Martesa Microsoft-Skype Telefonat ne internet ne duart e Bill Gates

'Martesa Microsoft-Skype', Telefonat ne internet, ne duart e Bill Gates
Gjiganti i software “Microsoft” shpalli zyrtarisht se ka blerë rrjetin e telefonisë në internet “Skype”, për një shumë prej 8.5 miliardë dollarësh.

Telefon, internet. Kur e krijuan rreth 8 vjet më parë, “Skype” ishte një lloj E.T, një lloj jashtëtokësori në botën e telekomunikacionit: çmenduria e një grupi hakerash që kishin gjetur mënyrën për të telefonuar falas përmes uebit. Por vetëm dy ditë më parë kjo kompani e madhe u bashkua me “Microsoft”-in, kompaninë e themeluar nga Bill Gates, e cila prej 30 vjetësh përfaqëson pikërisht të kundërtën e internetit të lirë që “Skype” mishëronte. Çmimi?  8 miliardë e gjysmë dollarë. Është blerja më e madhe që kolosi i Redmond ka bërë ndonjëherë, një tronditje që bursa e feston me vlera pozitive, por duke ndëshkuar vetë “Microsoft”-in, sepse pavarësisht risive teknologjike, nuk ka arritur kurrë të bëjë shumë para. Megjithatë, kjo blerje do të ndryshojë mënyrën me të cilën përdorim jo vetëm telefonin dhe internetin, por edhe televizorin, video-lojërat dhe iPad.

Cilat do të jenë pasojat e menjëhershme? Integrimi mes video-thirrjeve të “Skype” dhe programit më të përdorur në botë “Outlook”. Steve Ballmer, administratori i deleguar i ‘Microsoft’, Tony Bates, administratori i deleguar i ‘Skype’ folën për ëndrrat që do realizohen dhe për mundësi të mëdha për më shumë se 600 milionë njerëz të regjistruar në këtë shërbim, që barazohen me atë të ‘Facebook’, edhe pse përdoruesit realë të muajit të fundit kanë qenë në rritje, 124 milionë.

 Pyetjet që shtrohen janë dy: a do të arrijë ‘Skype’ të shfrytëzojë suksesin për të bërë më shumë para dhe çfarë mund të lindë nga kjo marrëveshje, a do të vazhdojmë të bëjmë telefonata falas në internet apo jo? Pyetjes së dytë iu përgjigj menjëherë Ballmer: shërbimi na pëlqen kështu si është dhe nuk do ta ndryshojmë. Të parës iu përgjigj Bates, duke shpjeguar se ‘Skype’ i ri do të nxjerrë fitime përmes reklamave që do të pasqyrohen përmes mediave të reja. ‘Skype’ do të përfundojë në ‘Outlook’, por edhe në X-box dhe në Kinect, platformat e video-lojërave të ‘Microsoft’.

Pastaj do të integrohet me LYNC, shërbimi i video-thirrjeve të kompanisë Windows, që tashmë do të shndërrohet në një kompani shumë të rëndësishme. ‘Skype’, në fakt, ka një histori të turbullt blerjesh, nga themelimi tek shitja në ‘Ebay’, e cila përfundoi pasi ishte pak fitimprurëse. Ndërkaq, “Wall Street Journal” shkruan për një paradoks të madh: duke qenë se kush e përdor ‘Skype’ për të telefonuar në internet nuk paguan, “fitimet e munguara të ‘Skype’ rriten në mënyrë proporcionale me rritjen e përdoruesve. Kjo do të ishte blerja më e madhe që ka bërë kurdoherë ‘Microsoft’, më e madhe se blerja prej 6 miliardë dollarë, në 2007, për Aquantive. ‘Skype’, krijuar në 2003 nga programatorët e programit të famshëm ‘Kazaa’ për file sharing, është blerë nga ‘Ebay’ në fundin e 2005-s, e cila i shiti pastaj gjatë 2009-s mbi 50% të aksioneve firmës ‘Silver Lake Partners’. ‘Facebook’ dhe ‘Google’ bënë një luftë të madhe për blerjen e kësaj kompanie, që sot kolosi ‘Microsoft’, siç duket po e integron në familjen e tij të madhe.

 ‘Microsoft’ do të nisë dhe një divizion tjetër biznesi për ‘Skype’, ku tani drejtori aktual i Voip shërbimit, Toni Bejts do të jetë drejtor i divizionit, i cili do t’i përgjigjet direkt Stiv Balmer.
‘Skype’

Për ‘Skype’ është hapi më i madh dhe më i rëndësishëm. Kompania e themeluar në vitin 2003 nga Niklas Zennstrom dhe Janus Friis, i ka bazuar të ardhurat në lidhjet përmes kompjuterit, që ende sot dominojnë tregun e tij, me webcam dhe mikrofona të lidhur me kompjuterët personalë, por është e qartë se e ardhmja e telefonisë përmes internetit luhet mbi telefoninë e lëvizshme dhe televizionin, që gjithmonë e më shumë do të jetë i lidhur me internetin.

Në të dyja këto fusha, ‘Microsoft’ është një partner ideal për ta zhvilluar në tej ‘Skype’: kompania e Redmond prej kohësh po kërkonte të fitonte terren në botën e telefonisë celulare dhe me “Windows Phone7”-ën e saj dhe partneritetin e nënshkruar prej pak kohësh me “Nokian” (prodhuesi më i madh i celularëve në botë), do të tregojë pas pak kohësh frytet e saj me një sërë risish që do të shihen në treg. Nëse në këta smartphone do të integrohet ‘Skype’, d.m.th, mundësia e të bërit telefonata përmes internetit me kosto zero, “pulsi” për konsumatorin do të jetë evident, sepse nuk do t’u duhet më të përdorin kompjuterin për të bërë thirrje dhe video-thirrje.

Edhe në fushën e televizionit marrëveshja është shumë fitimprurëse për të dy: ‘Microsoft’ shumë shpejt mund t’i shndërrojë televizorët në makina përmes të cilëve mund të bëhen video-thirrje, që deri më sot nuk është përdorur. Por thirrja mund të bëhet edhe duke mos qëndruar para televizorit. Bota e telefonatave përmes internetit, në të vërtetë është shumë e frekuentuar prej ‘Skype’, që ka aplikimet e tij si në iPhone ashtu edhe në telefonat Android, si dhe tek disa televizorë që kanë lidhje në internet.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama