjoze dhe me mjaft reputacion si AFP, DPA, XINHUA, ANADOLLU AJANSI etj .

Këtij komunikimi në rritje, iu shtua edhe marrëveshja e bashkëpunimit midis Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe agjencisë koreanojugore, Yonhap.

Drejtori i Përgjithshëm i ATSH-së , Gëzim Podgorica , i cili ndodhet në Seul në kuadër të Asamblesë së 39-të të agjencive të lajmeve të vendeve aziatike, është pritur në një takim të veçantë nga Presidenti i agjencisë koreanojugore Yonhap, Park No- hewang.

Takimi u fokusua në marrëveshjen e nënshkruar midis dy agjencive, në identifikimin e rrugëve të bashkëpunimit dhe shkëmbimin e informacionit të ndërsjelltë.

Presidenti Park No- hewang falenderoi zotin Podgorica për vullnetin dhe gatishmërinë që mes dy palëve të vendoset një komunikim institucional, i cili do të shërbejë për publikun koreanojugor dhe shqiptar për të patur informacion më të plotë për zhvillimet politike, ekonomike, sociale, kulturore të dy vendeve.

"Media ka një rol të pazëvëndësueshëm në afrimin midis vendeve dhe ne na takon që në misionin që kemi, të bëjmë më të mirën në këtë drejtim. Mundësitë janë të gjëra dhe ato duhen shfrytëzuar. Agjencitë zyrtare të lajmeve kanë hapësira të shumta për të marrë dhe dhënë informacion në çdo pikë të globit dhe ne duhet ta bëjmë këtë"- nënvizoi Presidenti Park No-hewang.

Ai theksoi se "kemi mësuar se agjencia juaj është media më e vjetër në Shqipëri dhe kjo përvojë si dhe arshiva juaj, përbëjnë një vlerë të çmuar por edhe një përvojë që duhet njohur".

Duke folur për marrëveshjen e nënshkruar midis dy agjencive, drejtori i ATSH-së Gëzim Podgorica , tha se ky është një moment me rëndësi për institucionin tonë dhe një prezencë e shtuar në kontinentin aziatik. "Publiku ynë do të ketë një akses më të madh njohjeje jo vetëm për fusha të tilla si historia, kultura, traditatat e të tjerë të cilat janë mjaft të pasura e interesante, por edhe për rrjedhat e sotme të zhvillimit dhe mundësitë që ofrohen në fusha të tilla si turizmi e biznesi. Duhet nënvizuar se midis dy vendeve ka një klimë shumë të mirë të komunikimit politik dhe kjo marrëveshje i shërben më shumë këtij komunikimi".

Më tej, zoti Podgorica e njohu Presidentin Park No-hewang me Shqipërinë dhe rolin e saj në rajon.Podgorica1

"Shqipëria është një vend me popullsi të vogël në zemër të Ballkanit. Por ky vend ka historinë e vet interesante, një natyrë mjaft impresionuese dhe me mundësi të jashtëzakonshme për turizëm, një trashëgimi kulturore që afishon një identitet mjaft të spikatur, por edhe një kuzhinë mesdhetare me një shije krejt specifike dhe të veçantë".

"Ky vend me një shtrirje të kufizuar është i hapur në bashkëpunimin politik dhe ekonomik, e në vijim të këtij dimensioni edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare është po kështu shumë e hapur dhe e gatshme për ta zgjeruar komunikimin e bashkëpunimin me agjencitë partnere, pavarësisht largësisë gjeografike. Një informacion i plotë dhe i gjithëanshëm i shkurton distancat dhe i afron popujt".

ATSH ka sot një dimension publik, pasi ruan raporte mjaft serioze për pasqyrimin e ngjarjeve politike dhe sociale në vend, por edhe për ato ndërkombëtare. Pavarësisht mundësive të kufizuara të një agjencie të një vendi të vogël, kufijtë e pasqyrimit të ngjarjeve më të rëndësishme kapin çdo pikë të globit dhe ATSH mbetet e interesuar për ta rritur informacionin nga çdo vend jo vetëm në planin politik, por edhe atë ekonomik, kulturor, historik, të traditave e të tjerë.

ATSH është anëtare e rregullt e EANA (Aleancës së agjencive europiane të lajmeve) AMAN (Aleancës së Agjencivë të Lajmeve të Detit Mesdhe) BSANA (Aleanca e Agjencive të lajmeve të Vendeve të Detit të Zi dhe ABNA ( Aleanca e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Ballkanit).

ATSH trasmeton përveç gjuhës shqipe edhe në anglisht dhe frëngjisht, ka sistemin e vet multimedial , një arkivë të pasur dokumentare dhe fotografike me interes.

Duke e falenderuar drejtorin e përgjithshëm të ATSH-së, Gëzim Podgorica për informacionin lidhur me Shqipërinë, por edhe për qasjen e këtij institucioni në marëdhënie me agjencitë partnere, zoti Park No-hewang uroi një shkëmbim sa më intensive informacioni dhe e konsideroi të rëndësishme praninë e lajmeve dhe fotove të agjencisë Yonhap në faqet e ATSH-së. /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama