Marsi venecian alias Skanderbeg

Marsi venecian alias Skanderbeg
Shihni me kujdes këtë imazh. Është një nga dy statujat e mëdha “të ngritura në anët e praruara” të anijes së Doxhëve: “Njëra e Drejtësisë, tjetra e Skënderbeut, princit të Arbërisë, që me armët e republikës u bë kamzhik për turqit”, siç përmendet në një dokument të kohës. Thuhet se i përket Marsit venecian, perëndisë së luftës. Ai paraqitet në këmbë me një shtizë në dorë me një rruzull në majë, një lloj arme jo e zakontë.


Por zonja Lucia Nadin, mendon se statuja nuk paraqet veç Skënderbeun, heroi i arbërve miti i të cilit si mbrojtës i Adriatikut nga turqit, “atleti i Krishtit”, ka jetuar si simbol real në Venecia edhe më shumë se 2 shekuj pas mërgimit të shqiptarëve në Venedik. Studiuesja italiane, zbuluesja e statuteve të Shkodrës, me rastin e promovimit në Tiranë të librit të saj “Shqiptarët në Venedik, mërgim e integrim, 1479-1552”, i përkthyer në shqipe nga Pëllumb Xhufi, mbajti dhe konferencën “Skanderbeg sul bucintoro a Venezia”. Ajo i joshi të pranishmit me një udhëtim fantastik të arbërve në venedik dhe të mitit të Skanderbegut, duke u nisur nga një lajm krejt i anashkalur për rëndësinë e një zbulimi që përcjell ai sipas Nadinit.

Lajmi i mëkëmbjes së anijes së Doxhëve të Venecias ku ngrihej statuja e Skënderbeut “i fshehur” nën imazhin e Marsit venecian. Ajo kërkon ndihmën e studiuesve shqiptarë për të konfirmuar disa detaje të zbulimit me qëllim që në fund të fundit të kërkohet që “anija që po ndërtohet nuk duhet të ketë Marsin si statujë, por Skënderbeun”.

Studiuesja përshkruan në këtë intervistë itinerarin e arbërve në Venedik që megjithëse “u asimiluan” dhe u bënë qytetarë venecianë, shenjat e tyre kulmojnë me simbolin e figurës së Skënderbeut.

Në fillim zonja Nadin na thoni diçka për lidhjen që keni me Shqipërinë?

Unë erdha në Shqipëri në fillim të vitit 1995 dhe qëndrova për 4 vjet e gjysmë, e ngarkuar me disa detyra në Universitet, në Ambasadë, në Institutin Italian të Kulturës. Kisha marrë pjesë në një konkurs për t’u angazhuar jashtë Italisë, dhe duhej të zgjidhja një vend. Kisha mundësi të ndryshme dhe zgjodha Tiranën fare instiktivisht, dhe siç shihet paska qenë shenjë e fatit. Udhëtova nëpër Shqipëri, mësova ta njoh dhe atëherë kuptova interesat dhe lidhjet që ekzistonin mes kësaj dhe asaj toke prej nga vija, dmth Venecias.

Në kthim ju filloni kërkimin e shenjave të Arbërisë (Shqipërisë) dhe arbërve (shqiptarëve) në Venecia.

Kjo histori nis qysh para ardhjes sime në Shqipëri. Nisa kërkimin në bibliotekat veneciane për të parë se çfarë dokumentesh kishte dhe... kisha shumë punë para. Veç kësaj, në Venecia, atje ku unë banoj, ka akoma nëpër rrugë toponime të shqiptarëve. Për herë të parë nisa të reflektoj, për atë karakteristikë fizike të Venecias që po më shpinte drejt Shqipërisë, drejt historisë Shqipëri-Venecia.

Bëra një libërth për raportet historike mes dy vendeve dhe në kthim nisa të punoj seriozisht.

Tani kemi në dorë këtë libër të çmuar “Shqiptarët në Venedik: Mërgim e integrim, 1479-1552”.

Libri si ide kish lindur shumë vite përpara. E ndërpreva për pak kohë kërkimin sepse, gjithnjë duke gërmuar nëpër bibliotekat e Venecias kisha gjetur kopje të statuteve të Shkodrës, një gjë shumë e rëndësishme, kështu që për disa vjet duhej të ndiqja tekstet për Shkodrën. U detyrova të kthehem në Itali për arsye shëndetësore, më diagnostikuan një tumor, për fat shkoi mirë, edhe pse më thanë se më kishin mbetur 2-3 vjet jetë.

Pas statuteve iu riktheva këtij diskursi të hershëm për të kuptuar praninë e shqiptarëve në Venecia. Prapë them se ka akoma plot punë për të bërë. Ky ishte vetëm fillimi.

Ka qenë kërkim i vështirë për ju sepse përveçse në arkiv duheshin gjurmuar shenjat e arbërve në terren...

Po, sepse ky mërgim i shqiptarëve ishte më saktë një transferim i tyre. Në të shkuarën duhej thënë transferim jo emigracion në kuptimin e sotëm që i japin termit: Venecia thotë që kush do të vijë këtu, le të vijë. Dhe u stabilizuan në gjithë territorin e Republikës së Venedikut. Më është dashur të bëj kërkime për shembull në Friuli, në zonat e Lombardisë, territore që dikur ishin veneciane. Kuptova se atje kishte aq shumë për të bërë.

Cilat janë këto shenja shqiptarësh?

Para së gjithash kërkova të njoh anën e instalimit nga këndvështrimi ekonomik, i punës, pra çfarë bënin shqiptarët që ishin transferuar në Venecia ku shfaqet gjithë punësimi i tyre në fushën e tekstilit, në përpunimin e mëndafshit, leshit. Ky aspekt përfshinte edhe raportin që ekzistonte në Shqipëri me praninë e familjeve fisnike veneciane.

Pikërisht kjo më ka shtyrë tamam brenda Venecias për të kuptuar praninë në shekuj të shqiptarëve.

Por duhej parë edhe prania kulturore. Gjithnjë duke rrëmuar nëpër bilblioteka nxora këto dy tekste të pabotuara të Marin Beçikemit, për të kuptuar kështu rëndësinë që kanë pasur këta njerëz të kulturës shqiptare. Më interesonte që të tregohej se shqiptarët nuk ishin thjesht punëtorë, apo varfanjakë siç është thënë në të shkuarën, ishin edhe njerëz të kulturës, fisnikë, me funksione e zanate prestigjioze. Mjafton të shohim një personazh si Beçikemi dhe kupton historinë e lidhjeve kulturore shqiptare me botën humaniste.

Një tjetër sektor ishte ai që lidhej me artet figurative për të kuptuar se cilët ishin personat që porositnin për shembull piktura të famshme që janë bërë nga shqiptarë, nga “shkolla shqiptare”. I referohem tablove të Vittore Carpaccio-s i cili është për ne një nga piktorët e mëdhenj të kohës. Kam kërkuar të tregoj që - kjo mbetet për tu disktuar nga studiuesit - edhe tablo që nuk i përkasin shkollës shqiptare, mund fshihnin pas tyre një kompetencë të shqiptarëve.

Ju shihni këtu për shembull një grup vejushash me shami në kokë, vejushën e përunjur, edhe Shën Stefanin e Shkodrës.

Ja për shembull, tek këto tablo të Carpaccio-s që nuk ka qenë kurrë i lidhur me shqiptarë është për t’u diskutuar që pikturat mund të jenë porositur nga shqiptarë. Në atë kohë në Venecia ishin Engjëllorët, kjo familje e madhe e cila nga njëra anë ishte e lidhur me Barletin – kujtojmë se ishte pikërisht P. Engjëlli që i tha Barletit shkruaj jetën e Skënderbeut.

Pra, ka një histori të tërë raportesh që na çojnë nga tekstet letrare tek artet figurative, tek lidhjet me Romën dhe Papatin. Ka vërtet punë të madhe edhe për do vite.

Zonja Nadin, “integrim” është termi i duhur për të përkufizuar atë që ndodhi me shqiptarët e mërguar pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së Shkodrës?

Ishte një integrim krejt, krejt normal. Mërgimi shqiptar gjatë katërqindës, në zona si Kalabria dhe në Siçili, u bë një lloj izolimi, ku u formuan grupet, ishujt e kulturës shqiptare, me arbëreshët. Dy vjet më parë, në San Paolo degli Albanesi gjeta akoma njerëz të veshur me kostumet tradicionale. Është një gjë e çmuar për historinë e shqiptarëve.

Por ama në Venecia kemi një realitet krejt tjetër: një realitet tregtar, një realitet, le të themi kozmopolit. Në Venecia ishin të gjitha racat, kushdo që donte të ishte dhe të bëhej qytetar venecian, mund të bëhej, mjaft që të respektonte ligjet, të paguante taksat, sepse kështu hynte në strukturën e shtetit.

Kështu pra, ky mërgim pas rënies së Shkodrës, në të vërtet nuk është mërgim siç e nënkuptojmë sot. Këta njerëz “ishin ftuar” nga Republika: nëse doni të vini tek ne, ejani. Kishte marrëveshje reciproke, kështu që secili vinte me bazën e kompetencave të origjinës së tij, e aftësisë së tij dhe integrohej në strukturën ekonomike, sociale, politike veneciane.

Ndërkohë në rrjedhën e 60-70 viteve ai humbet gjurmët e shqiptarit, e Arbërisë sepse janë bërë qytetarë venecianë. Më duket se kjo është një faqe e rëndësishme, jo për t’i bërë elozh Venecias, por sepse është një realitet ku fliten mijëra gjuhë, bëhet fjalë për personazhe që vinin nga e gjithë bota.

Një copë Europë e humbur sot?

Atëherë Adriatiku, Mesdheu, ishte, kjo Europë në të cilën Arbëria ishte tërësisht e përfshirë, ndërsa sot nëse duhet të flasim për Europën, në një farë kuptimi duhet të marrim shembull duke e kujtuar të kaluarën dhe duke folur për integrimin, në kuptimin e bashkimit jo të ndarjes, të izolimit, të copëtimit.

Libri “Shqiptarët në Venedik, mërgim dhe integrim” flet për një vend ku takohen popujt që vinin nga gjithë Mesdheu, për të mos thënë edhe nga Orienti, dhe prandaj Venezia në shekuj mund të përkufizohet një piazza e takimeve, e qytetërimeve, e kulturave, përtej interesave ekonomike sepse është e qartë që këto janë në thelb. Pra Venezia mund të përkufizohet si “një piazza universale”.

Ishte me interes analiza që ju bënit për mitin e Skëndërbeut në Venecia edhe dy shekuj pas mërgimit, duke iu referuar një lajmi të fundit për mëkëmbjen e anijes së artë të Doxhëve.

Nga kërkimet në arkiva kam arritur të kuptoj praninë e Skëndërbeut në atë që ishtë anija simbol e Venecias, simbol i sundimit në detin e Venecias, që zgjat deri në fund të 1700-ës. Dhe menjëherë, më pas do të rimerret Skënderbeu si mit në kulturën e tetëqindës. Në rastin e Venecias së katërqindës ajo e ka parë Skënderbeun aleat që mundi të mbronte detin nga dyndja e turqve.

Pothuajse dy shekuj më vonë, kur avancimi i tyre bëhet një fenomen i gjërë për gjithë Europën, ja ku Venecia e rimerr sërisht këtë figurë dhe e rihedh si figurë mitike e mbrojtësi i ri i Adriatikut, në pritje që në një lloj mënyre të rindodhë mrekullia që kish ndodhur në kohën e tij.

Përse figura e Skënderbeut i vihet pranë Marsit mitologjik?

Sepse Skënderbeu ishte kampioni me armë i një territori të çmuar për Venecian, i cili duhej të ishte territori i Shqipërisë. Prandaj kur flitej për perëndinë e luftës ishte njëlloj si të hyjnizoje Skënderbeun. Dhe kujt mund t’i referoheshin tjetër përveçse atij që në mitologji ishte zot i luftës, pra Marsi, ndërkohë që në dokumentet e gjashtëqindës flitet shpesh për Marsin-venecian. Pra kur thua Marsi thua perëndia i luftës. Kështu që Skënderbeu, është, si të thuash, emblemë e luftëtarit madhështor, e mbrojtësit të madh.

Pra kemi pas “leximit” të kësaj statuje, kemi të bëjmë me një zbulim?

Po, askujt nuk i kishte shkuar ndër mend që kjo statujë të ishte statujë e Skënderbeut, ose më saktë, kishte qenë në një mbishkrim të bucintoro-s së Venecias, një dëshmi e shtatëqindës e cila thotë: Marsi ose Skënderbeu.

Është e qartë që ky lajm i shtatëqindës ka kaluar, ka shkarë absolutisht në plan të dytë. Ndërkohë që besohej si një farë legjende popullore që nuk kishte të bënte asfare me Marsin e anijes. Përkundrazi siç u pa edhe dje është zbuluar se është pikërisht ai, Marsi ose Skanderbegu.

Për armët që mban Skënderbeu i anijes së Doxhëve dhe për të cilat ju kërkuat ndihmën e studiuesve shqiptarë, ç’mund të thuhet tani për tani?

Në fakt po pres ndihmë nga ana e studiuesve shqiptarë, sepse ajo shtizë me të cilin është paraqitur Skënderbeu në atë gravurë të gjashtëqindës është një armë e çuditshme sepse është një shtizë e cila ka në majë një sferë hekuri. Dhe këtë e thotë edhe Barleti që kishte një topuz me një sferë hekuri. Është një armë shumë e veçantë. Do të jetë interesante të mësohet se kush ia ka sugjeruar skulptorit këtë tip arme, sepse pas skulptorit apo piktorit është gjithnjë një i shkolluar, një njeri i kulturës që duke iu referuar dokumenteve i thotë që duhet ta paraqesë kështu.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama