Duke filluar nga ky vit, nëse një nxënës nga Shqipëria për arsye të ndryshme vijon shkollën në Kosovë dhe anasjellas, nuk do të ketë më probleme me tekstet shkollore dhe as me ciklet e studimit. Kosova dhe Shqipëria nënshkruan këtë të martë marrëveshjen për unifikimin e sistemit arsimor parauniversitar dhe programet mësimore. Arsimi shqiptar do të orientohet nga modeli i Kosovës, i cili është i ngjashëm me atë evropian.
“Shqipëria kalon në një sistem si Kosova, 5+4+3, me një fokus të veçantë për klasat parapërgatitore, që përkon me klasat për moshat 5-6 vjeç, për ta futur edhe këtë kategori në pjesën e sistemit të detyruar parauniversitar”, deklaron ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
Vitin e ri shkollor, në muajin shtator, do të pilotohen në disa qytete të vendit tekstet e unifikuar mes e Kosovës dhe Shqipërisë, për t’u shtrire më pas në të gjithë vendin. “Ne fillojmë pilotimin në disa shkolla të Shqipërisë për ta përdorur më lehtë shtatorin tjetër dhe për ta shtrirë në më shumë shkolla. Do të ketë më pak ngarkesë të tepërt për nxënësin dhe më pak burokraci për mësuesin, si dhe shumë ndërveprim midis nxënësve dhe mësuesve”, nënvizon Nikolla.
Këtë vit arsimor, ky sistem do të aplikohet në disa shkolla shqiptare për të pasur një shtrirje më të gjerë gjatë viteve të ardhshme, pasi sistemi nuk mund të implementohet brenda një viti shkollor. Nga ana tjetër, ministrja Nikolla la të hapur edhe mundësinë e rishikimit të reformës së altertekstit dhe përafrimin me modelin e Kosovës, funksionimi në shkolla me një tekst të vetëm dhe jo me disa alternative si tani.
Dikasteri i arsimit pritet të ndryshojë ligjin e arsimit parauniversitar për ciklet e studimit, pasi një vit më parë paraardhësi i ministres Nikolla, Myqerem Tafaj e ktheu arsimin fillor nga pesë në 6 vjet. Ndërkohë, ministria e Arsimit ka sqaruar edhe vendimin për shtyrjen e miratimit të projektligjit të arsimit të lartë duke deklaruar se nuk do të ketë tërheqje nga reforma.