Bashkim Latollari, autori i masakrës së ndodhur në fshatin Gjonomadh të Korçës mbrëmjen e së martës ka rrëfyer përpara policisë shkaqet e krimit të tij. Gjatë dëshmisë së tij, vrasësi i katërfishtë ka thënë se shkak i vendimit të tij ekstrem ishte bërë ndarja me Danielën, njëra prej viktimave me të cilën kishte pasur një lidhje intime.
“Kisha një lidhje me Danielën. E doja, por ajo u nda nga unë, shkak ishin ndërhyrjet e çiftit të të moshuarve. Ata na ndanë pasi i mbushën mendjen Danielës të mos qëndronte më me mua”, thuhet ndër të tjera në dëshminë e 40-vjeçarit. 37-vjeçari Latollari vrau me armë zjarri katër persona, mes të cilëve dajën dhe bashkëshorten e tij, e më pas u dorëzua tek kryeplaku i fshatit, i cili lajmëroi policinë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme, ndërkohë që viktimat janë çiftet e bashkëshortëve: Beliman dhe Manjola Meçollari, përkatësisht 31 dhe 30 vjeç, si dhe Rexhep e Valentina Metellari, 57 dhe 53 vjeç, me të cilët ka pasur lidhje farefisnore. 57-vjeçari ka qenë daja i autorit të dyshuar të ngjarjes. Dyshohet se vrasja e çiftit Meçollari është kryer në banesën e tyre, në sy të dy fëmijëve të mitur të tyre, përkatësisht 4 dhe 6 vjeç.
Pas krimit, autori i katër vrasjeve është nisur drejt qendrës së fshatit, ku dhe ka qënduar në një banesë, thotë policia. Për arrestimin e tij, mësohet se policia ka negociuar nëpërmjet kryeplakut, duke sjellë kështu edhe vetëdorëzimin e tij pa pasoja të tjera.