Martesa si na transformon

Martesa, si na 'transformon'
Gjendja civile është e lidhur ngushtë me formën tonë fizike. Martesa ndikon në “prishjen” e një forme të mirë fizike, ndërsa të qenët vetëm apo i divorcuar na ndihmon të kemi një trup të shkëlqyer.

Të divorcuarit dhe beqarët kanë formë më të mirë fizike

Lidhjet shpirtërore janë të lidhura ngushtë me formën fizike. Martesa ndikon në “prishjen” e një forme të mirë fizike, ndërsa të qenët vetëm apo i divorcuar ndikon për të pasur një formë më të mirë trupore. Ky është përfundimi i dalë nga “Karolinska Institute” në Suedi i drejtuar nga doktor

Francisco Ortega dhe i publikuar në "American Journal of Epidemiology". Studiuesit kanë monitoruar 9000 vullnetarë të rritur, 6900 meshkuj dhe 1971 femra. Subjekte të tilla u kontrolluan për tre vjet: gjendja e tyre psikofizike u vlerësua përmes testeve dhe intervistave mbi stilin e jetesës. Përfundimi? Martesa mund të përkeqësojë gjendjen fizike të të dy sekseve. Për sa u përket grave, ato që ishin beqare ishin shumë herë më në formë të mirë se koleget e martuara, madje edhe gjatë periudhës së vëzhgimit arritën të përmirësonin paraqitjen fizike. Edhe për sa u përket meshkujve, situata nuk është shumë ndryshe. Këtu beqarët dhe të divorcuarit kishin trup më të mirë se ata të martuarit, edhe pse luftonin shumë. Pra, rezultatet tregojnë qartë se ndryshimet e mëdha në jetën e një personi (si martesa apo divorci), kanë një impakt të dukshëm mbi aspektin fizik dhe gjendjen shëndetësore.

Studimi

Studiuesit kanë monitoruar me teste të ndryshme fizike dhe pyetësorë periodikë stilin e jetesës, shëndetin dhe formën fizike të personave për një periudhë kohore prej tre vjetësh, gjatë të cilës një pjesë e mirë e njerëzve ishin martuar, të tjerë ishin divorcuar dhe një pjesë kishin mbetur beqarë. U pa se gratë që kishin mbetur beqare gjatë gjithë periudhës së studimit kishin një formë fizike më të mirë në krahasim me shoqet e tyre të martuara, madje përgjatë këtyre viteve kishin përmirësuar formën e tyre fizike. Për meshkujt, rezultatet ishin më të këqija, të martuarit kishin humbur pothuajse të gjithë formën e tyre fizike, ndërsa beqarët pjesërisht kishin shpëtuar nga ky fat i hidhur. Për meshkujt, që gjatë studimit ishin përballur me një divorc, format fizike përkundrazi ishin përmirësuar. Me pak fjalë, nëse martesa është në prag, më mirë të regjistrohemi në palestër dhe jo vetëm për të na ndenjur bukur fustani që kemi zgjedhur për ditën e martesës, por edhe për të qenë në formë në vitet pasardhëse.

Studimet mbështetëse

Një tjetër studim i “Cornell University”, i publikuar në vitin 2004 në revistën “Social Science and Medicine”, e konfirmonte këtë tezë. Sipas studimit, çiftet e sapomartuara janë të prirura të grumbullojnë më shumë kilogramë, ndërsa ata që divorcohen priren t’i humbin. Një tjetër studim i publikuar në “Obesity Research” jepte edhe shifra të sakta: kush martohet shton 2 ose 3 kilogramë në dy vitet pas martesës. Si ka mundësi që ndodh e gjithë kjo? Shpjegimi i parë është se secili prej dy të martuarve ka prirjen të ndikohet nga zakonet e këqija të të ushqyerit të partnerit. Me pak fjalë, më thuaj se si ha, të të them nëse do të martohem me ty. Sigurisht që nuk duhet të arrijmë deri në këtë ekstrem, por nuk duhet lënë pas dore nënvizimi i kërkimit që të ushqehesh njëlloj si personi që ke zgjedhur për të kaluar jetën.

Sipas David Katz të “Yale University School of Medicine”, rritja e përgjegjësisë, reduktimi i kohës së lirë për të praktikuar aktivitet fizik dhe stresi i shkaktuar nga administrimi i familjes, janë faktorë që nuk ndihmojnë ata që duan të jenë në formë. Jeta familjare dhe në çift lidhet me konsumin e vakteve të rregullta, më të plota dhe më të shëndetshme. Humbja e partnerit dhe divorci janë dy faktorë që të bëjnë të humbësh peshë, por nuk ka asnjë marrëveshje mes ekspertëve rreth motiveve që çojnë drejt dobësimit. Një shpjegim mund të jetë fakti se të ngrënit vetëm çon në reduktimin e racioneve dhe të shtyn të hash më pak. Po ashtu, një studim i “Duke University” ka treguar se ardhja e fëmijëve përkon me një rritje të peshës 7 për qind për gratë dhe 4 për qind për burrat.

Net pa gjumë, ushqyerje jo e rregullt, tendenca për të ngrënë pjata të përgatitura shpejt, më pak kohë në dispozicion për të praktikuar aktivitete fizike janë faktorë të tjerë që me ardhjen në jetë të një fëmije u shtohen atyre se me martesën jemi të prirur të shtojmë në peshë. Pastaj nuk duhen harruar vështirësitë që jeta në çift të imponon, kur një prej dy partnerëve është në dietë. Po ashtu, për të mos u nënvlerësuar është edhe fakti se shumica e rasteve të qëndrimit në shtëpi të detyron të hash së bashku.

Darka romantike, kinema dhe kokoshka, mbrëmjet apo aperitivët me miqtë janë të tjerë faktorë negativë. Atëherë si ta evitojmë të shtuarin në peshë gjatë martesës? Një ushqim i mirë i zgjedhur, pak ushtrime fizike dhe aspak stres. Ideale do të ishte të gatuanit dhe të bënit pazarin së bashku, duke u argëtuar dhe duke kërkuar të zgjedhësh ushqimet më të shëndetshme dhe më pak kalorike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama