Tiranë, 20 Nëntor /ATSH/ -Partia Lëvizja Socialiste për Integrim e konsideron të hapur rrugën për konsensuse të reja poltike, pas arritjes së marrëveshjes pozitë-opozitë për ligjin e dekriminalizimit.
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili gjatë një konference për mediat pasditen e së premtes nga selia e kësaj partie, theksoi se marrëveshja për ligjin e dekriminalizimit është një arritje shumë e rëndësishme jo vetëm për politikën shqiptare por për gjithë vendin.
"Arritja e këtij konsensusi duhet përshëndetur dhe së bashku me të, duhen nxjerrë dhe konkluzionet përkatëse për këtë veprim, i cili tregosi se konsensusi nuk qenka i pamundur për tu arritur", nënvizoi Vasili.
Për LSI-në ky është një hap që duhej hedhur shumë më shpejt se sa kaq, por gjithsesi është shumë i mirëpritur edhe për faktin se ndikon në ndërtimin e një tjetër imazhi të Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve.
"Ky mesazh është i rëndësishëm edhe për opinionin ndërkombëtar për të larguar imazhin e një Shqipërie të kriminalizuar. Gjithashtu, kjo arritje hap udhën për të shpenzuar energji të tjera politike për konsensuse të tjera siç është reforma në drejtësi. Numri dy i LSI-së vuri në dukje këmbënguljen e vazhdueshme të partisë dhe besimin e palëkundur për arritjen e kësaj marrëveshje, edhe atëherë kur dukej shumë e largët ose gati e pamundur.
Vasili falenderoi për mbështetjen dhe kontributin e tyre në këtë proces edhe partnerët ndërkombëtar si SHBA-të dhe BE-në./b.k/ /a.g/