Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, është takuar mëngjesin e sotëm me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati. Në orën 10:00, komisioneri Fyle do të takohet me përfaqësues të shoqërisë civile, ndërsa në orën 10:30 do të zhvillohet takimi i dytë i dialogut të nivelit të lartë Shqipëri-BE.
Në këtë tryezë, pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike. Komisoneri për Zgjerim i BE-së pritet të shprehet edhe për qëndrimet kritike të opozitës, konkretisht të ish-kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili e akuzon Fylen si mbështetës i serbëve dhe jo të shqiptarëve, deklaratë kjo e bërë para disa ditësh. Edhe pse kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë larguar në Dublin, ku do të marrin pjesë në samitin e Partive Popullore Europiane, ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu tha dje se, do të jetë prezent dhe opozita, që e konsideron këtë proces të rëndësishëm për shqiptarët.
Takimi i nivelit të lartë pritet të përfundojë në orën 13:00 kur komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle dhe kryeministri Edi Rama, do të mbajnë një konferencë për shtyp. Ndërsa, në orën 13:30 komisioneri Fyle do të zhvillojë një takim me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë.