Masakra ne Lecco nena qendroi 4 ore me trupat e vrare te te bijave ne shtrat

Masakra ne Lecco, nena qendroi 4 ore me trupat e vrare te te bijave ne shtrat

Bashkim Dobrushi është pritur në portin e Durrësit nga policia. Është drejtuar menjëherë për në aeroportin e Rinasit. I habitur ka pyetur policinë: Ku po më çoni?! Ata i kanë treguar se i duhej të kthehej në Itali. Fëmijët ishin helmuar dhe janë në spital. Bashkimi ka lëshuar një ulërimë: Mos, m`i paska helmuar ajo!!! Ka zbritur në Bergamo dhe atje është pritur nga tjetër polici. Vëllai, Lulzimi, i cili është rezident po në Lecco ka qenë në gjendje ‘shoku’, ndërsa Bashkimit i kanë treguar policia italiane për gjëmën e madhe që i kishte ndodhur. Në të njëjtën gjendje ka rëndë edhe kuksiani 45-vjeçar, baba i tri vajzave të masakruara me thika në shenjën e hakmarrjes së braktisjes, ndërsa prokurorët dhe policia kanë hezituar ta marrin në pyetje, nga frika e pësimit të ndonjë ataku.

Hetuesit kanë vendosur të respektojnë zinë dhe fatkeqësinë e tyre, ndërsa pritet që të dalë edhe ekspertiza mjeko-ligjore e tri viktimave. Në Lecco, po ashtu si dhe në të gjithë Italinë, edhe përgjatë ditës së djeshme nuk është folur për asgjë tjetër, ndërsa në drejtim të Italisë është nisur edhe vëllai tjetër i Bashkimit, Hamiti. E ndërsa shtëpia e tyre në Kukës ishte hapur për të kryer ritin e fejesës së Bashkimit, tashmë është kthyer në një shtëpi morti, mbase ndër rastet më të rënda që mund t`i bie një familjeje shqiptare. Familja Dobrushi pret trupat e tri mbesave   të tyre për të iu dhënë lamtumirën, pikërisht në fshatin ku Simona kalonte, së paku, dy javë të çdo viti.

Ekspertët rindërtojnë skenën makabre

Gjithçka ka nisur rreth orës 02.25 minuta. Edlira Dobrushi, 38-vjeçarja nga Durrësi, gruaja që ka vrarë tri vajzat e saj, 14, 11 dhe 3 vjeç ka treguar gjithë skenën me detaje në polici. Në dhomën e gjumit ka qenë duke fjetur me Sindin, vajzën 3 vjeçe. Simona dhe Kejsi kanë qenë në dhomën e tyre. Ato flinin në shtretër marinari. Edlira së pari ka goditur vogëlushen me të cilën po ndante atë moment shtratin e ‘gabuar’. Të voglës iu ka marrë jeta me një goditje thike në shpinë. Vajza ka ndërruar jetë pa e dëgjuar dy vajzat e tjera që flinin në dhomën tjetër. Më pas ka hyrë në dhomën e dy vajzave të mëdha. Ka goditur të parën Kejsin, ndërkohë është zgjuar Simona. Vajza është përleshur   me të ëmën, por gruaja i ka dhënë goditjen e dytë Kejsit. Goditja e dytë e ka kapur në qafë.

Simona ka tentuar të kapë telefonin të telefonojë policinë. E ëma e ka qëlluar njëherë po vajza ka lëshuar telefonin dhe ka dalë në korridor. Ulërimat janë dëgjuar nga fqinjët, por nuk kanë reaguar, pasi kohëve të fundit dëgjonin shpesh zënka në atë hyrje. Simona ka luftuar me të ëmën. Donte të jetonte... Më pas i ka marrë trupat e Kejsit dhe të Simonës dhe i ka shtrirë në shtratin që dikur kishte ndarë me të atin e tyre, me babain që nuk ishte më, as burri i saj dhe s`mund të ishte as babai i tyre. Ka qëndruar me trupat e pajetë të vajzave për katër orë rresht. Atëherë ka tentuar të vrasë veten. Ka kërkuar të presë damarët e dorës, por nuk ia ka arritur.

 I ka dhënë një goditje vetes, po jo aq të fortë sa goditjet që iu ka dhënë të bijave. Atëherë ora ka qenë 06.30. Ka dalë nga shtëpia dhe dera është mbyllur automatikisht. Ka trokitur në derën e fqinjit, duke kërkuar ndihmë për t`i ndaluar gjakderdhjen. Fqinji, duke e parë të mbuluar nga gjaku, e ka pyetur se ku janë vajzat, pasi kishte dëgjuar ulërimat e natës. Edlira i është përgjigjur: Nuk janë më! Atëherë burri ka tentuar të thyej derën e apartamentit të hyjë në shtëpi, por nuk ia ka arritur. Ka telefonuar të zonjën e shtëpisë me qira në të cilën banonte familja Dobrushi t`i sillte çelësat. Në dhomën e gjumit janë gjetur të tri vajzat e vrara!

 

Hetimet

Grupi i ekspertëve që po heton ngjarjen e rëndë dhe të paprecedent, ku nëna shqiptare iu ka marrë jetën tri vajzave  të saj duke i goditur me thikë, janë përpjekur të mësojnë se në të vërtet me çfarë personi kanë të bëjnë tek Edlira Dobrushi. Ata kanë zbuluar në faqen e saj në Facebook një sërë shprehjesh dhe pasionesh. Është parë që një nga librat e saj të preferuar ishte; “Letër një fëmije që s`u lind kurrë” i shkrimtares italiane Oriana Falacci. Që vajzën e vogël, Sindin, e konsideronte engjëll, se tri vajzat i quante “forca e saj”. Po aty është gjetur edhe një shprehje, ku gruaja dukej se paralajmëronte bashkëshortin për gjëmën e madhe: “Nuk është thika që të godet, por dora”.

 Edlira Dobrushi të dielën, gjatë marrjes në pyetje, ka shpjeguar pa u përlotur se e ka bërë këtë veprim duke e gjykuar si të drejtë dhe se ajo ka shpëtuar vajzat e saj nga një fat i pamëshirshëm, si dhe që i ka mbrojtur nga të këqijtë, pasi në të kundërt do të ishin bërë prostituta. Ishte e vetme dhe nuk mund të jetonin në këtë dëshpërim të pafund. Edlira ishte e fiksuar me idenë që nuk do arrinte kurrë t`u ofronte vajzave të saj një jetë të mirë. Ishte e tmerruar nga e ardhmja dhe ishte e bindur që çdo gjë që do kishte bërë do ishte vetëm dëshpërim për tri vajzat e saj. Bashkimi i jepte 400 euro për pagimin e qirasë dhe 700 euro për ushqimin e fëmijëve ndërsa mësohet se edhe vetë Edlira nxirrte disa fitime nga shitja punimeve me dorë që bënte në banesë. Prindërit e burrit të saj thonë se gjykata kishte vendosur që kujdestarinë e vajzave t’ia kalonte atij dhe se ajo i kishte me vetë natën e së shtunës sepse Bashkimi ishte nisur për të qëndruar 15 ditë në Shqipëri me të fejuarën.

 Në shkollën e Simonës

 “Ike shumë shpejt, por do të mbesësh gjithmonë në zemrat tona”. “Buzëqeshja jote do të mbesë gjithmonë me ne”. Këto janë disa nga mesazhet që shokët dhe shoqet e klasës në Maggianico i kanë dedikuar 14-vjeçares, Simona Dobrushi dhe dy motrave të saj, Sidnei dhe Keisi. Dje, banka ku ulej Simona, ka qenë bosh dhe e mbuluar nga lule dhe letra të miqve të saj. Ndërkohë shokët i kanë bërë një portret, i cili do të qëndrojë në klasën e tyre. Profesori i Simonës, Giancarlo Comi tregon se nxënësit ishin shumë të lidhur me me Simonën.

 Ai tregon se fillimisht ata kanë kaluar dhimbjen në mënyrë individuale por më pas kanë nisur të ngushëllojnë njëri-tjetrin. “Fëmijët janë shumë të mbyllur. Ata pyesin si ka mundësi që të ndodhë. Për këta fëmijë është e vështirë që të mendojnë se si nëna mund të jetë në gjendje të vrasë. Ata e kanë shumë të vështirë që të kuptojnë se kjo nënë mund të ketë jetuar një dramë të madhe”, thotë Comi. “Simona, një vajzë e fortë, e ëmbël dhe mendjemprehtë, por që ishte bërë e rezervuar dhe e trishtuar pas divorcit të prindërve. “Shpeshherë e shihnim duke qarë dhe ne e dinim që ajo po e vuante ndarjen e prindërve, por ajo nuk e shprehej shumë”, ka thënë për mediat vendase, drejtoresha e shkollës, Concetta Ferraro.      


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama