Martohet Rudina Xhunga detajet e ceremonise se celebrimit ne Bashki

Martohet Rudina Xhunga, detajet e ceremonise se celebrimit ne Bashki
Sado që u përpoqëm në gjithë këto ditë të merrnim më shumë informacione rreth fejesës së papritur të saj, nuk ia arritëm. Po ja ku erdhi, më shpejt se ç’e prisnim, lajmi tjetër i beftë. Dje, gazetarja e mirënjohur e emisionit “Shqip” në “Top Channel”, Rudina Xhunga, kreu ritin zyrtar të martesës me diplomatin, ish-punonjësin e Ministrisë së Punëve të Jashtme e më pas analist për çështjet ndërkombëtare, Dritan Hilën.

Ishte menduar të ishte një ceremoni e thjeshtë celebrimi, nga ato që organizohen paraditeve në Bashki, ku dëshmitarët dhe çifti vetë hedhin firmat, i bëjnë premtime njëri-tjetrit dhe shijojnë në heshtje ditën e tyre të lumturisë. Por ja që protagonistëve edhe këtë herë u doli situata nga duart. Dëshira për ta mbajtur e për ta shijuar vetëm mes të afërmve e miqsh këtë lajm, ra sërish.

Në një formë apo në një tjetër, ishin sërish lulet “tradhtaret”. Organizimi paraprak që po bëhej prej “Geraldina Sposa” në Njësinë Bashkiake Nr. 5 ku do të zhvillohej pak më pas ceremonia “diskrete”, nuk i la të pavëmendshëm sytë kureshtarë. E si mund të ndodhte ndryshe me gjithë ata trëndafila të bardhë, verë, shampanjë e ëmbëlsira që po hynin në Njësinë Bashkiake Nr. 5. Vetëm çifti nuk dinte asgjë. Ishte e gjitha një dasmë e çuditshme surprizë, që “Geraldina Sposa” kishte menduar t’i dhuronte Rudina Xhungës në ditën e saj më të bukur.

Sipas burimeve tona pranë kësaj njësie, çudia e radhës ka qenë pikërisht mimika e fytyrës së gazetares, habia e pakontrolluar e saj kur pa të mbledhur aq shumë njerëz të palajmëruar. E veshur me një nga fustanet e nusërisë të koleksionit të fundit të “Geraldina Sposës”, nusja mendonte se do të gjente aty vetëm të lajmëruarit, të afërmit e saj e të dhëndrit, si dhe miq të ngushtë, fytyra të njohura të ekranit të “Top Channel”.

Por ja që nuk ndodhi ashtu. Kamerat dhe muzika e televizionit ku punon, ishin kujdesur që t’i jepnin përmasa edhe më të mëdha kësaj çudie e emocionesh prej të cilave gazetarja, siç na u tha, nuk u çlirua deri në fund të ceremonisë. Ne tentuam të lidheshim vetë me të, për të mësuar edhe më shumë rreth lajmit të saj të madh, por pa sukses. Morëm vetëm habinë tjetër të saj për shpërndarjen e lajmit.

Ashtu sikundër ndodhi gati një muaj më parë, kur mësuam për fejesën e saj. Vendimi për martesë nuk kishte qenë i beftë, ishte marrë në një kohë me atë të parin, por që “veshët e gjatë” të mos mësonin gjë, ceremonitë ishin ndarë me diferencë të shkurtër kohe njëra nga tjetra. Në fund të fundit, i rëndësishëm është lajmi i bukur që Rudina Xhunga dhe Dritan Hila u martuan. Për të tjerat, ashtu siç na ka premtuar, po presim edhe pak.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama