Më 24 shtator Qendra Albanologjike i kushton një ditë shkencore 85-vjetori të lindjes së Martin Camajt. Tani që të gjithë janë kthyer nga pushimet mund të merren me detyrime që do duhej të përmbusheshin në kohën e vet. Megjithëse i lajmëruar disa muaj përpara 21 korrikut, data e përvjetorit të Camajt u injorua plotësisht në çdo rang institucional, po edhe të ndonjë lloj komuniteti kulturor.
Gjithsesi, nesër, shfaqet performanca poetike "Jam larg atyne që flasin si unë", me regji dhe libret të Stefan Çapalikut. Dramaturgu ka zgjedhur nga veprat me poezi të Camajt pjesët ku autori tregon për fëmijërinë në Temal, largimin nga Shqipëria dhe jetën në mërgim. Janë shkëputur edhe pjesë nga romani "Rrathë" (1978) dhe vepra poetike "Dranja" (1979). Poezia e Camajt nuk ka qenë e lehtë të interpretohet nga të rinjtë studentë të degës aktrim, sepse "ai është një poet modern, hermetik dhe nuk është i thjeshtë për t'u perceptuar". Muzika e Fatos Qerimajt shoqëron leximin që mbyll maratonën akademike të konferencës kushtuar Martin Camajt në kulturën shqiptare. Nesër në mbrëmje, ora 20.00 te "Sarajet", Tiranë.
Si e keni menduar inskenimin e teksteve poetike të Martin Camajt?
Performanca nuk është bazuar në një tekst dramatik të Camajt. Jam mbështetur në poezinë e tij, pasi në krye ai është poet. Në përzgjedhjen e poezive kemi ndjekur kriterin tematik, që përmblidhet qartë në titullin e performancës, "Jam larg atyne që flasin si unë". Kjo ka qenë drama personale e Martin Camajt. Drama e largësisë, e pamundësisë së kthimit në atdhe, që nxjerr krye herë pas here në poezitë e veta. I jemi referuar edhe prozës poetike, "Dranja" dhe romanit "Rrathë". Te "Dranja" poeti rrëfen për një breshkë, "një frymor i papërsosur", siç e quan ai, fati i së cilës është i pleksur me fatin e tij personal. Kurse, nga "Rrathë" kemi marrë momentin ku personazhi kryesor asiston në një ritual mistik.
Përzgjedhje është bërë për motive estetike, në mënyrë që performanca të ketë edhe momente të qeta, të ndjekë edhe një ritëm. Gjykoj që është një punë më e vështirë të drejtosh një performancë poetike sesa një tekst dramatik. Te shfaqja e bazuar në një tekst dramatik, është ngjarja ajo që e prin regjisorin dhe ka një mekanizëm shkak-pasojë. Në rastin e performancës, kjo nuk ekziston. Atëherë thirren në ndihmë elemente të tjerë, elementët skenografikë, ritmikë, muzika, lëvizjet. Performanca interpretohet te "Sarajet", një prej shtëpive karakteristike të mbetura të Tiranë. Mendoj se djemtë dhe vajzat e përfshirë në këtë projekt kanë punuar mirë sepse kanë përballë tekste të vështira. Ky është njeri nga rastet ku bukuria dhe vështirësia qëndrojnë bashkë.
Çfarë duhet të marrë parasysh ai që performon Camajn?
Camaj është poet mjaft modern, hermetik dhe nuk është i thjeshtë për t'u perceptuar. Duhet ta qëmtosh fjalë pas fjale. Është poet i cili me anë të poezisë ndërton imazhe, si një piktor. Imazhet e tij janë surrealiste, herë naive. Po t'i referohemi kujtimeve të fëmijërisë mbi Dukagjinin, mbi vendin ku ai ka lindur, shohim që ato janë shpërfytyruar, deformuar. Mund ta krahasojmë me pikturën e një fëmije, që pa ndonjë qëllim të caktuar e deformon realitetin. Këto janë vështirësitë e realizimit në skenë. Jemi përpjekur që stilistikisht ta ruajmë mjedisin në të cilin Camaj ka jetuar në fëmijërinë e vet. Materialet skenike janë materiale të natyrës, dru, hekur, sëpatë, bohçet e pishave, mollët, shegët. Janë elementë me simbolika të forta që aktorët i zbulojnë duke hyrë në marrëdhënie me to. Skenografia e Merita Spahisë krijon idenë e vjeshtës, që ai e ka të pranishme në poezi.
Kur e keni pasur kontaktin e parë me veprën e tij?
Për fat të mirë, kur ai ishte gjallë. Kam një korrespondencë dhe një relike të çmuar, kolanën e veprave të tij me një mbishkrim. Ma ka dhuruar para se të vdiste. Në vitet 1991 kam botuar në gazetën "Republika", artikullin "Martin Camaj i gjallë e i vdekur". Kisha dëgjuar për të dhe e dija që ishte një figurë e rëndësishme. Para se të përgatisja artikullin, i gjeta adresën e banimit, në Bavari. I shkruaj një letër duke treguar interesimin tim personal për veprën e tij. Ai u entuziazmua prej kësaj, sepse ishte një shenjë e sinqertë që vinte nga atdheu. Në këtë kohë më kishin rënë në dorë dy librat e tij të parë, të botuar në Kosovë, pasi ai ishte arratisur, "Kanga e Vrrinit" dhe "Nji fyell ndër male". Librat m'i kishte dhënë një koleg i mirë në Universitetin e Shkodrës, profesori i gramatikës historike Safet Hoxha, i cili kishte qenë shokë klase me Martin Camajn në Universitetin e Beogradit.
A flitej për Martin Camaj në Shkodër?
Veprat e tij thuajse nuk ekzistonin. Rasti i profesor Safet Hoxhës ishte unikal sepse ai kishte pasur guxim t'i ruante ato dy vepra të Camajt. Në fund të fundit, Camaj konsiderohej armik i sistemit dhe nuk ishte e thjeshtë të mbaje në shtëpi veprat e tij.
Camaj nuk iku i famshëm nga Shqipëria. Jehona e tij do të ngelej, siç ngeli jehona e Ernest Koliqit. Edhe ai iku si Camaj, por e kishte bërë veprën më të madhe para se të ikte, kurse Camaj e bëri pasi iku. Ishte një fakt që natyrisht njerëzit e Shkodrës nuk kishin si ta dinin. Martin Camaj ishte një mësues fshati kur iku. E gjithë karriera nisi në ekzil.
Çfarë ju shkruante Camaj në letrat e tij?
Kam pasur një korrespondencë jo të gjatë, pasi ai u sëmur. Letra e parë dukej si një rrëfim i tij mbi jetën. Në letrat e tjera ai shpesh qëndrimin e tij lidhur me letërsinë, sidomos atë të realizmit socialist. Nga letrat kuptohej që ishte njeri i prerë. Martin Camaj ishte autor që nuk e njihte kompromisin.
Në letra tregon edhe për njohjet, kontaktet me letërsinë moderne, me botën perëndimore. Krijimtaria e tij ndahet në tri faza, letërsia që shkroi në kohën e studimeve në Beograd, letërsia e shkruar në Itali, ku ai ishte afër Koliqit dhe aty u njoh me poezinë hermetike, mori leksione nga Xhuzepe Ungareti, një prej eminencave të poezisë italiane. Faza e tretë është ajo e viteve '68-69, faza gjermanike, ku ai thellon njohjen ndaj poezisë moderne, njihet me poetët e mëdhenj të pasluftës së dytë botërore, poetët anglezë. Ka shumë afrimitet me Tomas Eliot. Martin Camaj ka qenë i informuar edhe për poezinë e Lindjes, kryesisht për poetët baltikë. Ishte njeri i kthjellët, i ndërgjegjshëm për atë që bënte dhe e ka bërë në mënyrë të ndershme.
Si e shikoni vendin që zë ky autor në tekstet shkollore?
Nuk është problemi shumë te sasia e faqeve që ky poet ka në tekstet shkollore, sesa te mundësia që mësuesit e letërsisë kanë për ta komentuar drejtë dhe mirë dhe me dashuri këtë poet. Problemi i Camajt është i lidhur ngushtësisht me problemin e gegnishtes. Në Shqipërinë e sotme ka paragjykime për këtë lloj letërsie, prej njerëzve të paditur, që nuk e shohin dialektin si një pasuri e gjuhës.
Në 85-vjetorin e lindjes po kujtohet jo ashtu si e meriton. Ju si mendoni, a duhet lënë përkujtimi i figurave të tilla në duart e burokracisë?
Në promovimin e vlerave të kulturës shqiptare duhet të kontribuojnë shumë faktorë. Kushdo duhet të japë një dorë, qoftë edhe burokracia, nuk ka asgjë të keqe. Çdo faktor është i mirëpritur për të dhënë një kontribut, duke filluar prej shtetit, deri te komuniteti i artistëve. Kur komuniteti i artistëve fatkeqësisht nuk është i organizuar, për të bërë një aktivitet të vetin, nuk ka një flamur për të dalë në bulevard për të thënë ne jemi dhe ne mundemi, shpesh këto gjëra i mbeten individëve, rastësive, nismave krejtësisht private.
Shteti, i kursyer për Camajn
Nesër, ora 9.00 deri në orën 21.00, Qendra e Studimeve Albanologjike organizon konferencën shkencore "Martin Camaj në kulturën shqiptare" me rastin e 85-vjetorit të lindjes së poetit, shkrimtarit, albanologut (1925-1992). 32 studiues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Italia, Gjermania referojnë nga 10 minuta secili në aktivitetin maratonë. Konferenca ndahet në dy seksione: studime që fokusohen në letërsinë e Camajt, në tiparet gjuhësore dhe estetike të veprave "Njeriu më vete e pa të tjerë" (1978), "Rrathë" (1978), "Karpa" (1987), "Loja mbasdrekës" (1981), "Kandili argjendit" etj..
Në seksionin e dytë, studiuesit referojnë për kontributin e Camajt në gjuhën shqipe dhe albanologji me vepra si "Formimi i fjalëve në shqipe" (1969), "E folmja arbëreshe e Greçit në provincën e Avelinos" (1977) etj..
Me kaq përfundon aktiviteti që Qendra e Studimeve Albanologjike mban për Martin Camajn. Ky institucion nuk jep asnjë kontribut për botimin e plotë të veprës e cila po përgatitet këto kohë nga gjuhëtari Bardhyl Demiraj dhe përkthyesi i letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, Hans-Joachim Lanksch.
Edhe aktiviteti i mbajtur me këtë rast tkurret në një ditë të vetme për të kursyer financat.