Do të vrasim, Jesu, se të kemi Baba,
Do të varrim, Mesi, se të kemi Usta,
Se s'ke dashur as jet' as martes' as para:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Dy kusarë të vegjël i zumë në lak.
Kryqësoji këta, se na vothnë fort pak,
Kryqësoje këtë, se s'na vodhi aspak:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Vrajeni, se përunj dhe përmbys pasurinë,
Pasuron, dhe çliron, dhe forcon varfërinë,
Se lëngatën shëron, se ndriçon verbërinë:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Varreni, se me botën, me ne s'shëmbëllen,
Se na ndreq shtrëmbëritë, dhe kurrë sna rren,
Se e do vegjëlin' e tiran' e urren:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Vrajeni, se për vete s'kujdeset, s'lëfton,
Dhe të mjerët, të humburit nuk i sfruton,
Dhe për sherr, për vlla-vrasje, për luftë s'punon:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Varreni, posa s'do as të vras' as të varrë,
As të bënjë të keqen as gjakun t'a marrë,
Dhe katilët me nam na i qan si të marrë:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.
Vrajeni kryengritësin e Shënjtëruar
Si katil të mallkuar, atë ka kërkuar,
Se kujtoj që pa armë na ka për të zgjuar:
Kryqësoje, Pilat, në Kalvar, Golgotha.