Martin Camaj perhere me ne

Martin Camaj perhere me ne
Sot, shkrimtari dhe linguisti Martin Camaj do te kishte mbushur 85 vjeç. Ne dy vjetet qe do te kalonin deri sa vdiq, Camaj luajti nje rol te jashtezakonshem ne jeten tone. Ai ishte shembulli i gjalle i qendreses ne fushen e kultures. Botojme sot per here te pare biseden ne nje talk-show te Televizionit Austriak, ne Mars 1991 ku Camaj ndodhej perballe nje ambasadori qe mbronte vijen e PPSH-se.

Sot, shkrimtari dhe linguisti Martin Camaj do te kishte mbushur 85 vjeç. Nje moshe e zakonshme mund te thuash per malesoret e tij te Dukagjinit, sidomos per nje njeri aq te perkore si profesori i Mynihut. Por semundja e rende qe i qe shfaqur qe para se te mbushte te 65-at i rrembeu jeten me 12 mars 1992. Ai e dinte shume mire qe do te vdiste, edhe kur jemi takuar per here te pare ne Innsbruck ne shkurt te vitit 1990, mandej shume here e ka tematizuar vdekjen ne poezine e tij (Kur te vdes me mbeshtillni me tesha te leshta/sikurse ishte dokja nder te paret e mi) ndersa vitet e fundit ndertoi me te nje parabole te tere ne formen e nje cikli poetik, per mendimit tim nga me te miret ne gjithe vepren e tij: „Palimpsest".

Takimin e pare me Camajn e kam pershkruar edhe ne raste te tjera. Ai erdhi ne Innsbruck me shpresen qe nje poete lokale e atyshme te lemonte do perkthime te dobeta nga shqipja te poezive te tij. Une isha duke mbyllur studimet e mia ne ate qytet. Na e ndermjetesoi takimin albanologu i Innsbrukut Hermann Oelberg, njeri qe kishte mbledhur ne biblioteken e Institutit te tij shume literature subversive per Shqiperine e qe kerkonte me te here pas here te me thyente friken.

Subversive ne pikepamje letrare ishte vepra e Camajt, e plote ne vellime te medhenj te bukur me ngjyra te thekshme nen motivet e Gjelosh Gjokajt, e veshtire per t'u depertuar me skemat qe kishim ne ne koke aso kohe lidhur me vlerat dhe hierarkite ne letersine shqipe. Por nje here qe te kishte pushtuar magjia e gegnishtes dhe poezise se tij, ajo nuk te leshonte me.

Misteri qe fshihej ne shume nga ato poezi, abstragimi i tyre i larte, te bente t'i ktheheshe e riktheheshe si ndonje gote magjike me vere qe mbushet vetiu. Ishte nje bote gjithe ngjyra qe nuk pranonte emertime te caktuara, si mengjese te largeta feminie ku gjithe sendet dhe njerezit perreth kane kuptim te thelle e te vertete.

Vete Camaj ishte tejet i perzemert, me nje miresi te kultivuar, kur bashkohej malesori bujar me europianin erudit. Zeri ishte tejet melodioz, dukej nganjehere sikur fliste me kantilene, e nuk e di si kendonte por do çuditesha sikur te mos kendonte bukur me ate ze dhe nuancat e holla qe shqiptonte. Sidomos gjermanishten e kishte te kulluar, fjalet te nyjetuara sakte me nje tingellim Shkodre per te cilin me duket ishte krenar.

Ashtu sikurse Bogdani erdhi ne Shkoder per te lemuar kosovarishten e vet ("m'anshte dashune me djerse te medha shume fjale me nderequne nde dhee te Shkoderse") edhe Camaj kishte marre tingellimet me te bukura te qytetit te tij, ku pat zbritur dikur femije nga Temali i Dukagjinit per t'u shkolluar ne kolegjet e jezuiteve.

Per çudi ate dite te ftohte dimri nje numer fjalish ne shqip i linte te pambaruara, kalonte prej nje teme te tjetra, a thua se e nguste diçka ose pse e ndjente pamundesine qe ne kohen e mbetur te kumtonte te gjitha sa donte (midis nesh 45 vjet mungese komunikimi).

Erika e shoqja, nderhynte here pas here per ta sjelle te tema per te cilen kishin ardhur. Une ne fillim, nen ndikimin e sa e sa romaneve si Armiqte ose Mergata e korbave e kushedi sa filmave te Kinostudios Shqiperia e Re, e ndjeja qe kisha perballe armikun klasik (aq me shume qe Camaj shtatlarte kishte veshur nje pardesy te çelet dhe e kishte ngritur jaken mbi qafe ngaqe ne luginen e Innit frynte ere e forte).

Por tundimi per ta njohur ishte shume me i madh se frika, e pastaj kur sheh se ky njeri merret me kulture dhe poezi te rafinuar dhe jo me diversion, skemat e Kinostudios kthehen ne libra per femije te prape.

Ne dy vjetet qe do te kalonin deri sa vdiq, Camaj luajti nje rol te jashtezakonshem ne jeten tone.

Ai ishte shembulli i gjalle i qendreses ne fushen e kultures, vijuesi i nje tradite te panderprere ne poezine shqipe te variantit geg qe megjithate kishte hyre ne terrene te pashkelura me pare nga krejt poezia jone, duke u afruar me motrat me avangarde ne kontinent, pa e humbur karakterin e saj shqiptar, perkundrazi me rrenje shume te forta ne mitologjine dhe menyrat shprehese te Veriut. Camaj ishte shembulli i gjalle edhe i qendreses ne gjuhe.

Ndersa te tjeret luftonin me pamflete ose teorizime qe nuk i degjonte njeri, ai e tregoi me vepra te shumta ne poezi, ne proze ose dramaturgji se nje tradite aq e gjate letrare nuk mund te vdese brenda nje brezi, edhe pse per kete qe vendosur me 1972, ne kushtet e diktatit nga lart, prej shumices se perfaqesuesve te asaj qe ishte kultura zyrtare e kohes.

Kete qendrese ai e zhvilloi edhe ne shinat e dijes, me monografi e gramatika te ndryshme, sikurse ne Albanian Grammar te tij ku e analizon gjuhen shqipe ne tri koinete kryesore te saj: gegenisht, toskerisht e arberesh.

Pak per t'u habitur sot, kur Camaj pranohet nga gjithe perfaqesuesit me peshe e me poste te gjuhe-letersise shqiptare, kjo ane e personalitetit te tij lihet ne heshtje, madje Camaj ngrihet lart me fort nga te gjithe pikerisht prej atyre qe nuk duan as t'i degjojne termat gegenishte ose variant letrar geg.

Camaj pati per ne nje rol te veçante edhe si frymezues per njohjen dhe perhapjen e kultures se panjohur ose deri me aty te ndaluar shqiptare ne Shqiperi.

Ne qershor 1991 krijuam Lidhjen e shkrimtareve e intelektualeve te pavarur "Albania" qe e pati pikerisht kete si synim kryesor te saj: ne disa botime te atyre viteve si "Shqiperia zgjim i dhimbshem", "Libertas", "Quo vadis Shqiperi" etj. Martin Camaj dhe Arshi Pipa ishin nga kontribuesit kryesore. Pak dite para se te vdiste i dergoi me telefon lidhjes sone kete mesazh qe u be me pas i famshem per fjaline e tij te fundit:

"Te dashun miq e vllazen shqiptare, intelektuale, artiste dhe mbare popull shqiptar, pershendetjet e mija ju jane drejtue te gjitheve. Gezohem pa mase se keni vendose te vleresoni vepren time: ky vleresim na afron.

Bâte burrnine te me shtini ne rreshtin tuej. Ndonse te ndame per nje gjysme shekulli, une jam i jueji e ju jeni te mijt. Martin Camaj."

Ne ditet qe pasuan rrezimin e monumentit te Enver Hoxhes ne Tirane jemi takuar me Camajn ne studion e Klub 2, nje nga talk-show kryesore te Televizionit Austriak. Ishin ftuar ketu gjithashtu historiani M. Schmidt-Neke, gazetaria Ch. von Kohl, ambasadori i atehershem i Shqiperise ne Vjene, zedhenesi i Partise Demokratike Genc Pollo.

Camaj u tregua edhe ketu i qete e i matur, megjithe nderhyrjet e vrazhda e provokuese te ambasadorit qe mbronte natyrisht vijen e PPSH e qe arriti deri aty sa t'i thoshte terthorazi Camajt se i paskej duart e lara me gjakun e popullit.

Apo ndoshta Camaj u tregua i permbajtur se mendonte qe mund te hakmerreshin ndaj familjes se tij ne Temal, ndaj te vellezerve Gjergj e Zef qe jo pak kishin vuajtur qysh prej arratisjes se tij me 1948? Midis Camajt dhe ambasadorit bote kulture.

Mjaft te vereje gjermanishten e latuar me kantilene Shkodre te profesorit dhe fjalite e rremujshme te tjetrit per te bere dallimin. Sidoqofte nxora nga kaseta e emisionit te atehershem ato fragmente ku ka folur Martin Camaj dhe dialogun qe eshte zhvilluar mes te dyve:

Nga emisioni per Shqiperine ne Klub 2 te Televizionit Austriak, me 2 mars 1991:

Moderatori: Cili eshte versioni juaj, zoti ambasador [per rrezimin e monumentit]?
Ambasadori: Une perfaqesoj ketu si ambasador nje shtet dhe nje qeveri. Degjova ketu çfare thane dy zoterinjte, zoti Klosi dhe zoti Pollo, per mua nuk eshte asgje e re. Studentet ishin futur ne greve urie, kishin kerkesa te tjera te cilat pjeserisht u permbushen. Duhet te theksoj se nuk ishin aty te gjithe studentet, nuk eshte nevoja te pergjithesohet keshtu.

Ne greve urie ishin rreth 700 studente. Pastaj, thone, se u bashkuan me ta edhe punetore. Por per mendimin tone fjala nuk eshte thjesht per nje ose dy monumente. Ekzistojne forca ne Shqiperi qe duan te pengojne zhvillimet demokratike, jane forca regresive, rebele, nese mund te shprehem keshtu, jane forca te erreta qe provokuan direkt.

Moderatori: Ju thate forca te erreta, regresive, cilet keni parasysh me keto?

Ambasadori: Jane forca te erreta. Siç tha dhe zoti Pollo, po te kishte nderhyre policia, do te ndodhte gjakderdhje. Kete deshironin forcat e erreta. Ka ligje ne Shqiperi, ka nje ligj greve, qe u shkel, ka nje ligj per demonstratat, per te cilin kane rene dakord te gjitha partite, qe deri ne zgjedhje nuk do te kete demonstrata.

Te gjitha keto u shkelen. Ka nje ligj per mbrojtjen e monumenteve, edhe per mbrojtjen e emrit te Enver Hoxhes. Une nuk do te flas ketu per arritjet dhe meritat e Enver Hoxhes, nuk eshte ky qellimi im. Dua te them vetem se me aktin qe u krye aty, u luajt me ndjenjat e popullit. Dhe pikerisht kete donin te arrinin.

Christine von Kohl: Po kush ishin keto forca?

Ambasadori: Sikur ta dija une... Por ka te ngjare te dale, me siguri.

Moderatori: Siç e kuptoj une, gjate vitit te kaluar qeveria e Ramiz Alise ka bere perpjekje qe me hapa te vegjel te shkohet drejt demokracise. Keto forca tani duan te shkaktohet gjakderdhje dhe te pengohen reformat, apo jo?

Ambasadori: Me lini ta mbaroj mendimin. Pas ketij incidenti te gjitha partite politike, edhe Partia Demokratike, i denuan keto akte kriminale, qe jane penguese per procesin e demokratizimit ne Shqiperi dhe duan te çojne ne lufte civile. Ketu ka nje kunderthenie. Zoterinjte ketu, si perfaqesues te Partise Demokratike e pershendeten kete akt, nga ana tjeter zyrtarisht ka nje deklarate te kesaj partie qe i denon keto akte.
Martin Camaj: Shtjellimet tuaja zoti ambasador, me tingellojne shume te erreta, kurse keto forcat e erreta me tingellojne mistike, mistifikim i fakteve.

