Pjesëmarrës në takimin e Komisionit Shtetëror të Muzeve, drejtori i ri ndoqi propozimet për muzetë për të cilët pretendohet reformë totale. Vetë Fototeka Marubi, pritet të punojë në kushte të reja. Krejt të reja krahasuar me kushtet ku ndodhet deri më sot. Kush e ka vizituar njëherë Shkodrën vështirë e ka pasur të gjejë e të përputhë namin e “Marubit” me vendndodhjen e saj. Kushtet e reja të punës për Fototekën imponojnë standarde të reja administrimi e promocioni.
Në vjeshtë 2011 Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, paraqiti si investim në zhvillimin dhe promovimin e turizmit kulturor në Shkodër punimet që po bëhen në Pjacën pedonale si dhe transferimin e pritshëm të Fototekës Marubi në godinën e ish Bankës në Rrugën “Kolë Idromeno”, blerë me një fond prej 55 milionë lekësh. “Ndërtesa e re ka për të sjellë edhe një punë të re”, thotë drejtori i Fototekës. “Kjo hapësirë në një vend prestigjioz të qytetit, është e mjaftueshme sa për të mbajtur dy pavijone të mëdhenj ekspozues për fotografi, por edhe pjesën e muzeut. Ne kemi pjesë të rëndësishme të institucionit edhe krejt materialet e punës së fotografëve të shquar të cilat, me instalimin në godinën e re mbetet t’i vëmë në gjendje pune, sepse janë në gjendje pune.” Kështu që koncepti i ri sipas drejtorit Bedeni ka filluar që në momentin që kjo ndërtesë është blerë nga ministria. Përpos zyrave, në ndërtesën e re është parashikuar hapësira për një bibliotekë dhe një sallë studimi.
Marubët artistë po gëzojnë vitet e fundit jehonë ndërkombëtare falë botimeve dhe ekspozitave në Perëndim, Paris, Venecia e së fundi në Bruksel. Marubët në veçanti cilësohen një zbulim, por një histori shkencore e fotografisë shqiptare nga fillimet deri në fund të Luftës së Dytë, sapo ka filluar të shkruhet. Kujtojmë kontributin e Loïc Chauvin e Christian Raby me botimin e studimit Shqipëria një rrugëtim fotografik, 1858-1945 dhe me hapjen e ekspozitës “L’ȃge d’or de la photographie albanaise. La dynastie des Marubi et les raphsodes de lumière 1858-1956” (tetor 2011-janar 2012) në Shtëpinë Evropiane të Fotografisë në Paris.
Shkenca shqiptare i mbetet borxhlie Fototekës “Marubit”. Janë botuar albume kartolina a kalendarë nga të fondeve të fototekës të një niveli divulgativ, por jo studime të nivelit shkencor. “Mund t’ju them që projekti ynë i sapofilluar është një vepër gjithëpërfshirëse e fotografisë shqiptare.” Drejtori i fototekës sqaron: “Kemi Marubin, me dëshmitë e para fotografike më 1858, pra 19 vjet pasi u shtyp për herë të parë fotografia. Qëllimi ynë me këtë vepër në prag të 100-vjetorit të pavarësisë, është dëshmia e historisë së Shqipërisë duke dalë nga vështrimi lokal e duke përfshirë qarqe të tjera fotografësh, si për shembull të shkollës korçare të fotografisë.”
Luçjan Bedeni thotë se nuk duhen nënvlerësuar botimet e mëparshme, e të tilla ka pasur qysh më 1982, “pavarësisht se sa të mira kanë qenë politikat selektive për fotografinë”. Për ta bërë gjithëpërfshirës projektin në fjalë të fototekës, do të thotë se kërkohet bashkëpunimi i Qendrës së Studimeve Albanologjike, po edhe i Arkivit të Shtetit, sepse “nuk duhet jetë një libër ku shfletohen ca faqe e shihen ca fotografi, por që të shkruhet diçka me vlerë për historinë e artit dhe historinë e artit të fotografisë në Shqipëri, duke filluar që me fotografinë e parë të vitit 1858 e deri në ditët e sotme. Kjo është shumë e rëndësishme.”
Disa mijë negativa në xhama gjenden në Arkivin e Shtetit ku dy studiuesit francezë Chauvin e Raby zbuluan autorë anonimë mjaft interesantë; po është dhe Qendra e Studimeve Albanologjike trashëgon fondin e Institutit të Kulturës Popullore prej vitit 1978. Prej këtij fondi u stampuan dhe u ekspozuan më 2010 një koleksion i panjohur i Kolë Idromenos. E më përtej: mund të vilet lëndë në arkivat e Cetinjës, në Mal të Zi, ku Kel Marubi mbulonte edhe aktualitetin e familjeve mbretërore, si fotograf zyrtar i oborrit të mbretit Nikollë të Malit të Zi dhe realizoi rreth 1000 foto.
Qarqe kulturore me veprimtari aktive fotografike ka pasur Tirana, Berati me Lilo Xhimitikun, Elbasani me Sotir Beun, Durrësi e Gjirokastra, Korça sidomos me pasuritë fotografike të Kristaq Sotirit e Vangjush Mios në Korçë, po edhe të Dhami Burdës, Thimi Racit.
Kjo do të thotë rritje në perspektivë e interesit për kërkime e studime në fondet fotografike por edhe krijimi i kushteve për afrimin e publikut, për vizitueshmëri normale. “Ne e synojmë dhe e shpresojmë këtë me daljen në godinën e re”, shton Bedeni. “Kontaktet me qendra dhe institucione të artit në botë, të fotografisë në veçanti, i shërbejnë promovimit. Faqja e internetit të Fototekës është freskuar për herë të fundit në vitin 2003 e po të kërkoni informacion për klasikët e fotografisë, shumë pak do të gjeni. Ne këtë pikë do e mbulojmë dhe e kemi filluar punën. Në muajin maj ju prezantojmë vizionin për Fototekën Kombëtare Marubi që kryefjalë do të ketë: një fototekë e hapur për të gjithë.”
Këtë kërkojnë teoritë e sotme për administrimin e institucioneve kombëtare që ruajnë trashëgimi materiale të luajtshme si Fototeka Marubi: por ruajtja nuk mjafton, as thjesht inventarizimi e katalogimi dixhital, kërkohet rritja e standardeve muzeologjike, përdorimi i kësaj trashëgimie në kontekstet e reja shoqërore, si kundërmasë ndaj globalizimit, pasurimi i koleksioneve, e sidomos rritja e aksesit të publikut dhe krijimi i kushteve për ekspozimin dhe propagandimin e pasurisë.
“Në arkivin tonë gjendet edhe fotografia origjinale e një dokumenti të pavarësisë, një dokumenti që sot ne nuk e kemi, dhe dëshmia më e mirë në këtë rast, është ajo vizive. Pra fotografia e atij dokumenti, që daton i vitit 1937 dhe është e fotografuar nga Kel Kodheli me rastin e 25-vjetorit të festimeve të pavarësisë. Të tilla dëshmi historike do të përpiqemi t’i bëjmë publike”, thotë Bedeni. Projektet e gjysmës së dytë të vitit e për të cilat Fototeka po punon, shpallen gjithashtu në muajin maj kur drejtori mendon të bëjë një prezantim për gjithçka të njohur që ai sapo e ka prekur.
Histori
Fototeka Kombëtare Marubi u krijua në vitin 1970. Në fondet e saj ruhen negativa të fotografive që datojnë nga viti 1858. Fototeka është e lidhur kryesisht me familjen e njohur Marubi, duke filluar nga fotografi i parë shqiptar, Pjetër Marubi e pas tij, me Kel e Gegë Marubin. Rreth 200.000 negativë kanë autorë këta fotografë. 150.000 prej tyre janë të ruajtur në pllaka me bromur argjendi dhe me cilësi të lartë. Rreth 250.000 negativë fotosh të realizuara nga fotografë të tjerë të njohur shkodranë si Pici, Jakova, Raboshta e Nenshati.
Albumi i parë “Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën Marubi” me autor Kahreman Ulqinin u botua në vitin 1982.
Luçian Bedeni (1987) jeton dhe punon në Shkodër. Studioi pikturë fillimisht në Liceun “Prenkë Jakova” në Shkodër, e më pas ishte student i Edi Hilës në Akademinë e Arteve ku u diplomua më 2009. Atë vit shpallet fitues i Çmimit “Ardhje” për artistë të rinj të artit pamor dhe fiton të drejtën e një rezidence në Nju Jork. Aktualisht jep histori në Universitetin e Shkodrës.