Nga nervozizmi në pankinë me Hasan Likën, që shpesh u drejtohej ndihmësve të tij për gabimet e të tijve në fushë, deri te duart në kokë që vendoste Gjici në rastet që humbnin lojtarët.
"Panorama Sport" sjell të gjitha ato që nuk u panë në TV në ndeshjen pa tifozë.
* Edhe pse ndeshja ka qenë pa tifozë, sërish forcat policore kanë bërë detyrën e tyre, duke kryer kontrollet e nevojshme në stadiumin "Elbasan Arena", madje me qenë antieksplozivë. Brenda në stadium nuk kanë munguar as Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
* Interesimi ka qenë shumë i vakët edhe në aspektin mediatik. Tribuna e medias ishte pothuajse e boshatisur, ndërkohë që nuk kishte asnjë gazetar malazez për të ndjekur nga afër skuadrën e Rudarit.
* Takimi startoi në orën 19:00, atëherë kur dielli ende nuk kishte perënduar. Por, përpos kësaj, projektorët e stadiumit u ndezën që në këtë moment.
* Delegati i ndeshjes, Skot Struthers, gjatë gjithë lojës i bëri fotografi stadiumit, duke krijuar një ide edhe për personat e akredituar për këtë ndeshje. Gjithashtu, ai vëzhgoi me imtësi edhe kabinat e impiantit, në mënyrë që të sigurohej për ndonjë person të paakredituar.
* Duke qenë se sfida ishte pa tifozë, në stadium lejoheshin vetëm personat e akredituar, duke mos përjashtuar as vetë lojtarët me stafin e të dyja ekipeve. Të vetmit persona imun dhe pa një bexhë akreditimi ishin efektivët e policisë.
* Për shkak të vapës së madhe, kryesori i ndeshjes e ndërpreu sfidën për pak sekonda në minutën e 25-të, për të pirë ujë futbollistët.
* Të dy trajnerët, Hasan Lika i Kukësit dhe Dragan Rajojiçiç i Rudarit, kanë qëndruar në këmbë gjatë gjithë ndeshjes për të dhënë udhëzimet e tyre për futbollistët në fushë.
* Në tribunën VIP nuk mund të mungonte edhe presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i cili çdo rast të skuadrës së Kukësit e ka përjetuar me emocion, duke vënë edhe duart në kokë kur lojtarët nuk e dërgonin topin në rrjetë. Në momentin e shënimit të golit nga braziliani Rangel, nuk mungoi ekzaltimi i tij në tribunë.
* Duke qenë në disavantazh të një goli, tekniku i Rudarit nxjerr menjëherë në nxehmje tre lojtarë të stolit që në fraksionin e parë të lojës. Ndryshe nga Hasan Lika, që në pjesën e parë nuk i bëri me shenjë askujt nga pankina të bënte nxehmje, pasi rezultati dhe loja po i shkonte për shtat skuadrës së tij.
* Pas një faulli në mesin e fushës për Kukësin, Lika i bërtet Muçës për nisjen e aksionit dhe nervozizmin e tij e ndau edhe me pjesën e tjetër të stolit, ashtu siç bëri në shumë raste të tjera. Edhe për portierin Koliçi, Shametin, Micin apo Musollin dha shpesh udhëzime.
* Në minutën e 43-të të takimit, kur portieri Koliqi dribloi një kundërshtar në zonë, Gjici së bashku me stafin e Kukësit i tërhoqën vëmendjen portierit për rrezikun ku për pak u barazua sfida.
* Duke ditur rregullat e rrepta të UEFA-s, fëmijëve që kapin topat duhet të mos luanin me topin. Për këtë arsye, nga stafi i Kukësit iu tërhoq vëmendja që të tregonin kujdes.
* Përpara se të hynte në lojë Bekim Dema, trajneri Lika i bërtet duke i thënë të ndërronte getat, pasi diçka nuk shkonte.
* Gjatë momentit të zëvendësimit të Bozoviç, ky i fundit nuk e pranoi vendimin dhe hyri drejt e në dhomat e zhveshjes. Në këtë moment trajneri malazes i bërtet me të madhe i nervozuar.
* Drejtori i Përgjithshëm i Kukësit, Dritan Dervishi, në zëvendësimet për kuksianët mori tabelën e zëvendësimit dhe ia dërgoi gjyqtarit të katërt. Të njëjtën gjë bënte edhe një zyrtar i ekipit të Rudarit.
* Në momentin që autobusi i Kukësit po largohej nga stadiumi "Elbasan Arena", prek një bordurë të parkingut. Për fat, asgjë më shumë dhe më pas nisi rrugëtimi normalisht.
V. MEMA