Ish-deputeti socialist, Andis Harasani u shpreh dje kundër ligjërimit të martesave gay. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Harasani bën thirrje që të gjithë t’u thonë “jo” nismave të tilla.
Në komentet e tij, Harasani shprehet se: “Jam kundra nismës së Avokatit të Popullit për legalizimin e martesave gay. Dhe këto janë arsyet: 1. Nuk është martesë, 2. Është kundër ligjeve të natyrës, 3. Në çdo rast do privojë një fëmijë nga nëna ose nga babai, 4. Promovon stilin e jetës homoseksuale”. Më tej, Harasani rendit të tjera arsye. Sipas tij, kjo nismë “Kthen një devijim moral në një të drejtë civile, 6. Nuk krijon familje, por një Bashkim natyror steril, 7. Detyron shoqërinë ta pranojë homoseksualitetin dhe në fund ai mendon se një martesë e tillë fyen Zotin.
“Mos harroni. Jeta fillon me Adamin dhe Evën dhe jo me Adamin dhe Stivin. Thuajini të gjithë ‘jo’ nismave të tilla”, përfundon komentin e tij, Harasani. Reagimi i ish-deputetit të PS-së vjen pas shpalljes së idesë nga Avokati i Popullit, Igli Totozani. Avokati i Popullit pak ditë më parë deklaroi se do të propozonte ndryshimin e Kodit të Familjes, me qëllim legalizimin e martesave mes personave të të njëjtit seks edhe në vendin tonë.
Kaq mjaftoi që kjo kërkese të rindizte debatin mbi komunitetin LGBT dhe të drejtat e tyre. Fillimisht ishin dy deputetë të djathtë që u shprehën kundër. Mesila Doda dhe Tritan Shehu kanë argumentuar qëndrimet e tyre kundër asaj çfarë tha Totozani. Mesila Doda tha se: “Pasi kauzën e romëve e mori Erjon Veliaj, Avokati i Popullit Igli Totozani shpiku kauzën e tij të fundit, atë të përgatitjes së projektligjit për martesat gay. Si deputete, grua, nënë, familjare shpreh mosaprovimin tim të thellë për një prononcim të tillë. Familje është vetëm ajo që vjen nga martesa e një burri dhe një gruaje, dhe së bashku mbështesin dhe mirëpresin fëmijët që vijnë në jetë”. Madje Doda bëri thirrje në “Facebook” që të krijohet një bllok pengese kundra kësaj nisme.
“Ju ftoj të gjithëve të bëhemi një bllok pengese për iniciativa të tilla që shkojnë kundra thelbit të jetës sonë, kundra vullnetit të Zotit që botën tonë e bekoi me bashkimin e burrit me gruan”. Nga ana e tij, deputeti Tritan Shehu theksoi se një ligjërim i martesave gay do të sillte shkatërrim të shoqërisë njerëzore. “Dëgjova me habi deklaratën për ‘projektligjin’ për martesat gay të Z.Totozani. Është absurde dhe jo në mbrojte të të drejtave. Përkundrazi! Shkatërruese! E drejta universale është ajo e krijimit të një familjeje, që të sigurojë së paku vazhdimësinë. Familja është një koncept i shenjtë”, tha Shehu.
Ndërsa përfaqësuesi i LGBT, Kristi Pinderi, u bëri thirrje deputetëve që të marrin pjesë në debat me argumente dhe jo linçime.