Menjëherë pas marrjes së statusit të vendit kandidat, e gjithë politika shqiptare ka dhënë mesazhe urimi dhe falënderimi. Nuk munguan urimet nga kryeministri i Kosovës Thaçi dhe presidentja Jahjaga.
Po ashtu Ministri i Brendshëm Tahiri dhe Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, komentuan arritjen e madhe të Shqipërisë me marrjen e statusit. Një koment në “Facebook” ka shkruar edhe ish-kryeministri Berisha, i cili e ka cilësuar marrjen e statusit si “të vonuar”.
Ndërsa ish-kryeparlamentarja ia ka hequr meritat qeverisë aktuale për marrjen e statusit, duke ia dhënë atë plotësisht Sali Berishës.
Basha: Është një ditë fitoreje
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përcjell mesazhin e tij për marrjen e statusit të vendit kandidat: “Marrja e statusit është fillimi i një rrugëtimi tjetër. Është në ditë fitoreje për të gjithë shqiptarët. Urime”.
Topalli: Statusin e mori Berisha
Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli në urimet e saj për marrjen e statusit kandidat shprehet se merita për marrjen e tij është e Berishës, ndërsa Rama sipas saj duhet të hapte negociatat.
“Urimet më të përzemërta gjithë shqiptarëve për Statusin e vendit Kandidat për Shqipërinë! Vendi ynë e meritonte! Ky status është meritë totale e shqiptarëve dhe e Qeverisë së Sali Berishës”, shkruan ajo në Facebook.
Sipas Topallit ka qënë Rama ai që e ka penguar statusin. “Propozimi për Statusin është bërë 3 herë rresht, për 2 vite rresht nga Komisioni dhe nga PE, por ai nuk u krye formalisht për vite, sepse Rama e minoi atë me vendosmëri e pashpirtësi. Rama vetëm sa hapi bisedimet”.
Berisha: Është arritje, por e vonuar
Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. “Para së gjithash është vlerësim i suksesit të reformave tona që kanë sjellë Shqipërinë në stadin e meritës së plotë të statusit të vendit kandidat. Pastaj është një arritje, ndonëse e vonuar. Me këtë rast unë dua t’u shpreh një mirënjohje të thellë atyre mijëra punonjësve të administratës shtetërore që, me punën, përkushtimin e tyre në hartimin, miratimin dhe zbatimin e mijëra ligjeve, vendimeve, rregullave, kritereve, standarteve, reformave, me përgjigjet e sakta të 2284 pyetjeve dhe 2000 nën pyetjeve të pyetësorit të Komisionit Europian dhe përgjigjen e merituar, bënë të mundur që Shqipëria të zbatojë me seriozitet Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kërkesat për heqjen e vizave dhe të meritojë plotësisht që në tetor të vitit 2012 rekomandimin e përsëritur dhe në tetor te vitit 2013 të KE për statusin si dhe vendimin e sotëm të Ministrave të Jashtëm të BE”, shkruan Berisha në Facebook.
Jahjaga: Krenare për suksesin tënd Shqipëri
Edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga i është bashkuar urimeve për statusin e kandidatit. “Urime. Shumë krenare për suksesin tend”, shkruan Jahjaga në Twitter.
Thaçi: Urime Shqipëria, Kosova përfiton nga afrimi i BE-së
“Urime Shqipëria, urime Edi Rama për fitoren historike dhe kandidaturën zyrtare për BE. Kosova përfiton nga afrimi i BE-së”, shkruan kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në Twitter.
Tahiri: Europa njohu luftën kundër krimit e korrupsionit
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ndërsa ka uruar statusin, ka shprehur mirënjohje që Europa vlerësoi angazhimin e qeverisë në luftën kundër krimit e korrupsionit. Dikasteri që ia drejton, është vendosur në qendër të vlerësimeve të kryeministrit Rama pas supeaksionit antikanabis dhe ndërhyrjen në të gjithë territorin e fshatit të Lazaratit.
Kodheli: Sot të gëzojmë, nesër fillon puna
Për minsitren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, marrja e statusit të kandidatit është një fitore e cila duhet gëzuar, por sfida sipas saj mbetet e madhe.
“Ta gëzojmë statusin e vendit kandidat. Urime Shqipërisë dhe shqiptarëve. Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan për këtë ditë. Faleminderit të gjithë miqve tanë që besuan te Shqipëria. Faleminderit të gjithë kolegëve të mi që punuan pa lodhje duke dhënë kontributin e tyre të çmuar. Sot të gëzojmë. Nesër fillon puna. Sfida është e madhe”, shprehet ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.