Martese ne pleqeri

Martesë në pleqëri
Të martohesh në pleqëri është se ç’është! Në fillim, Hasan Fejzo, burrë shtatmadh me një mal thinja në kokë, nuk e kishte fort qejf këtë muhabet. Por, hajde dhe fol me të sot! Kur po u afrohet të 80-ave, ai thotë se ka bërë mirë që ka dëgjuar llafin e të afërmve. Ai është martuar me zonjën Nebile katër vite më parë, në një kohë kur as nuk i shkonte më në mendje t’i hynte kësaj valleje. Në fakt, nuk e pati aspak të lehtë. Në një krah nuk e linin rehat njerëzit e gruas së parë, e cila kishte vetëm pak kohë që ishte ndarë nga jeta.


Në krahun tjetër nuk e linin rehat njerëzit e tij më të afërt, që donin ta martonin me zor. Po edhe vetë ishte ca i dyzuar; i dukej vetja ca si shumë i moshuar për të marrë Napolonin edhe njëherë. Kjo dhe ca arsye të tjera madhore e stepnin që të mos thoshte “Po” menjëherë. Llafet e njerëzisë se, një burrë i moshuar po lidh kurorë me një grua shumë më të re në moshë se ai vetë, nuk e linin të qetë sedrën e Hasanit.

Por, në fund bëri si bëri dhe Hasani vendosi ta heqë vallen si di vetë, por tani jo më me ceremoni, por me një darkë të thjeshtë ku mblodhi miqtë e tij më të afërt. Që nga ajo ditë e deri më sot, kanë kaluar paq 4 vite martesë, të cilat ai dhe zonja Nebile vazhdojnë t’i shijojnë sikur të jenë në muaj mjalti. Madje shkojnë aq mirë sa habisin edhe njerëzinë që u kalon pranë dhe këpusin pas shpatullave ndonjë mufkë, si për të prishur syrin e keq. “Në fillim as që e kam menduar se do të martohesha përsëri, por ishin kushtet që më detyruan të marrë një hap të tillë. Isha në një trysni të madhe.

Në njërën anë nisën kokëçarjet me njerëzit e gruas së parë. Ata nuk mund ta pranonin dot faktin që unë po martohesha sërish dhe, aq më shumë, pa u mbushur një vit nga ndarja nga jeta e bashkëshortes. Mandej ishin njerëzit e mi që nuk mund të më shikonin dot vetëm. Ata donin që sa të isha gjallë unë, të kisha një krah ku të mbështetesha”. Këtu, 78-vjeçari nis e sikletoset ca, e fillon e djersit. I është dashur të luftojë me mullinjtë e erës.

Po tani çdo gjë ka kaluar, e duket sikur njerëzit janë mësuar me shtrëngimin krahëpërkrah të Hasanit dhe Nebilesë. Më shumë se burrë e grua, ata janë miq të mirë. Nebileja është 26 vite më e re se bashkëshorti i saj, por kjo për të nuk ka pikë rëndësie. Ashtu sikurse Hasani, edhe 52-vjeçarja ka pasur presione të forta nga rrethi familjar, i cili e kishte të vështirë të pranonte lidhjen e çiftit, kjo edhe për shkak të diferencës së madhe që ata kishin me njëri-tjetrin.

Por njerëzit kanë punën e tyre. Përtej paragjykimeve, Nebileja pohon se i duket jo sikur ka katër vite martesë me Hasanin, por sikur të ketë kaluar me të një jetë të tërë. “Unë nuk mund të vdes fillikat, vetëm se zotëroj disa toka dhe se do më duhet medoemos t’ia trashëgoj dikujt. Nëse iki nga kjo jetë, unë nuk do të gëzoj asgjë.

Kështu që nuk e kam parë me këtë sy martesën e dytë. Unë e bëra një gjë të tillë, sepse kisha nevojë për një person në krah, dhe e them prapë që kam bërë shumë mirë, aq sa në fillim mendoja se do të pendohesha”, - ndërhyn Hasani në bisedë, duke kujtuar telashet që ka kaluar në fillimet e martesës me zonjën Nebile. Sigurisht që të dy do të dëshironin që ta finalizonin lidhjen me ceremoni martesore.

Por, sikurse e thamë, rrethanat ishin të tilla sa vallet dhe lodrat do të ishin të tepërta. Nebileja gjen kohë dhe shkëputet nga puna sapo i krijohet mundësia. Ajo nuk ka dalë ende në pension dhe për momentin punon me kohë të pjesshme në një dyqan konfeksionesh. Punon 4 orë, pasi kërkon t’i qëndrojë sa më pranë bashkëshortit të saj.

Por, edhe Hasani nuk është pasiv. Gjatë ditës ai lexon, ndërkohë që del shpesh të shëtisë, pasi mjeku e ka këshilluar të bëjë një jetë aktive për të mbajtur në parametra normale rrahjet e zemrës. Nga martesa e parë, Hasani nuk u gëzua dot me një fëmijë. Por tani si dhuratë në pleqëri, atij i është bërë krah vajza e vetme e Nebilesë, e cila nuk harron ta marrë ngaherë në telefon. Kjo, në një anë e ka bërë burrë të lumtur, ndërsa nuk përton që shembullin e tij t’ua përcjellë edhe të moshuarve të tjerë, të cilët bëjnë mirë të lënë pas paragjykimet.

Shtëpia ku banojnë Hasani dhe Nebileja gjendet diku në qendër të Tiranës. Ata jetojnë në një banesë të mobiluar me shumë shije. Ajo çka të bie në sy është biblioteka e vendosur diku në qendër, nga numërohen më shumë se 100 tituj librash artistikë dhe teknikë, dhe kuptojmë se leximi është një nga kënaqësitë e Hasanit.

Përballë saj janë 2 piktura të prindërve të tij të punuara në vaj. Ato i ka pikturuar Muharremi, vëllai i tij, të cilin e njohim si regjisorin e 2 kryeveprave; “Kapedani” dhe “Mësonjëtorja”. Hasani krenohet me vëllanë dhe djalin e tij, të cilët e kanë ndryshuar dhe rrjedhën e familjes duke ndjekur rrugën e artit.

Në një kënd të dhomës, Nebileja ruan me fanatizëm të gjitha fotot e familjes së bashkëshortit. Hasani nuk harron të përmendë me krenari rrënjët e familjes së tij, e cila është nga Erseka. Babai i tij, Flamuri, ka punuar në Amerikë për vite me radhë në fillim të shekullit të 19-të dhe me kthimin e tij gjatë kryengritjes së Vlorës, u vendos në Ersekë, atje ku investuan dhe të ardhurat.

Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama