Ndërtimi i kompleksit shumëkatësh me pesë struktura banimi dhe shërbimi, nga 1 deri në 17 kate dhe me 3 kate parkim nën tokë, në rrugën “Kristo Luarasi”, i cili nisi të ndërtohej shumë pranë Digës së Liqenit u pezullua dje nga një urdhër i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK). Urdhri ka shpallur të pavlefshëm vendimet e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe, të kompanisë ndërtuese “Gener 2” sh.p.k. Sipas një njoftimi zyrtar, INUK-u i konsideron të pavlefshme dy vendimet nr.9967/7 dhe nr. 9967/13 të Bashkisë së Tiranës, sipas të cilit janë shkelur disa ligje. “Vendimi i INUK është në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive të veta ligjore”, thuhet në njoftim. Leja për ndërtimin e këtij kompleksi është dhënë nga Bashkia e Tiranës në gusht të vitit 2014.
Fakti që këto ndërtime do të kryheshin në zonën e Parkut të Madh të Tiranës dhe shumë pranë Digës së Liqenit, shkaktoi një debat të madh publik. Politikanët, ambientalistët, por edhe banorët u shprehën kundër këtij projekti, pasi cenoheshin hapësirat e gjelbra dhe siguria e digës. Pasi konstatoi fillimet e punimeve te sheshi i ndërtimit pranë rrugës “Kristo Luarasi”, INUK-u iu drejtua Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), si autoriteti përgjegjës për kontrollin e përputhshmërisë së akteve të botuara në regjistër me ligjet, dokumentet e planifikimit dhe ato të kontrollit të zhvillimit në fuqi. Nga shqyrtimi i plotë i praktikave dokumentare, INUK-u konstatoi se vendimi për dhënien e kësaj leje ndërtimi nga kryetari i Bashkisë Lulzim Basha është i pavlefshëm, pasi ka një sërë parregullsish, pasi është bazuar në akte që nuk kanë marrë ende fuqi juridike. Ky akt ka dalë pas datës 22.8.2014 kur KKT-ja pezulloi dhënien e lejeve të zhvillimit nga kryetrarët e Komunave dhe Bashkive. Sipas INUK ky vendim është në kundërshtim me ligjin “Për Planifikimin e Territorit”. Vendimi i dhënë nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e këtij kompleksi nuk është i shoqëruar me planvendosjen e objektit, të dhënat teknike dhe kushtet urbane që duhet të shoqërojnë vendimin, sipas ligjit në fuqi. Vendimet e kryetarit të Bashkisë për të tri fazat nuk është i shoqëruar me dokumentacionin e plotë sipas parashikimeve ligjore. INUK-u argumenton gjithashtu se, me vendimin nr. 4 të datës 6.01.2015 të KKDM, (Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha) është konstatuar pavlefshmëria e vendimeve të KKDM-së nr. 2 dhe nr. 3 për miratimin e studimit hidroteknik për sigurinë e Digës së Liqenit Artificial dhe masat mbrojtëse nga diga.
Me datë 05.09.2014 Bashkia Tiranë i dërgon KKDM-së projektet e zbatimit të punimeve për miratim nga ana e KKDM-së, për përmbushje të kritereve të përcaktuara në studimin hidroteknik për sigurinë e Digës së Liqenit Artificial dhe masat mbrojtëse nga diga. “Vendimi Nr.4, datë 06.01.2015 i KKDM-së bazohet në Raportin e Kontrollit të ushtruar nga Njësia e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsionit, i cili doli në përfundimin se, Vendimi Nr. 2 dhe Nr. 3 i KKDM-së janë absolutisht të pavlefshëm, pasi KKDM nuk kishte shqyrtuar një material a dokumentacion të titulluar dhe hartuar nga studio e licencuar, që të trajtojë “Studimin hidroteknik për sigurinë e digës së Liqenit Artificial të Tiranës” që do kishte qenë pjesa themelore e studimit që ka të bëjë me legjislacionin për sigurinë e digave, por ishin shqyrtuar vetëm disa masa mbrojtëse për objektin e propozuar për ndërtim”, thuhet në njoftimin zyrtar të INUK. Të gjitha këto mangësi kanë bërë që INUK- u të pezullojë vendimin për vazhdimin e punimeve të këtij kompleksi.
Qoftë në aspektin formal ashtu edhe atë të përmbajtjes, objekti është në kundërshti me ligjin për planifikimin e territorit dhe ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, si dhe vendimin e KKT për harmonizimin e instrumenteve të planifikimit vendor në funksion të ndarjes së re administrative territoriale, sipsa INUK-ut. Të pavlefshëm dhe nul INUK e konsideron edhe vendimin tjetër të dhënë nga kryebashkiaku Basha, ai me nr. 9967/13, ku argumenton se vendimi është bazuar në akte që nuk kanë marrë ende fuqi juridike. Ai është një akt i dalë pas datës 22.08.2014, kur KKT-ja pezulloi dhënien e lejeve të zhvillimit nga Kryetarët e Komunave dhe Bashkive deri në konstituimin e njësive të reja vendore; si edhe argumentet e tjera që lidhen me sigurinë e digës dhe planifikimin e territorit.
Punëtorët: Kemi punuar me ngut 24 orë
Në momentin kur inspektorët e INUK-ut kanë shkuar te sheshi i ndërtimit, poshtë digës së Liqenit Artificial të Tiranës, aty ndodheshin vetëm punëtorët, të cilët me mjete të rënda po punonin për hapjen e gropave. Më pas aty kanë ardhur edhe inxhinierët dhe përfaqësuesit e firmës së ndërtimit, të cilët, pasi morën urdhrin e pezullimit, u larguan. Punëtorët qëndruan pranë mjeteve të rënda të punës edhe për disa orë, në pritje të një urdhri të dytë nga eprorët e tyre. Ata tregojnë se punën e kanë nisur që më parë, duke pastruar sheshin e ndërtimit nga pemët dhe barakat. “Që prej dhjetorit kemi punuar gati 24 orë. Niveluam në fillim vendin, ndërsa sot po punonim për hapjen e gropës. Më pak se një metër kemi shkuar. Në datën 26 dhjetor erdhi Policia e Shtetit dhe na tha që të mos punonim më. Ne pushuam disa ditë dhe në janar nisëm sërish”, tregoi një punëtor. Pas pezullimit të punimit, mjetet e rënda u larguan nga zona për të shkuar te sheshi tjetër i ndërtimit shumë afër zonës, ku po ndërtohet një tjetër objekt nga e njëjta firmë ndërtimi.
Dëmtohet hapësira e gjelbër e parkut
Ndërtimi i kompleksit të pallateve në zonën e Liqenit Artificial u bë objekt akuzash e kundërakuzash mes opozitës dhe mazhorancës. Sipas socialistëve, me këto vendime, lideri i opozitës Lulzim Basha, dhe njëkohësisht kreu i Bashkisë Tiranë, po dëmtonte hapësirat e gjelbra të kryeqytetit. Edhe ambientalistët dhe banorët e kryeqytetit e ngritën këtë shqetësim. Ndërsa Bashkia, në qëndrimet e saj, pati deklaruar se projekti nuk dëmton hapësirat e gjelbra, pasi vetëm 40 për qind do të jetë ndërtim në truall privat dhe pjesa tjetër do të ishte lulishte. Mirëpo mjafton ta shohim zonën ku sapo ka nisur të ndërtohet objekti për të kuptuar se pretendimi i Bashkisë nuk është aspak i vërtetë. Krimi mjedisor në këtë park ka nisur qysh prej muajt gusht. Kur u mor leja, në gusht të 2014-ës, ndodhi rrethimi i zonës dhe u vendos tabela që prezantonte projektin, por nuk u krye asnjë punim. Pas katër muajsh, në muajin nëntor, kur kjo çështje doli jashtë fokusit të medies, nisën të priten edhe pemët e para në zonën e rrethuar. Vetëm dy punëtorë me një motosharrë prenë, më 8 nëntor, 10 pemë të këtij parku. Më shumë sesa këto pemë u prenë, mund të themi se u masakruan. Nga i njëjti trung njëra degë u pre, ndërsa tjetra u la në këmbë. Një muaj më vonë (dhjetor) këta punëtorë u kthyen në këtë park për të vazhduar punimet dhe për ta kthyer parkun në një shesh ndërtimi. Këtë herë ata nuk përdorën motosharrë, por mjete të rënda, me të cilat bënë nivelimin e terrenit, i thyen këto pemë. Ndërsa baraka që dikur shërbente si lavash është shembur duke lënë pas një grumbull me inerte. Pishat, plepat dhe pemët e tjera janë zhdukur. Në të gjithë zonën, nuk ka mbetur asgjë e gjelbër, madje as bar. Aty ku dikur jeshilonte gjithçka, tani është shndërruar në një shkretëtirë dheu.
“Na merr të qarët kur e shohim, ndaloheni këtë masakër”
Nisjen e punimeve dhe dëmtimin e zonës së gjelbër të kësaj zone, të parët që e vunë re ishin banorët e zonës. Çdo mëngjes që dilnin nga shtëpia ata shihnin disa pemë më pak, derisa ato u zhdukën plotësisht. Rajmonda Lame është një nga banoret e zonës, e cila e ka ndjekur me shqetësim çdo lëvizje dhe çdo lajm që dilte për këtë hapësirë. “Sa herë që shohim ndonjë makinë të madhe që ecën në këtë zonë, tronditemi. Themi ku do të ngrihet pallati i radhës. I jemi shumë mirënjohëse kryeministrit Rama që i pezulloi ndërtimet. Mjaft më se na morën frymën. Edhe këtu të mos bëhet pallati. Boll pallate ka kjo zonë. Edhe ndërtimet përreth gjysmat bosh janë, nuk janë shitur”, tha ajo. Ndërsa Fajkate Alia shëtit çdo ditë përreth digës. Ajo tregon se, këto transformime e prekin emocionalisht dhe e trishtojnë. “Sa herë që kaloj në shëtitoren “Lasgush Poradeci”, nuk shoh nga liqeni, por nga kjo shkretëtirë që na i bëri dhuratë Bashkia. Më merr të qarët sa herë e shoh. Nuk të kap syri as pemë, as lule, vetëm makina dhe beton.
Çdo park, çdo lulishte është e shenjtë, është mëkat që ta prekësh. Po lus Zotin, si për fëmijët e mi edhe për këtë park që ta mbrojë nga të ligjtë që duan ta rrëmbejnë”, tha ajo. Ndërsa zonja Age, e cila është e thy- er në moshë mendon për atë që do të trashëgojnë nipërit dhe mbesat e saj. “Po u mbush zona me pallate ku do t’i rrisim fëmijët mes betonit?! Siç m’u desh mua gjithë këto vite të bëhem me flokë të bardha, ashtu iu desh dhe atyre pemëve të rriten aq. Është shumë keq që u prenë. Pema është jetë. Çfarë edukate do t’i japim brezave të rinj. Dikur ne dhe frutat nuk i këpusnim, ndërsa tani njerëzit pa pikë turpi presin pemët në park. Më erdhi shumë inat sot kur e pashë skrepin që nisi të punonte. Dhe po mendoja si ta evitoja rrugën për të mos e parë sërish kur të kthehesha në shtëpi. Më vjen shumë mirë që punimet qenkan pezulluar. Boll hapën gropa se do bien ndonjëherë vetë brenda”, tha ajo. Irfan Dauti është një pensionist, i cili del çdo ditë për të shëtitur dhe për t’u mbushur me ajër të pastër.
“Gjithë bota flet për shtimin e gjelbërimit ndërsa ne bëjmë të kundërtën. Tirana sa vjen e po betonizohet më tepër. Kjo situatë nuk shkon fare. Kohët e fundit Tirana është populluar shumë, prandaj ka nevojë për gjelbërim. E ka menduar ndonjëherë kryetari i Bashkisë se ku do të marrin frymë 1 milion banorët e saj?! Betonizimi i kësaj zone jo vetëm do ta shëmtojë edhe këtë park, por do e bëjë një zonë aspak atraktive për ne që bëjmë një maratonë të shkurtër mes gjelbërimit”, u shpreh ai.