Ndoshta shtëpia juaj zien nga konflikti, mungesa e harmonisë dhe ankthi. Si rrjedhim, jeni menduar mirë nëse duhet të martoheni dhe nuk doni të përfundoni në një marrëdhënie të mbushur me dhimbje dhe zhgënjim, dhe t’u shkaktoni një tërmet emocional fëmijëve tuaj. Çdokujt i pëlqen ideja për ta ndarë jetën me dikë që e do, por nëse jeni të sinqertë, martesa është tepër e frikshme dhe ajo që të shqetëson është pyetja “A do të jem në gjendje të përjetoj një martesë dhe familje të lumtur dhe të shëndetshme?”
Martesa dhe problemet
Me gjithë problemet dhe dhimbjen, pse njerëzit duan ende të martohen? Edhe pse martesa sulmohet keqas në ditët e sotme, ecja për në altar është ende diçka shumë e pëlqyer. Nga një anketim i fundit ka rezultuar se 96 për qind e studentëve duan të martohen apo tashmë janë të martuar. Ndërkohë që 97 për qind ë tyre ishin dakord me thënien “Pasja e marrëdhënieve të ngushta familjare është çelësi drejt lumturisë”.
Pse është tërheqëse martesa
Mundësia për të pasur një martesë të mirë e të qëndrueshme e bën pothuajse këdo të gatshëm për ta provuar njëherë. E pra, pse është martesa kaq tërheqëse? E vërteta është se asnjë nuk dëshiron të jetë i vetëm. Edhe pse e bëjmë të madhe çështjen e “bërjes së gjërave si të duam” dhe këmbëngulim për të drejtat individuale, të gjithë dëshirojmë sigurinë dhe ngrohtësinë e një marrëdhënieje intime me dikë që çmendet pas nesh. Ne mund të themi se “duam të jemi vetëm” dhe dëshirojmë “pak hapësirë”, por dëshira jonë më e fortë është ta ndajmë këtë hapësirë me dikë që na do. Edhe pse tërheqja seksuale është një pjesë e rëndësishme e dëshirës tonë për intimitet, këto dëshira për t’u lidhur fort me një person tjetër nuk janë vetëm për seks. Kjo dëshirë e zjarrtë për t’u njohur dhe vlerësuar nga dikush tjetër vjen nga mënyra si jemi projektuar që në fillim.
Pse ndodh divorci
Edhe pse njerëzit dëshirojnë dhe kanë nevojë për të qenë pranë dikujt, përfundojnë të divorcuar, shpeshherë të mbushur me zemërim dhe zhgënjim. Shumica e atyre që martohen përpiqen të arrijnë një lidhje të fortë e të qëndrueshme të bazuar kryesisht tek ndjenjat dhe emocionet. Në shumicën e marrëdhënieve dashuria dhe pranimi vazhdojnë për aq kohë sa personi tjetër po plotëson një nivel të caktuar pritjeje. Nëse ndjenjat janë të ngrohta, burri dhe gruaja mund ta shijojnë shoqërinë e njëri-tjetrit, i shpërfillin karakteristikat e mërzitshme të partnerit, komunikojnë siç duhet dhe akoma shprehin afeksion. Por kur ndjenjat ftohen, njëri ose të dy së bashku mësojnë se nuk kanë asnjë rezervë apo aftësi për të dashur një person me sa duket të papërsosur.
Tashmë nevojat nuk plotësohen, gjë që shkakton lëndim, nxit vetëmbrojtje, dobëson komunikimin e mirë, shton keqkuptimet, provokon konflikt, dhe që i hedh zjarr zemërimit dhe trishtimit. Nëse falja dhe pajtimi nuk e ndalin këtë spirale në rënie, aftësia për ta dashur njëri-tjetrin paralizohet. Ky model në pothuajse të gjitha marrëdhëniet mund të shmanget për aq kohë sa çështjet e nxehta që provokojnë egoizmin nuk ekzistojnë apo janë hijezuar. Por herët a vonë realiteti godet. Me gjithë qëllimet më të mira të një çifti, ata kuptojnë se dy njerëzve të pavarur nuk mund t’u plotësohen të gjitha nevojat e tyre gjatë gjithë kohës