Edhe diçka qe me ka bere shume pershtypje, sidomos me rrezimin e Enver Hoxhes, si letrar: figura e Enver Hoxhes - per ne jashte Shqiperise, e une perfaqesoj ne njefare menyre ketu diasporen - eshte paraqitur si nje njeri i dashur, te cilin e adhuron gjithe populli. Keshtu nga nje person real u krijua nje person fiktiv, i cili gjeti pasqyrimin e vet pastaj edhe ne letersi.

Sipas ndjesise sime ky rrezim eshte diçka simbolike, diçka qe e ka pritur i gjithe populli shqiptar prej 45 vjetesh. Shtjellimet tuaja (i drejtohet ambasadorit) per demokracine me duken mjaft te dyshimta, qe nje bartes, nje flamurtar i diktatures te udheheqe demokratizimin.

Kjo eshte nje contradictio in termines, qe nje diktature, me policine, me te gjitha strukturat e saj, te qenkej ne gjendje te realizoje demokratizimin ne Shqiperi ose ta ndihmoje ate.

Une jam nje emigrant i vjeter, ju natyrisht mund te thoni qe une paraprakisht jam nje armik, emri im deri me sot ishte krejt i ndaluar ne Shqiperi, po te me kishit pare para e zeme tete muajsh, ju me siguri nuk do te ma kishit dhene doren, sikurse ka ndodhur shpesh.

Por dua te jem me te vertete objektiv. Pra, une nuk besoj qe Partia e Punes se Shqiperise te jete ne gjendje te udheheqe proceset e demokratizimit ne Shqiperi. Jam shume i gezuar qe sonte kemi ketu keta dy zoterinj, perfaqesues te brezit te ri dhe une besoj se brezi i ri sot, qe quhen demokrate, se vetem keta jane ne gjendje te realizojne nje demokratizim te vertete ne Shqiperi.

...Moderatori: Duket e pamundur qe dikush ne vendet e Lindjes qe udheheq nje parti, qe eshte i rrethuar nga shoket e partise te jete ne gjendje te realizoje me shkathtesi reforma. Shembulli me i mire eshte Gorbaçovi qe filloi perestrojken dhe qe sot sheh para vetes germadhat e perestrojkes.

Martin Camaj: E verteta eshte qe qysh prej 1945-s e deri me sot ne Shqiperi nuk jane realizuar reforma.

Ky eshte ndryshimi nga partite e tjera komuniste te Lindjes. Edhe Jugosllavia, madje edhe Rumania, kane njohur shkalle-shkalle disa reforma. Ne qofte se kuptohen me reforma grindjet ne majat e partise, kjo eshte diçka tjeter.

Kurse reforma te verteta, te natyres ekonomike, pse jo edhe ne arte... Realizmi socialist eshte gjithmone konstant - kemi nje vije te drejte neper kongreset e partise, te themi qe nga 1948 e deri me sot eshte gjithmone po nje vije e drejte, e patrazuar, pa reforma.

Ambasadori: Ne qofte se ju thoni vetem nje vije e drejte, pse jo, ju i keni kthyer kurrizin Shqiperise, por edhe jeni shume larg qe ta ndiqni Shqiperine nga Mynihu. Reforma ka patur edhe te ne. Kur flitet per procesin e demokratizimit te ne duhet bere dallimi me vendet e tjera.

Procesi i demokratizimit te ne ka filluar para nje viti, ate e ka nisur presidenti Ramiz Alia duke patur mbeshtetjen e partise, ku eshte sekretar i pare, por edhe te masave te popullit. Ndryshimi eshte qe ka disa qe kerkojne qe ky proces demokratizimi te zhvillohet shume shpejt. Por brenda nje kohe te shkurter u arrit edhe liberalizimi i mendimit edhe pluralizmi i partive. Edhe ne te drejtat e njeriut ka arritje. Edhe ne ekonomi.

Moderatori: Domethene ka perpjekje per demokratizim qe prej nje viti. Por fjala eshte per me perpara, qe nuk ka patur diçka te tille, kete po thonit ju apo jo (i drejtohet Camajt)

Martin Camaj: Kjo eshte e verteta.

Dhe nuk eshte e vertete qe flasim me perafersi. Dihet qe ne Gjermani, sidomos ne universitete, si per shembull ne Mynih, ka specialiste te mire qe jane marre me problemet shqiptare. Mynihu eshte qender per studimet e Europes Juglindore, keshtu ka specialiste per ekonomine nga Instituti i Ekonomise, politologe etj.

Natyrisht te dhenat jane marre nga „Zeri i Popullit" dhe literatura juaj. Studiuesit kane qene pergjithesisht te rinj qe e njihnin mire gjuhen shqipe. Natyrisht e pranoj qe ka munguar atmosfera, hollesite, por konturet e krejt zhvillimit, keto jane regjistruar dhe hulumtuar.

Keshtu jane nxjerre perfundime, jane botuar monografi...
(Pas disa shpjegimeve nga A. Klosi per fete tradicionale te shqiptareve, kanunin, periudhen ateiste, zbrazetine morale dhe deshperimin qe shprehet me eksodin, Camaj nderhyn:)

Martin Camaj: Persa i takon etikes, moralit, kodeksit, jetes qe ka bere me pare populli shqiptar, dua te ngre nje çeshtje. Meqe ambasadori thote se une kam nje kohe te gjate larg...

Moderatori: Me falni, a do te ktheheshit tani?

Martin Camaj: Natyrisht.

Moderatori: Dua te them, a ju lejojne?

Martin Camaj: Nuk e di...

Ambasadori: Po ju e njihni Shqiperine, ju e ndiqni zhvillimin ne Shqiperi, ligjet, ju i njihni ligjet.

Martin Camaj: Une desha te ngre nje çeshtje...

Moderatori: Me falni, zoti ambasador, mund t'ju nderpres sepse po tregoheni shume misterioz. Ju i njihni ligjet...

Ambasadori: Ata qe nuk i kane ndyer duart me gjakun e popullit, qe nuk kane luftuar kunder popullit, me perjashtim te tyre te gjithe te tjeret lejohen

Moderatori: Ndiheni i prekur ju nga kjo, zoti Camaj?

Martin Camaj: Jo.

Moderatori: Domethene mund ta beje kerkesen ne Bonn.

Ambasadori: Sigurisht.

Martin Camaj: Me mire po pres edhe pak derisa keta te dy (tregon nga Klosi dhe Pollo) te vijne ne pushtet. Une jam nje tjeter gjenerate, por identifikohem me gjeneraten me te re. Keto jane çeshtje personale dhe jo fort te rendesishme.

E rendesishme eshte ajo qe kam vene re, qe familja shqiptare, struktura e familjes shqiptare eshte e tronditur. Kjo eshte shume keq per nje shoqeri qe nuk eshte shkeputur ende nga patriarkati. Ka edhe probleme te tjera, p.sh. ajo çka me ben shume pershtypje dhe me brengos, sidomos kur hyj ne bisede me emigrantet e rinj, mesoj se ne nje shoqeri te ashtuquajtur, teorikisht, pa klasa, ka te privilegjuar, me pak te privilegjuar, pastaj eshte masa, masa qe mban ekonomine, pra makineria prodhuese, dhe edhe sot, ne vitin 1991, ka te deklasuar.

Ambasadori: Ç'do te thote te deklasuar?

Martin Camaj: Te deklasuar? Domethene qe nuk kane te drejta, nuk kane prestigj... ju e kuptoni mire ç'do te thote te deklasuar.

Ambasadori: Po ke keni ju parasysh me kete?

Martin Camaj: Per shembull çdokend qe ka qene nje here ne burg. Ose prifterinjte, hoxhat, e gjithe kategoria e tyre, me aq sa jam i informuar, keta perbejne nje klase te deklasuarish...

Me dt. 6.3.1991 Camaj i shkruante nje leter Gjon Sinishtes ne universitetin e San Franciskos, botuesit te Buletinit Katolik Shqiptar. Nder te tjera i tregonte per emisionin „Me 2 marc, javen qe shkoi isha ne Vjene ku u mbajte ne televizionin ustriak nje talk-show mbi Shqiperine... Klosi e Pollo mbajten anen time ne diskusion: ambasatorin e bâme puplete derisa iu muer goja, si belbacakut. Ashte e para here qe dal e diskutoj ne nje talk-show dhe e kalova provimin."

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama